Sivjet pritet funksionalizimi i ndërtesës së IRSHP

Sivjet pritet funksionalizimi i ndërtesës së IRSHP
Kryetari i Komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, priti sot Drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Prof.Dr.Naser Ramadani me bashkëpunëtor dhe zyrtarë të Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike të Ferizajt, për të bashkëbiseduar lidhur me fazën e punimeve për funksionalizimin e ndërtesës së re të IRSHP.
Të dyja palët u shprehën të kënaqura me punën e bërë deri tani dhe për faktin se me finalizimin e ndërtesës së IRSHP, do të zgjidhet problemi i hapësirës për këtë institucion shëndetësor për disa dekada.
Me këtë rast u tha se pritet që ndërtesa të jetë gati deri në fund të këtij viti.



Drejtori I Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës vizitoi ministrine e FSK-së

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), dr. Shkëlzen Sylaj dhe drejtori i Departamentit Mjekësor të Ministrisë, kolonel dr. Xhevdet Tahiraj pritën në takim në MFSK drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), prof. dr. Naser Ramadanin të shoqëruar nga bashkëpunëtorët: prof. dr. Naim Jerliu, prof dr. Sefedin Muqaj dhe zotëri Azem Geci, drejtor i Administratës.

Në takimin e përbashkët të sekretarit Sylaj dhe drejtorit të IKSHPK Ramadani u bisedua për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit dhe konkretizimin e aktiviteteve në të ardhmen, sipas  marrëveshjes zyrtare të bashkëpunimit ndërmjet MFSK-së dhe IKSHPK-së.

Delegacioni i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në krye me  prof. dr. Naser Ramadanin i shoqëruar edhe nga drejtori i Departamentit të Mjekësisë në MFSK, kolonel dr. Xhevdet Tahiraj vazhduan  vizitën në Kompaninë e Mjekësisë të Komandës së Forcave Tokësore(KFT) të FSK-së, ku u njoftuan me kushtet e punës, kapacitetet e kompanisë si dhe me stafin mjekësor.

Gjithashtu, delegacionin e IKSHPK-së e priti edhe zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, i cili bashkë me pjesëtarët e delegacionit shkëmbyen ide për mundësitë e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, sidomos në disa aktivitete të FSK-së për realizimin e të cilave vlerësohet si e nevojshme  mbështetja e IKSHPK-së.




Ambasadorit William Walker, iu nda mirënjohje për kontribut në shëndetësinë publike të Kosovës nga IKSHPK

Sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, mikut të madh të shqiptarëve, ambasadorit William Walker iu nda mirënjohje për kontribut në shëndetësinë publike të Kosovës.

Mirënjohja iu nda nga Drejtori i IKSHPK, Prof. Dr Naser Ramadani, i cili me këtë rast tha se institucioni më i lartë i shëndetësisë Publike në Kosovë, ka vendosur të nderojë ambasadorin William Walker me një mirënjohje të lartë për kontributin e dhënë në shëndetësinë Publike të Kosovës dhe për ndihmesën e madhe që i ka bërë këtij populli në mbrojtjen e shëndetit publik.

IKSHPK u zotua se do të vazhdojë bashkëpunimin në lëminë e Shëndetësisë Publike me Institucionet simotra në SHBA dhe Europë.

Ambasadori William Walker, tha se ndjehet i nderuar për këtë mirënjohje. “E keni besën e Walkerit që do të bëjë çdo gjë për Kosovën”, u shpreh ambasadori Walker.Ambasadori Walker njihet si një mik i madh i popullit të Kosovës për kontributin e tij dhënë këtij të fundit gjatë luftës së Kosovës.




Qeveria forcon masat për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit

Prishtinë, 16 dhjetor 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar sot nga organet mbikëqyrëse dhe zbatuese të Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe kryetarëvë të komunave të Kosovës që të intensifikojnë aktivitetet me qëllim të zbatimit më të mirë të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.
Në një takim të mbajtur sot enkas për këtë ligj në Qeverinë e Kosovës, shefi i ekzekutivit të vendit tha se zbatimi i mirëfilltë i këtij ligji do të ndikojë dukshëm në parandalimin e vdekjeve të parakohshme, invaliditetit dhe humbjeve të tjera nga pasojat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të duhanit.

