GYPAT E ASBEST-ÇIMENTOS NË SISTEMET E FURNIZIMIT DHE NDIKIMI I TYRE NË CILËSINË E UJIT PËR PIJE

Në interes të informimit të publikut dhe evitimit të paqartësive që mund të ekzistojnë si rezultat edhe i raportimit në media për rrezikun shëndetësor që paraqet përdorimi i gypave të asbest-çimentos, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, si autoritet përgjegjës për mbrojtjen e shëndetit publik dhe për cilësinë e ujit që furnizohet përmes sistemeve publike të ujësjellësit, sqaron si më poshtë:

  • Pavarësisht se a furnizohen përmes gypave të asbest-çimentos apo gypave nga materialet tjera, shumica e ujërave përmbajnë fibra të asbestit, për arsye se asbesti është i pranishëm në mjedisin natyror si rezultat i zbërthimit të mineraleve të caktuara si dhe nga shkarkimet industriale, ndotja atmosferike etj.
  • Shtresimi i fibrave të asbestit nga gypat e asbestit-çimentos lidhet me agresivitetin e ujit të furnizuar. Të dhëna nga hulumtime të shumëta epidemiologjike tregojnë se ekspozimi ndaj asbestit ajror të lëshuar nga uji i rubinetit gjatë dusheve ose sperkatjeve është i papërfillshëm.
  • Azbesti është kancerogjen i njohur me anë të rrugës së thithjes/frymëmarjes. Bazuar në njohuritë e deritanishme shkencore, nuk ka evidencë që ingjestimi (marrja përmes gëlltitjes) i asbestit dëmton shëndetin. Edhe pse është studiuar mirë, nuk ka prova bindëse për kancerogjenitetin e asbestit të nderlidhur me ujë të pijshëm. Pikërisht për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk ka përcaktuar vlerë parametrike kufizuese për sasinë e asbestit në ujin e pijshëm.
  • Asbesti ka strukture fijore të gjatë dhe të hollë, si gjilpera. Kur këto fije/fibra mikroskopike lëvizen nga rrymimet ajrore, ato lundrojnë në ajër dhe mund lehtësisht me frymëmarrje të futen në mushkëri. Shkencëtarët Asbestin e kanë njohur si një kërcënim për shëndetin e njerëzve sepse këto fibra kur futen në mushkëri mund të shkaktojnë kancer dhe sëmundje tjera të mushkërive. Ne të gjithë jemi të ekspozuar ndaj niveleve të ulëta të asbestit në ajër, mirpo ka më shumë të ngjarë të përjetojmë çrregullime të lidhura me asbest mvarësisht nga përqendrimet e larta të asbestit dhe kohëzgjatja e ekspozimit.
  • Në shumicën e vendeve të Europës dhe në SHBA janë ende në funksion sasi të konsiderueshme të rrjeteve të ujësjellësit nga gypat e asbest-çimentos dhe nuk ka iniciativa apo programe për zëvendësimin e tyre për arsye shëndetësore. Rrjedhimisht, as Kompanitë Publike të Ujësjellësit në Kosovë nuk kanë nevojë që për arsye shëndetësore të planifikojnë zëvendësimin e gypave të asbest-çimentos.
  • Studimet e ndryshme kanë konfirmuar që marrja e asbestit përmes inhalimit (organeve të frymëmarrjes) mund të shkaktojë kancer të mushkërive. Rrjedhimisht, problemi sa i përket përdorimit të gypave të asbest-çimentos për sistemet e furnizimit me ujë është për personat të cilët i ekspozohen pluhurit të asbestit gjatë punës me këta gypa, për shkak të rrezikut të inhalimit të këtij pluhuri. Ky fakt imponon domosdoshmërinë që Kompanitë Publike të Ujësjellësit të ndërmarrin masat e duhura mbrojtëse për mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve të cilët i ekspozohen rrezikut nga pluhuri i asbestit.
  • Nga sa u tha më lart, nuk ka asnjë arsye që publiku të shqetësohet për rrezikun e ujit të cilin e konsumojnë nga sistemet publike të ujësjellësit,qoftë nga gypat e asbest-çimentos apo nga materialet tjera. Cilësia e këtij uji mbikëqyret rregullisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në pajtim të plotë me standardet dhe metodat e aplikueshme në vendet e Bashkimit Europian.



Aksidentet fatale në komunikacion dhe masat e parandalimit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike të aksidenteve në trafik.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës në periudhën janar-qershor të këtij viti 60 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe 5629 persona janë lënduar lehtë e rëndë.

Instituti Kombëtar shpreh shqetësimin lidhur me numrin e madh të aksidenteve në trafik, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen qinda persona që paraqesin shifra alarmante dhe shumë shqetësues fakti se shumica e viktimave janë këmbësorë.

Shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës përdorimi i shpeshtë i telefonave mobil, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë, trajnimi joserioz gjatë dhënies së provimit për shofer, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike, ku infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes.

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor e sidomos është brengosës fakti se ndër viktima ka të përfshirë fëmijë.

Te autorët e aksidenteve vërehet mungesë e edukatës qytetare për rregullat e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve, mosdhënien e përparësive në komunikacion në mes tjerash si persona egocentrik, të prirur të perceptojnë se bota sillet vetëm rreth tyre, vështirë të shohin rrethin dhe të akseptojnë të tjerët, ku veten e perceptojnë në piedestalin e kontrollit absolut ndaj të tjerëve.

Instituti Kombëtar jep këto

REKOMANDIME

  • Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.
  • Zbatimi me rigorozitet i Ligjit per komunikacionin deri ne ndalesen e vozijes pë shkelje të rënda të përsëritura.
  • Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijësohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.
  • Angazhimi i mas-mediave në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve.
  • Me fillimin e vitit të ri shkollor të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo – arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit.
  • Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve.
  • Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese me vlerësim rigoroz të shëndetit mendor.
  • Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve dhe të kompletohet sinjalizimi.
  • Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare.
  • Inspektimi rigoroz i autoshkollave dhe kritereve për marrjen e patent shoferëve.
  • Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.

Instituti Kombëtar rekomandon zbatimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor që nuk ka si qëllim në vetvete dënimin e shtetasve që kryejnë kundravajtje, por uljen në maksimum të aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së jetës së shtetasve që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Duhet të kuptohet nga të gjithë se jeta është më e shtrenjtë nga një shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor.

Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se poqëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme.

Andaj bëjmë apel te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve sepse automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme.




IKSHP: SI TË MBROHENI NGA TEMPERATURAT E LARTA

 

Temperaturat e larta që mbretërojnë në sezonin e verës ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidmos te të moshuarit. Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtt që çon në dehidratim të organizmit përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale.

Masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike janë:

  1. Personat e moshuar asesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;
  2. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta;
  3. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; poashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale;
  4. Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial;
  5. Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familijar ose në qendrën më të afërt emergjente;
  6. Anëtarët e familjes, miqtë, fqinjtë dhe anëtarët e OJQ-ve të cilët kujdesen për të moshuarit gjatë muajve të nxehtë të verës duhet doemos më shpesh të kontaktojnë me të moshuarit, e në raste të paaftësive funksionale edhe disa herë gjatë ditës;
  7. Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar;
  8. Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt;
  9. Është i domosdoshëm aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit, sidomos ecja e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, qëndrimi sa më i gjatë në natyrë (park, shëtitore etj).
  10. Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumëorëshe të hapësirave ku qëndron i moshuari.