Sot, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), u shënua 1 Tetori – Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar, nën moton: “Personat e moshuar nxisin veprimin lokal dhe global: Aspiratat, Mirëqenia dhe të Drejtat tona”, ku u theksua roli i të moshuarve në shoqërinë tonë dhe përgjegjësia institucionale për të garantuar shëndet, dinjitet dhe përfshirje.
Dr. Pranvera Krasniqi nga Divizioni për Moshimin në IKSHPK, në fjalën hyrëse rikujtoi se ky është viti i 13-të që Instituti e shënon këtë ditë. Ajo theksoi se të moshuarit janë urë lidhëse mes së kaluarës dhe së ardhmes, duke bartur mençuri, përvojë dhe vlera për gjeneratat e reja. Dr. Krasniqi falënderoi partnerët AQH dhe UNFPA për mbështetjen në organizimin e ngjarjes dhe nënvizoi se respekti dhe kujdesi ndaj të moshuarve duhet të mbeten gjithmonë prioritet shoqëror.
Drejtoresha Ekzekutive e IKSHPK-së, Dr. Ardita Baraku solli në vëmendje faktin se, sipas regjistrimit të popullsisë 2024, 11% e qytetarëve të Kosovës janë mbi 65 vjeç, një rritje e dukshme krahasuar me vitin 2011 (6.7%). Ky është një tregues i qartë se moshimi i popullsisë është një fenomen real, që kërkon politika të qëndrueshme, planifikim social dhe investime afatgjata në shëndetin publik. Ajo theksoi se të moshuarit nuk duhet të shihen vetëm si grup që ka nevojë për mbështetje, por si partnerë aktivë dhe zëra të rëndësishëm në vendimmarrje. Dr. Baraku theksoi se IKSHPK mbetet i përkushtuar të ofrojë evidenca shkencore, analiza dhe edukim shëndetësor për të garantuar jetë aktive dhe dinjitoze për çdo të moshuar.
Dr. Shaban Osmanaj nga Divizioni për Kujdes Parësor Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë nënvizoi se rritja e përqindjes së personave të moshuar obligon institucionet të ndërmarrin hapa të qartë. Ai tha se kujdesi shëndetësor dhe social për të moshuarit duhet të jetë prioritet kombëtar, dhe se qëllimi nuk është vetëm të sigurohet jetëgjatësi, por të garantohet një jetë me dinjitet, aktivizëm dhe mirëqenie. Osmanaj theksoi se të moshuarit janë nxitës të ndryshimit dhe kontribues të një të ardhmeje gjithëpërfshirëse, ndaj institucionet e shëndetit dhe qeveria janë të përkushtuara të garantojnë qasje në shërbime cilësore, trajtim të duhur dhe mbështetje psikosociale për këtë grupmoshë.
Znj. Sabrije Nimani, përfaqësuese e OJQ Pojata, solli në fokus gratë e moshuara pensioniste, të cilat shpesh përballen me sfida të dyfishta – moshën dhe pabarazinë gjinore. Ajo theksoi se më shumë se gjysma e të moshuarve në Kosovë janë gra, dhe shumë prej tyre kanë sakrifikuar e kontribuar gjatë gjithë jetës, por sot ballafaqohen me sfida të veçanta. Ajo u shpreh se Shoqata Pojata angazhohet t’i përfshijë ato në aktivitete sociale, kulturore, edukative dhe rekreative, duke i bërë të ndihen të vlefshme dhe aktive.
Dr. Visare Mujko Nimani, shefe e zyrës së UNFPA-së në Kosovë, theksoi se të moshuarit nuk janë vetëm përfitues të shërbimeve, por bartës të përvojës dhe mbështetës të familjeve e komuniteteve. Ajo apeloi që të forcohen shërbimet e kujdesit parandalues, rehabilitues dhe afatgjatë, duke theksuar se një i moshuar i shëndetshëm dhe i mbështetur, vazhdon të kontribuojë për familjen dhe shoqërinë. Ajo tha se UNFPA mbetet e përkushtuar të mbështesë Kosovën në ndërtimin e politikave për moshim aktiv, përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes institucioneve, profesionistëve të shëndetit, shoqërisë civile, sektorit privat dhe vetë të moshuarve.
Ngjarja u përmbyll me një koktej miqësor, pas të cilit të moshuarit pjesëmarrës u vaksinuan kundër gripit sezonal, si pjesë e përkujdesjes dhe mbrojtjes së tyre shëndetësore.