Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors
Posts
Page
News
Events
Public calls
Filter by category
Contests/Announcements

The history

Më 5 qershor 2024, IKSHPK ka shnuar 99 vjetorin e ditës që shënon fillet e veprimtarisë së shëndetit publik në Kosovë. Ka shwnuar ditën kur në kuadër të adresimit të problemeve shëndetësore dhe të përkujdesjes amerikane ndaj popullatës së këtij rajoni të Evropës, Fondacioni i shquar humanitar nga SHBA “Rockfeller” e mbështeti themelimin për herë të parë të Shërbimit Higjieniko-Epidemiologjik edhe në Pejë. Ky shërbim do të fillojë punën më 5 qershor të vitit 1925 dhe kjo datë konsiderohet se shënon fillet e veprimtarisë së mjekësisë preventive në Kosovë, prandaj edhe shënohet si ditë e themelimit të veprimtarisë së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Në ditën e shënimit të kësaj date, IKSHPK ka kujtuar periudhat e gjendjes së rëndë dhe rrethanave shëndetësore jashtëzakonisht të vështira nëpër të cilat ka kaluar popullata e Kosovës dhe njëkohësisht përpjekjet e vazhdueshme në mbrojtje dhe përmirësim të shëndetit të kësaj popullate nga profesionistët e shëndetit publik nëpër dekada.

Pa dyshim, të gjithë e kanw të freskët njërën nga sfidat më të mëdha me të cilën u përballë edhe Kosova në vitet e fundit – pandeminë e COVID-19. Kjo pandemi, si kurrë më parë, e vuri në sprovë qëndrueshmërinë dhe aftësitë profesionale, shkencore e humane, në përshtatjen e strategjisë që ta mbrojë shëndetin e popullatës. IKSHPK mobilizoi të gjitha forcat profesionale dhe shkencore për përballje të suksesshme me pandeminë COVID-19, duke qenë përherë në funksion të mbrojtjes dhe përmirësimit të shëndetit të popullatës.

Sfidat e kaluara kanë shërbyer në vazhdimësi për fokusimin edhe më të madh në ngritjen dhe forcimin e të gjitha kapaciteteve për të mbrojtur dhe avancuar më tej shëndetin publik. Në historikun e zhvillimit të veprimtarisë së shëndetit publik në Kosovë janë kaluar periudha të betejave të ndryshme të përballjes me kërcënime dhe rreziqe të kohës.
Në çdo pwrvjetor kujtohet periudha e gjendjes së rëndë dhe rrethanave shëndetësore jashtëzakonisht të vështira gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XX dhe Kosovën e shkatërruar tërësisht pas Luftës së Dytë Botërore, me kushte jetese katastrofike kur shërbimet shëndetësore nuk funksiononin pothuajse fare e nga ana tjetër sëmundjet ngjitëse bënin kërdi.

Është viti 1948 që në historikun e zhvillimit të shëndetësisë publike në Kosovë qw do të shënojë themelimin e Entit për Mbrojtje Shëndetësore të Kosovës dhe më pastaj do të vazhdohet me zhvillimin e rrjetit të organizuar të enteve rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë e Ferizaj.

Më tutje, me themelimin e Fakultetit të Mjekësisë më 1969, do të ngriten kapacitetet profesionale të fushës së shëndetësisë dhe do të trajnohen profesionistë të fushës së shëndetësisë publike që do të mbështesin punën në zhvillimin e rrjetit të institucioneve të shëndetit publik dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të popullatës në Kosovë.

Fatkeqësisht, në dekadën e fundit të shekullit XX Kosova do të përjetojë rrënimin e sistemit shëndetësor, që do të kulmojë me shkatërrimin e rëndë gjatë periudhës së luftës së fundit të viteve 1998/1999.

Periudha e pasluftës në Kosovë do të shënojë riorganizimin e sektorit të shëndetësisë publike, në një proces të reformave që do të përcillen me arritjen e rezultateve të çmuara në fushën e shëndetësisë publike në Kosovw. Për gjithë këto vite Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike si institucion i lartë shëndetësor, profesional dhe shkencor i Kosovës me veprimtarinë e vet ka zbatuar me sukses Strategjinë e shëndetit publik.

Në vazhdën e rezultateve të shënuara në shëndetësinë publike janë shënuar suksese në luftimin e çrrënjosjen e shumë sëmundjeve infektive, me zbatimin e Programit të Zgjeruar të Imunizimit me suksese evidente në luftimin e shumë sëmundjeve infektive, vaksinë-preventabile. IKSHPK është angazhuar në përpjekje të vazhdueshme në luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse përmes kontrollit të faktorëve të riskut dhe aktiviteteve të promovimit dhe edukimit shëndetësor për të gjithë qytetarët, si dhe në kontrollin dhe monitorimin e shëndetit mjedisor, kualitetit të ujit dhe ushqimit, bazuar në udhëzime administrative sipas direktivave europiane.

IKSHPK ka realizuar, një varg projektesh shkencore dhe ka një bashkëpunim të gjerë dhe të afërt me institucione ndërkombëtare në fushën e shëndetit publik. Në veprimtarinë e vet IKSHPK kujdeset për implementimin e të gjitha rekomandimeve të OBSH dhe ECDC në lëminë e shëndetësisë publike.

Në themelet e zhvillimit të shëndetësisë publike në Kosovë gjatë gjithë kësaj periudhe qëndrojnë kontributet e veçanta të shumë profesionistëve të kësaj fushe. Në veçanti, përkujtohen me respekt dhe pietet të lartë puna dhe vepra e disa prej doajenëve të cilët nuk janë më në mesin tonë, si Dr. Durmish Celina, Prof. Osman Imami, Dr Ilmi Bërveniku, Dr. Adem Devaja, të ndarë nga jeta para shumë vitesh, si dhe kontributet e veprat e çmueshme të Prof. Selvete Krasniqit e Prof. Ilir Begollit që u ndanë prej nesh këto vitet e fundit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në angazhimin e vet në mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës, bashkë me të gjitha institucionet e vendit, për të përmbushur vizionin për një popullatë të shëndoshë, në mjedisin e shëndoshë, në një shtet të shëndoshë.

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors
Posts
Page
News
Events
Public calls
Filter by category
Contests/Announcements