Në IKSHPK u shënua Dita Botërore e HIV/AIDS-it

Në IKSHPK u shënua Dita Botërore e HIV/AIDS-it

image_pdfimage_print

 

Prishtinë 30 nëntor, 2018

 

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike u shënua Dita Botërore e HIV dhe AIDS, nën moton “Dije gjendjen tënde”.

 

Me këtë rast u tha se HIV dhe AIDS vazhdon të konsiderohet si çështje me prioritet në SHP, në nivel global, dhe se pandemia globale e HIV AIDS-it nuk ka shtrirje të barabartë në botë; prevalenca, incidenca dhe mortaliteti reflektojnë pabarazitë socio-ekonomike dhe shëndetësore në mes të vendeve të zhvilluara, dhe atyre në zhvillim.

 

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani tha se Instituti Kombëtar duke qenë institucioni më i lartë shëndetësor, profesional dhe shkencor i Kosovës, në shëndetësinë publike, e përcjell në vazhdimësi situatën epidemiologjike me HIV dhe AIDS dhe merret me parandalimin e HIV-it.

“Instituti Kombëtar, tashmë ka përfunduar dy hulumtime nga fusha e HIV/AIDS: “Mapingu programor dhe vlerësimi i madhësisë së popullatave kyçe në Kosovë, 2016”, dhe “Hulumtimi i shpejtë kualitativ për vulnerabilitetin specifik të komunitetit RAE, në lidhje me HIV infeksionin dhe AIDS-in në Kosovë-të përkrahura nga Projektet e Fondit Global në Kosovë, ndërsa sivjet ka prezantuar hulumtimin e katërt me radhë “Mbikëqyrja biologjike dhe e sjelljeve, në mesin e personave që injektojnë drogë, meshkujve që bëjnë seks me meshkuj, dhe femrave punëtore të seksit në Kosovë, për vitin 2017”, tha mes të tjerash, Prof. Ramadani.

 

Zv. Ministër i Shëndetësisë, Dr. Ali Berisha tha se Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të përkujdeset, që të prekurve nga HIV dhe AIDS, t’u sigurohet edhe më tej, terapia antiretrovirale, me qëllim të trajtimit të tyre gjithëpërfshirës, duke rritur në të njëjtën kohë, shërbimet e diagnostikimit, si një hap i rëndësishëm, në parandalimin dhe zbulimin e hershëm të HIV dhe AIDS-it.

 

Ndërsa, u shpreh se Qeveria e Kosovës gjatë këtij mandati, ka shtuar fokusin për shëndetësi, dhe se edhe vitin që vjen, buxheti për këtë sektor, sipas tij do të jetë dukshëm më i rritur.

 

Menaxhere e HIV/AIDS FG CDF, Dr. Edona Deva tha programi i Fondit Global për HIV, kontribuon në zbatimin e Planit strategjik nacional për HIV/AIDS 2018-2022, ka themeluar dhe ka fuqizuar shërbimet bazike për parandalimin e HIV-it, si: zvogëlimi i dëmit te PDI, pakot bazike parandaluese te MSM, testimi për HIV, programi i terapisë mbajtëse me metadon, si dhe ka kontribuar në fuqizimin e Asociacionit të personave që jetojnë me HIV, duke u përkujdesur për trajtimin e mirëfilltë, koordinimin e kujdesit dhe përkrahjen e tyre.

 

Ajo u shpreh se qëllimi i grantit për 2018-2020 është: të mbahet prevalenca e ulët e HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme dhe popullatave kyçe, si dhe të përmirësohet cilësia e jetës së personave të afektuar nga HIV dhe AIDS në Kosovë.

 

Shefe e Njësisë për HIV/AIDS, Dr. Luljeta Gashi prezantoi situatën me HIV në Kosovë, ku raportoi se Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, por me potencial të rritjes, posaçërisht në mesin e popullatës MSM (meshkuj që bëjnë seks me meshkuj).

 

“Rasti i parë me AIDS në vendin tonë, është raportuar në vitin 1986, prej këtij viti deri në vitin 2018 në Kosovë janë raportuar 119 raste të HIV dhe AIDS-it. Prej tyre 71 janë me AIDS dhe 48 me HIV infeksion. Ndërsa deri më tani, 47 kanë vdekur si pasojë e AIDS-it”, tha mes të tjerash ajo.

 

 

Ndërkaq, për nder të kësaj Dite, me 1 dhjetor në qytet do të shpërndahen materiale edukativo-shëndetësore dhe prezervativë për qytetarët e rastit.

print