Duke rikujtuar se ligji i miratuar më 4 prill të vitit 2013 me 72 vota për në Kuvendin e Kosovës, gjatë vitit të parë të tij kishte një zbatim të mirë, duke e bërë Kosovën model të zbatimit të suksesshëm jo vetëm në rajon, ai tha se tre vjet e gjysmë pas suksesit që pati ka një rënie të zbatimit të këtij ligji, me ulje të nivelit të disiplinës në zbatimin e tij nga organet mbikëqyrëse dhe zbatuese të tij.
Për këtë arsye, ai në takimin e sotëm kërkoi veprime konkrete për zbatimin e ligjit.
Ai tha se gjatë mandatit të kësaj Qeverie, ekzekutivi ka bërë një ngritje graduale të akcizës në duhan, duke filluar nga 32 euro për kilogram në 41 euro, pasi që kjo konsiderohet si masë efektive për uljen e duhan-pirjes.
Kryeministri, përmendi edhe ndryshimet pozitive që ka sjellë ligji që kanë të bëjnë me krijimin e mjediseve 100% të lira nga duhan-pirja; konsumimin më pak në familjet kosovare sidomos brenda dhe në prani të fëmijëve; rritjen e njohurive të qytetarëve për ligjin uljen e konsumit dhe ekspozimit ndaj duhan-pirjes në mesin e të rinjve. Duke iu referuar edhe Raportit të Progresit ai tha se aty qartë theksohet kërkesa që të fuqizohet zbatimi i këtij ligji.

Në këtë aspekt, përmendi një sërë masash që do të ndërmerren si hartimi i Programit Kosovar për Kontroll të Duhanit, përmbylljen e legjislacionit sekondar; vazhdimin e aksioneve inspektuese dhe koordinimin midis institucioneve; ndërgjegjësimin e vazhduar të publikut dhe ngritjen e kapaciteteve, masa këto që do të mundësojnë që Kosova të jetë sërish storie suksesi sa i përket Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, pasi ka numëruar një varg faktorësh që kanë dëmtuar përpjekjet për një zbatim më të mirë të ligjit, tha se pavarësisht sfidave, ligji ka prodhuar rezultate pozitive, të cilat nuk duhet të ngelin në këtë nivel, por të punohet në zbatimin e plotë të ligjit.

“Rezultatet e Hulumtimit Gjithëpërfshirës rreth duhan-pirjes në mesin e të rinjve në Kosovë – GYTS II , i kryer sivjet (2016) nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) nga SHBA, me një metodologji shkencore, tregojnë se krahasuar me hulumtimin e parë të kësaj natyre të kryer më 2004-2005 (GYTS I), konsumimi i duhanit prej 6.7% sa ishte në mesin e të rinjve të moshës 13-15 vjeçe më 2004, më 2016 ka rënë në 4.4%. theksoi Ministri Rrahmani, duke shtuar se hulumtimi tregon gjithashtu se duhan-pirja pasive prej 84% sa ishte në mesin e kësaj kategorie në ambiente të mbyllura më 2004, ka rënë në 43.8% më 2016.

Duke qenë që sektori i shëndetësisë është ai që në fund e paguan faturën e dështimit të secilës hallkë në zbatimin e ligjit, theksoi Ministri, duke shpenzuar miliona euro në trajtimin e të sëmurëve me kancer të mushkërive dhe me sëmundje kardiovsakulare, sëmundje këto të lidhura me duhan-pirjen, MSh është e gatshme që ta mbikëqyr dhe monitorojë zbatimit të këtij ligji në baza ditore përmes Inspektoratit Shëndetësor, por duhet ndihma dhe serioziteti i madh edhe nga inspektoratet e tjera për zbatimin e ligjit dhe përkrahjen nga Qeveria, Kuvendi dhe kryetarët e komunave.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë tha se duhanipirja është njëra nga fatkeqësitë shëndetësore më të mëdha në historinë e njerëzimit. Ai shtoi se për adresimin e pasojave serioze të epidemisë së duhanit në Kosovë, Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe sektorëve tjerë përkatës, ka marrë veprime konkrete duke miratuar ligjin për kontrollin e plotë të duhanit në përputhje me Konventën Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit në maj të vitit 2013.

