Në Prishtinë po mbahet Konferenca e Dytë Rajonale për Promovim dhe Edukim Shëndetësor

Në Prishtinë po mbahet Konferenca e Dytë Rajonale për Promovim dhe Edukim Shëndetësor

image_pdfimage_print

Komunikatë për media

 

Në Prishtinë po mbahet Konferenca e Dytë Rajonale për Promovim dhe Edukim Shëndetësor

 

Prishtinë, 26 tetor 2017

Organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar për Promovim dhe Edukim Shëndetësor dhe mbështetur nga Projekti Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), sot në Prishtinë i ka filluar punimet Konferenca e Dytë Rajonale për Edukim dhe Promovim Shëndetësor me temën: “Të mësojmë nga përvojat”.

Në këtë konferencë me pjesëmarrës edhe nga vendet e rajonit dhe me gjerë, profesionistë të fushave të shëndetësisë publike prej 26-28 tetor, do të bëjnë prezantime të ndryshme lidhur me edukimin dhe promovimin shëndetësor në kontekst të zhvillimeve të shëndetit publik dhe në funksion të ruajtjes dhe përparimit të shëndetit publik.

Në hapje të kësaj konference, zëvendësministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Ali Berisha, tha se konferenca e Dytë Rajonale për Edukim dhe Promovim Shëndetësor është një kontribut i drejtpërdrejt shkencor në sigurimin e ekspertizës, profesionalizmit dhe përgjegjësisë për ndërmarrjen e masave efikase për parandalimin e çfarëdo rreziku për shëndetin e popullatës, në këtë kohë kur problemet e shëndetit publik, janë një kërcënim i përhershëm si në nivelin rajonal ashtu edhe në atë global.

“Qëllimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është sigurimi i shëndetit të plotë për të gjithë si një e drejtë themelore, ndërsa IKSHP ka një mision të rëndësisë së veçantë në përmbushjen e misionin për përparimin e kualitetit të jetës, përmes parandalimit të sëmundjeve dhe promovimit të shëndetit. Në zbatim të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore dhe objektivave të saj për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit; sigurimin e një financimi të qëndrueshëm dhe ri-organizimin e sektorit të shëndetësisë, objektiva këto që reflektojnë edhe në Programin qeveritar për shëndetësi, Ministria e Shëndetësisë do të mbështes Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe institutet rajonale, që të rrisin kapacitetet e tyre për zbatimin me sukses të punës së tyre profesionale dhe shkencore, me qëllim që të ketë një vazhdimësi të sukseseve dhe të kemi një popullatë të shëndoshë”, tha zëvendësministri Berisha.

Prof.dr. Naser Ramadani, Drejtor ekzekutiv i IKSHP-së, tha se IKSHP si institucioni më i lartë shëndetësor, profesional  dhe shkencor i Kosovës angazhohet me përkushtim në zbatimin e veprimtarisë në fushën e shëndetit publik duke ndërmarrë masa kundërepidemike, promovimin dhe edukimin shëndetësor, kontrollin e kualitetit të  ujit, ajrit e ushqimit, si dhe zbatimin e Programit të Zgjeruar të Imunizimit në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.

Ai tha se një konferencë si kjo, vjen në vazhdën e rezultateve të shënuara në shëndetësinë publike nga të cilat duhet duhet përmendur se me zbatimin e Programit të Zgjeruar të Imunizimit janë shënuar suksese evidente në luftimin e sëmundjeve infektive në vendin tonë. “Fëmijët në Kosovë sot nuk sëmuren më nga sëmundjet ngjitëse nga të cilat kanë vdekur në të kaluarën. Sot, ne nuk kemi të regjistruar epidemi të difterisë, të tetanosit neonatal, paralizës së fëmijëve, rubellës, shytave. Sot në Kosovë nuk shihni më fëmijë të lidhur për karrocën e invalidit si pasojë e paralizës së shkaktuar nga virusi i egër i Polios”, thksoi profesor Ramdani.

Ai tha se  këto suksese, sidomos në luftën kundër 10 sëmundjeve vaksinë-preventabile nuk do të arriheshin pa mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe sigurisë së vaksinave të certifikuara nga OBSH dhe të përzgjedhura sipas këtyre kritereve nga UNICEF.

Profesor Ramadani tha se me gjithë sfidat që mbesin, vitet e fundit janë realizuar, poashtu, me sukses një varg projektesh shkencore si: Gripi i shpendëve, Hulumtimi për Ethet Hemorragjike Krime Kongo, Tulareminë e Brucellozën,  Hulumtimi i kualitetit të shërbimeve të vaksinimit, Përforcimi i kapaciteteve të Qendres së ujit, Luftimi i rezistencës së antibiotikëve, ndërkohë që është duke u bërë implementimi i Regjistrave të Kancerit, Diabetit, Sëmundjeve Kardiovaskulare.

 

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në angazhimin e vet bashkë me të gjitha institucionet e vendit për të përmbushur vizionin  për një popullatë të shëndoshë, në mjedisin e shëndoshë, në një shtet të shëndoshë”, tha profesor Ramadani.

 

Punimet e konferencës i ka përshëndetur edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së dr. Basri Sejdiu, Drejtori i  Institutit të Shëndetit Publik të Maqedonisë, Shaban Mehmeti, Zëvendësdrejtori i Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, Genc Burazeri si dhe përfaqësuesit e agjensioneve dhe institucioneve mbështetëse të kësaj konference si AQH, OBSH, UNICEF, UNFPA, etj.

 

Konferenca i vazhdon punimet edhe të premtën dhe të shtunën.

print