Nën moton “Duhani dhe shëndeti i mushkërive”, shënohet Dita Botërore pa duhan

Nën moton “Duhani dhe shëndeti i mushkërive”, shënohet Dita Botërore pa duhan

image_pdfimage_print

Prishtinë, 31 maj, 2019

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, u shënua 31 Maji-Dita Botërore pa Duhan, me ç’rast u tha se qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell konsumi i duhanit, si dhe avokimi për ndërmarrjen e politikave efektive me qëllim uljen e konsumit të tij, si dhe të inkurajojnë reduktimin e prodhimit dhe konsumit të duhanit.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani tha se kjo fushatë ndërgjegjësuese ka për qëllim të theksojë lidhjet midis përdorimit të produkteve të duhanit, kontrollit të tij, dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

“Në hulumtimin e fundit të Global Youth Tobacco Survey-GYTS në Kosovë: prevalenca e përdoruesve aktualë të duhanit në mesin e të rinjve (13-15 vjeç) krahasuar me hulumtimin e kaluar (GYTS 2004) nga 6.7% është ulur në 4.4% (2016), ndërkohë që ekspozimi ndaj tymit të duhanit brenda ndonjë ambienti është ulur nga 84% në 43%, derisa prevalenca e përdoruesve aktualë të duhanit në mesin e të rinjve, krahasuar me hulumtimin e kaluar është nga 10.4% në 8.8%”, shpjegoi Prof. Ramadani.

Koordinatori Shtetëror për Kontrollin e Duhanit, Dr. Faik Hoti prezantoi pakon e masave për kontroll të duhanit, pjesë e FCTC/OBSH, si: monitorimi i përdorimit të duhanit dhe politikat e parandalimit, mbrojtja nga përdorimi i duhanit, ofrimi i ndihmës për lënien e duhanit, paralajmërimet për rreziqet nga duhani, fuqizimi i ndalimit të reklamave, promovimit dhe sponzorimit, dhe rritja e taksave të duhanit.

Në këtë prezantim, u tha se rezultatet nga studimi STEPS (2012) tregojnë se 28.4% e qytetarëve të anketuar në Kosovë janë duhanpirës (37.4% meshkuj, dhe 19.7% femra).

Në njërën nga pakot “Fuqizimi i ndalimit të reklamave, promovimit dhe sponzorimit”, u tha se ndalimi i plotë i reklamave, promovimit dhe sponsorizimit të duhanit mund të ulë konsumin e duhanit me një mesatare prej rreth 7%, dhe se vetëm 37 vende (përfshirë edhe Kosovën), që përfaqësojnë 15% të popullsisë botërore, kanë ndaluar plotësisht të gjitha format e reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit të duhanit.

Drejtoresha e klinikës së Pulmologjisë, Dr.Rukije Mehmeti tha se janë dëshmitarë se duhanpirja shkakton sëmundje të ndryshme të mushkërive, dhe se numri i pacientëve me sëmundje obstruktive kronike është i shtuar. Po ashtu, ajo tha se nga duhanpirja vuajnë edhe duhanpirësit pasivë, e veçanërisht fëmijët, të cilët sipas saj, në të ardhmen mund të kenë pasoja serioze.

Ibrahim Tërshnjaku, shef i Inspektoratit Sanitar të AUV, tha se përmes angazhimeve dhe përpjekjeve që ka bërë ky inspektorat përgjatë këtyre viteve, kanë arritur që me përqindje të lartë, të bëjnë zbatimin e dispozitave ligjore, por sipas tij, kanë pasur edhe rënie te dispozitave ligjore, ku Ligji për Duhanin shpesh nuk zbatohet në disa kafene në Kosovë.

„Mos-zbatimi i këtij ligji nga ana e zyrtarëve të lartë shtetëror, inspektorët e punës, arsimit, shëndetësisë, e kanë zbehur në disa dispozita, çështjen e zbatueshmërisë së ligjit të Duhanit”, theksoi ai.

Arben Lila-Përfaqësues i organizatës KADC, tha se bilanci i zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, në vitin e kaluar, sipas tij fatkeqësisht është negativ.

“Raporti i publikuar i progresit për Kosovën, ka thënë se Kosova ka një Ligj gjithëpërfshirës të kontrollit të duhanit, por niveli i zbatimit të tij, ka vazhduar të bie, kjo për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe performancës së dobët të autoriteteve për zbatimin e tij”, tha mes tjerash ai.

print