Komiteti Profesional Këshillues për Imunizim (KPKI-NITAG) dhe Sekretariati i këtij komiteti mbajtën sot një takim konsultativ lidhur me fillimin dhe ecurinë e deritanishme të vaksinimit kundër gripit sezonal në Kosovë.
Duke qenë që profesionistët shëndetësor janë kategori esenciale që duhet të vaksinohen, me qëllim të mbrojtjes së pacientëve, kolegëve të tyre, familjes dhe komunitetit, anëtarët e këtij Komiteti u vaksinuan, në funksion të këtij qëllimi dhe përkrahjes së fushatës së vaksinimit kundër gripit.
Fushata e vaksinimit në mesin e profesionistëve shëndetësor është mbështetur edhe nga profesionistë të tjerë shëndetësorë nga: Fakulteti i Mjekësisë, IKSHPK, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, zyrtarë nga OBSH dhe shërbimet e tjera.
Gjatë javës së parë të vaksinimit kundër gripit sezonal, janë vaksinuar mbi 16 000 qytetarë të Republikës së Kosovës.
Vaksinimi i profesionistëve shëndetësor, përveç përfitimeve të drejtpërdrejta shëndetësore për individët, kontribuon, gjithashtu, në ruajtjen e funksionalitetit dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve shëndetësore.