Shënohet Dita Botërore e HIV/AIDS nën moton: „Të gjithë vlejnë“

Shënohet Dita Botërore e HIV/AIDS nën moton: „Të gjithë vlejnë“

image_pdfimage_print

Prishtinë, 1 dhjetor 2017

 

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, është shënuar Dita Botërore e HIV/AIDS nën moton „Të gjithë vlejnë“.

Me këtë rast u tha se shënimi i Ditës Botërore të AIDS  është një mundësi për të gjithë njerëzit në mbarë botën të bashkohen në luftën kundër kësaj sëmundje, të tregojnë mbështetjen për njerëzit që jetojnë me HIV dhe për të përkujtuar njerëzit që kanë vdekur.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani tha se Instituti Kombëtar e përcjellë në vazhdimësi situatën epidemiologjike me HIV/AIDS dhe merret me parandalimin e HIV-it.

Ai tha se Instituti tashmë ka përfunduar dy hulumtime nga fusha e HIV/AIDS: „Mapingu programor dhe vlerësimi i madhësisë së popullatave kyçe në Kosovë, 2016“ dhe „Hulumtimi i shpejtë kualitativ për vulnerabilitetin specifik të komuniteteve RAE në lidhje me infeksionin HIV dhe AIDS në Kosovë“, të përkrahura nga Projektet e Fondit Global në Kosovë dhe sivjet tashmë është gati të fillojë hulumtimi i katërt me radhë „Mbikëqyrja biologjike dhe e sjelljeve në mesin e personave që injektojnë drogë, meshkujve që bëjnë seks me meshkuj dhe femrave punëtore të seksit në Kosovë, për vitin 2017“.

„Kosova si vend përballet me sfida socio-ekonomike dhe politike: shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, rritjes së përdorimit të drogave, sjelljeve seksuale me rrezik të lartë, komunitet të MSM-ve të stigmatizuar, lëvizshmëri të shpeshtë të kosovarëve për dhe nga vendet me prevalencë të lartë, dhe të gjithë këta faktorë mund të nxisin një përhapje të shpejtë të epidemisë së HIV-it nëse ato nuk adresohen në mënyrë të drejtë“, tha ndër të tjerash Prof. Dr Ramadani.

Ndërsa theksoi se Instituti Kombëtar do të vazhdojë rrugëtimin drejt parandalimit të sëmundjeve ngjitëse dhe jongjitëse përmes intervenimit në procesin fillestar, duke identifikuar faktorët e rrezikut që ndikojnë në sëmundshmërinë e popullatës.

Zv. Ministër i Shëndetësisë, Dr. Granit Abdullahu tha se MSH ka bërë përpjekje të vazhdueshme që problemin e HIV-it ta adresojë në mënyrë të drejtë, në parandalim dhe trajtim.

„Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të mbulojë shpenzimet për terapi Anti Retrovirale (ARV), prokurorimi i së cilës do të realizohet përmes UNICEF-it. Gjithashtu, MSH siguron materialin harxhues për realizimin e testeve që ndihmojnë njohjen e statusit imunologjik të pacientëve me HIV dhe AIDS si dhe sasinë e virusit në qarkullim të gjakut që janë në terapi dhe ndihmon infektologët në monitorimin e gjendjes së tyre”, tha Dr. Abdullahu.

Ai tha se Ministria e Shëndetësisë nga ky vit ka filluar t’i mbulojë shpenzimet për terapinë mbajtëse me Metadon, shërbim i cili ofrohet në 5 qendra të licencuara në Kosovë, dhe se kjo ministri ka aprovuar strategjinë dhe planin e veprimit për vitin 2018-2022 dhe se sipas tij do të jetë e përkushtuar në realizimin e kësaj strategjie.

Dr. Ardita Tahirukaj, shefe e zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se programet e parandalimit kanë kontribuar në zvogëlimin e numrit të të infektuarëve të rinj me virusin HIV, ku është shënuar një rënie prej 35% në incidencë që nga viti 2000.

Ajo bëri të ditur se zgjerimi masiv i terapisë antiretrovirale ka zvogëluar numrin e njerëzve që vdesin nga shkaqet e lidhura me infeksionin HIV në afërsisht 45% më pak se në vitin 2005.

“Në rajonin Europian të OBSH-së, epidemia e HIV vazhdon të rritet në një shpejtësi alarmuese, kryesisht në pjesën lindore, që përbën 80% të 160 000 diagnozave të reja të infeksionit me HIV. Nëse vazhdon ky trend ne nuk do të jemi në gjendje që të arrijmë qëllimin e Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm për përfundimin e epidemisë së HIV-it deri në vitin 2030”, tha ndër tjerash ajo.

Ndërsa theksoi se OBSH ka zhvilluar udhërrëfyes për përmirësimin e testimit të HIV në Evropë, që u është dedikuar menaxherëve kombëtarë të HIV-it, punëtorëve shëndetësorë, për t’i përkrahur që të rrisin qasjen në këshillimin dhe testimin për HIV.

Menaxhere e HIV/AIDS FG CDF, Dr. Edona Deva tha se luftimi i stigmës dhe diskriminimit, trajtimi dhe kujdesi ndaj atyre që jetojnë me HIV përkon me respektimin e të drejtave elementare të njeriut: të drejtën per trajtim/shërbime shëndetësore, si dhe të drejtën për edukim dhe punësim.

“Partneriteti i gjërë të cilin e ka krijuar programi i Fondit Global, i mbështetur nga puna e palodhshme e shumë njerëzve ka sjellë në vendin tonë progress në krijimin e shërbimeve parandaluese dhe përkrahëse për HIV, si dhe ndryshim në qasjen institucionale ndaj grupeve të margjinalizuara të shoqërisë në aspektin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore”, tha ndër të tjerash ajo.

Ndërsa rekomandoi të përmirësohet baza e të dhënave dhe provave për një reagim të përgjegjshëm nacional, te pilotohet PIT, për të rritur shkallën e testimit për HIV, si dhe të themelohen mekanizmat e kontraktimit social të OJQ-ve që punojnë në këtë fushë.

Dr. Dafina Gexha nga IKSHPK prezantoi situatën me HIV në Kosovë, ku u tha se Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, por me potencial të rritjes, posaçërisht në mesin e popullatës MSM.

U tha se gjatë vitit 2017 janë raportuar 2 raste të reja, mirëpo nuk ka raste të vdekjes si pasojë e AIDS-it.

Në linkun e mëposhtëm gjeni edhe Ecurinë e HIV në Kosovë të paraqitur në grafe.

Ecuria e HIV ne Kosove

print