Të moshuarit përfaqësojnë një pasuri të vlefshme të përvojës, mençurisë dhe dashurisë. Detyra jonë si shoqëri është të kujdesemi për ta, t’i mbështesim dhe t’i vlerësojmë në çdo etapë të jetës së tyre. Prandaj, është me rëndësi që të sigurojmë një mjedis ku ata ndihen të respektuar, të përfshirë dhe të mbrojtur”.
Kështu u tha sot gjatë shënimit të 1 Tetorit-Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, që u mbajt në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Dr. Arsim Berisha, zëvendësministër i Shëndetësisë tha se dëshiron të riafirmoj angazhimin e fuqishëm të Qeverisë për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe për të ofruar shërbime shëndetësore cilësore për të moshuarit, duke adresuar nevojat e tyre specifike dhe duke garantuar kujdes të përkushtuar e të specializuar. “Objektivi ynë është të ndërtojmë një mjedis ku çdo person i moshuar ndjehet i respektuar dhe i mbrojtur, jo vetëm nga ana shëndetësore, por edhe nga aspekti social dhe ekonomik”.
Profesoresha Ariana Kalaveshi, drejtoreshë e Departamentit të Epidemiologjisë në IKSHPK tha se në një botë që po ndryshon me hapa të shpejtë, përvoja e të moshuarve mbetet një shtyllë stabiliteti dhe urtësie. “IKSHPK është i përkushtuar si institucion që të moshuarit të kenë qasje në kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen që e meritojnë. Ne punojmë për të krijuar programe që ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për të moshuarit, duke ofruar mbështetje jo vetëm shëndetësore, por edhe emocionale dhe sociale”, tha ajo.
Dr. Genc Ymerhalili nga AQH tha se projekti po promovon të moshuarit e shëndetshëm, ndërsa të moshuarit kanë mundësi të reflektojnë si partner të rëndësishëm në programet që kanë për qëllim mbrojtjen etyre ndaj sëmundjeve kronike.
Znj. Rabije Slivova nga OJQ “Vita- Jeta”, tha se shoqata bashkëpunon me institucionet dhe komunitetin për të siguruar mirëqenie dhe kujdes për të moshuarit dhe jetë aktive gjatë gjithë kohës.
Në Ditën Ndërkombëtare të personave të moshuar, përmes vaksinimit simbolik, u shënua edhe hapja e sezonit të vaksinimit kundër Gripit sezonal ku të moshuarit janë katagori prioritare.