“Megjithatë, kohën e fundit është vërejtur zbatim i dobët i këtij ligji. Kosova nuk duhet ta humb këtë shans për të mbrojtur shëndetin e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme. Me kalimin e kohës mund të vërehen përfitimet nga zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në Kosovë; Qytetarët do të evitojnë epideminë e duhanit dhe kësisoj do të reduktojnë barrën e sëmundjeve kronike në Kosovë dhe me këtë do shkarkojë barrën e tyre mbi sistemin tonë shëndetësor edhe ashtu dobët të financuar. Zbatimi i plotë dhe efektiv i dispozitave të KKKD OBSH do të zvogëlojë në mënyrë efektive përdorimin e duhanit dhe barrën që bart në vete në Kosovë”, tha ai duke shtuar se kontrolli i duhanit në një shoqëri nuk mund të realizohet me shpejtësi.

“Përkundrazi, është një proces që kërkon kohë, saktësi dhe efektivitet. Si i tillë, e gjithë shoqëria kosovare duke përfshirë, por jo vetëm, institucionet qeveritare, organizatat ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile – duhet të jenë të përgatitura dhe të angazhohen për përpjekjet e tilla.
Një nga mënyrat është që Qeveria e Kosovës të ri-theksoj publikisht përkushtimin e saj për kontrollin e duhanit duke e rivendosur atë si prioritet kombëtar për veprim”, tha dr. Syla.




GYTS Kosovë 2016

Hulumtimit gjithëpërfshirës për duhan-pirjen në mesin e të rinjve në Kosovë GYTS II (2016)

Më poshtë mund të i shkarkoni materialet në gjuhën shqipe dhe angleze

Lista e fakteve GYTS Kosovo 2016 : objektivat_e_gyts_final

Fact sheet GYTS Kosovo 2016 : kosovo_gyts_2016_factsheet_ages____13-15_final

 




Bie përdorimi i duhanit në mesin e nxënësve në Kosovë

Rezultatet e Hulumtimit Gjithëpërfshirës rreth duhan-pirjes në mesin e të rinjve në Kosovë – GYTS II , i kryer sivjet (2016) nga IKSHP dhe mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) nga SHBA, tregojnë se krahasuar me hulumtimin e parë të kësaj natyre të kryer më 2004 (GYTS I), konsumimi i duhanit prej 6.7% sa ishte në mesin e të rinjve të moshës 13-15 vjeçe më 2004, më 2016 ka rënë në 4.4%. Gjithashtu, duhan-pirja pasive prej 84% sa ishte në ambiente të mbyllura më 2004, ka rënë në 43.8% më 2016, derisa 94.3% e nxënësve favorizojnë ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura publike.

Prishtinë, 20 dhjetor 2016

Konsumimi i duhanit në mesin e të rinjve të moshës 13-15 vjeaçare ka rënë nga 6.7% sa ishte në mesin e të rinjve të moshës 13-15 vjeçe më 2004, në 4.4%, në 2016, derisa duhan-pirja pasive prej 84% sa ishte në mesin e kësaj kategorie në ambiente të mbyllura më 2004, ka rënë në 43.8% më 2016.

Ndërkohë, 94.3% e nxënësve të kësaj grup moshe favorizojnë ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura publike.

Kështu u bë e ditur sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike ku u bë prezantimi i rezultateve të Hulumtimit Gjithpërfshirës lidhur me duhanpirjen në mesin e të rinjve (GYTS II), i kryer nga IKSHP, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrës për Kontroll të Sëmundjeve (SDC) me seli në Atlanta të SHBA-së.

GYTS është një standard global për monitorimin sistematik për përdorimin e duhanit tek të rinjtë dhe për të përcjellë treguesit kryesor të kontrollit të duhanit.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, tha se megjithë rezultatet pozitive, shifra prej 8.8% e nxënësve që kanë përdorur produkte të duhanit në kohën e anketimit, tregon për një dimension dhe hapësirë ku duhet të intervenohet, sepse, Ligji për Kontrollin e Duhanit, synon para së gjithash që të mbrojë të gjitha gjeneratat, por në veçanti gjeneratat e reja, nga pasojat shkatërruese të duhan-pirjes.

“Për këtë qëllim, javën që shkoi, diskutimet për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe uljen e prevalencës së duhanpirjes i kemi ngritur në nivelin më të lartë të Qeverisë së vendit, duke kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejt nga të gjitha autoritetet zbatuese, qendrore dhe lokale, që të përmbushin obligimet për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Dhe, me që për fokus hulumtimi dhe diskutimi i sotëm ka të rinjtë, Ministria e Shëndetësisë bashkë me ministritë e tjera, sektorin jo-qveritar dhe Zyrën e OBSH-së në Kosovë, ka krijuar Kornizën e Programit Kosovar për Kontrollin e Duhanit, me qëllim që problemin e duhanpirjes ta adresojmë edhe prej dimesnionit të ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe edukimit shëndetësor, si një nga hallkat e rendësishme në uljen e prevalencës, krahas aktiviteteve të tjera inspektuese, monitoruese dhe masave ndëshkuese që i parasheh ligji. Ky program, do të jetë gati në pjesën e parë të vitit 2017”, tha Ministri Rrahmani.

Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se duhani është një faktor i riskut të lartë sidomos për shkaktimin e sëmundjeve të kancerit të mushkërive, sëmundjeve të tjera të traktit respirator dhe sistemit kardiovaskular. Për këtë qëllim, GYTS II, theksoi ai, është një instrument i mirë për të bërë matjen e prevalencës së duhan-pirjes në mesin e të rinjve dhe për të ndërmarrë masa për fuqizimin e kontrollit të duhanit.

Shefi i OBSH-së në Kosovë, dr. Skënder Syla, duke nënvizuar rezultatet e hulumtimit që në shumicën e të gjeturave janë inkurajuese, tha se Ligji për Kontrollin e Duhanit në Kosovë duhet të zbatohet pa asnjë alternativë, si mjeti më i mirë për uljen e prevalencës së duhan-pirjes.

“E kemi thënë në fillim kur ligji ka hyrë në fuqi që ky nuk do të jetë një sprint, por një maratonë, ndërsa ne jemi në kilometrin e katërt të saj…”, tha ai.

Rezultatet e GYTS II, që është realizuar me 5031 nxënës të klasëve 7, 8 dhe 9, i kryer në shkallë vendi, i ka prezantuar profesoresha Merita Berisha (IKSHP), duke shpalosur faktet rreth përdorimit të duhanit, sistemet e shpërndarjes nikotinë elektronike, duhan-pirjes pasive, qasjes dhe disponueshmërisë, mediave dhe duhanit dhe njohurive të përgjithshme dhe qëndrimeve rreth duhanit.

Rezultatet e GYTS II janë krahasuar me ato të GYTS I, që në Kosovë është realizuar për herë të parë në vitin 2004.

Në diskutimet e zhvilluara u theksua se përgjysmimi i nivelit të ekspozimit në duhan-pirje pasive dhe rritja e shkallës së njohurive rreth duhan-pirjes, ku 94. 3%të nxënësve favorizojnë ndalimin e duhanit brenda vendeve të mbylluar publike , janë rezultate inkurajuese që duhet të përcillen me masa fuqizuese, në mënyrë që duhan-pirja të bie edhe më tej në Kosovë, që është edhe një nga synimet e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.




Kryetari Veseli dhe drejtori Ramadani diskutojnë për mundësitë e evitimit të ndotjes së ajrit në Prishtinë

E Marte, 13.12.2016

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, me të cilin diskutoi për nivelin e cilësisë së ajrit në Prishtinë dhe për masat që duhet ndërmerren për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

Kryetari Veseli tha se ky takim vjen në kuadër të përpjekjeve të tij për sensibilizimin e kësaj gjendjeje dhe nevojës për rritjen e angazhimeve për evitimin e saj, duke shmangur kështu ndonjë pasojë të mundshme.

Veseli tha se duhet ndërmarrë të gjitha masat, duke eliminuar shkaktarët e kësaj gjendjeje, e cila po e vështirëson jetesën e qytetarëve, veçanërisht të atyre që jetojnë në vise urbane.

“Cilësia e ajrit është çështje emergjente për jetën e qytetarit. Kuvendi do të ndërmarrë çdo iniciativë, e cila vlerësohet se do të kontribuojë në këtë drejtim. Shumë shpejt Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor do të dalë me një plan të veprimit për cilësinë e ajrit”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Kryeparlamentari Veseli e konsideroi imediate nevojën e evitimit të përdorimit të makinave të vjetra në ambiente urbane, si dhe të zvogëlimit të lirimit të dyoksidit të karbonit nga ngrohja. Ai tha se kjo e bën edhe imperativ nevojën e shtrirjes së ngrohjes së qytetit në të gjithë territorin e kryeqendrës.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha se institucioni që ai drejton po e përcjell me vëmendje situatën dhe të gjitha problemet që mund të shfaqen në shëndetësinë publike. Ai tha se prej 23 tetorit të këtij viti, qyteti i Prishtinës është zhytur në një ndotje, e cila, sipas matjeve, paraqitet në vlera jashtë normales.

Ndër masat e paraqitura për evitimin e saj, drejtori Ramadani përmendi hartimin e planit të aksionit për përmirësimin e cilësisë së ajrit, heqjen nga përdorimi të veturave të vjetra, si dhe zvogëlimin e lëndëve djegëse nga qytetarët. Ai kërkoi nga qytetarët që gjatë kësaj kohe të evitojnë ecjet nëpër ambientet e hapura të qytetit të Prishtinës.




IKSHPK në vazhdimësi hulumton ndikimin e faktorëve mjedisor në shëndetin e popullatës

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike si Institucioni më i lartë shëndetësor, shkencor dhe profesional në vazhdimësi hulumton ndikimin e faktorëve mjedisor në shëndetin e popullatës, propozon dhe merr vendime profesionale dhe u rekomandon institucioneve kompetente eleminimin e mangësive të zbuluara dhe ndikimin e tyre të dëmshëm në shëndet.

Njëherazi jemi të obliguar të informojmë popullatën me shkaqet e ndotjes së ajrit i cili mund të kërcënon shëndetin.

Kohëve të fundit që nga data 23.10.2016, qyteti i Prishtinës është zhytur në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole, i cili vërehet gjithandej.

Sipas të dhënave të Ambasadës Amerikane vlerat e PM2.5 janë disa herë jashtë normales. Mesatarja ditore gjatë ketyre ditëve ishte 80-90 μg/m3, kurse tashme AKMM del me të dhënat se matjet e bëra nga IHMK kanë shënuar rritje të këtyre vlerave deri në 201 μg/m3.

Bazuar në matjet e realizuara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, dhe nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë se ajrit nga stacionet matëse në Prishtinë, edhe gjatë dy ditëve të fundit, janë regjistruar tejkalime të vlerave kufitare ditore me PM10. Vlera ditore maksimale e regjistruar për datën 08.12.2016, ishte 46.8µg/m3.

Përqëndrime të larta janë regjistruar edhe me ndotësin PM 2.5, për të cilin në stacionet e Prishtinës po të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë, është regjistruar vlera maksimale prej 41.4 µg/m3, që korrespondon me vlerën 116 të Indeksit të Cilësisë së Ajrit (AQI), ose me zonën e portokalltë, që është e ndjeshme për personat me ndjeshmëri të lartë ndaj kësaj ndotje.

Sipas të dhënave në kohë reale të cilësisë së ajrit në qendra të ndryshme të rajonit, tejkalime të Indeksit të Cilësisë së Ajrit (AQI) për parametrin PM 2.5, për këtë periudhë kohore janë regjistruar pothuajse në të gjitha qendrat e rajonit të Ballkanit si në Shkup me 162, Nish me 174, Beograd me 180 dhe Sarajevë me 136

Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyera, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit.

Si burime potencialisht ndotëse tashmë të njohura janë termocentralet elektrike, përdorimi i ngrohjes në sezonën e dimrit, automjetet e vjetëruara dhe trafiku i dendur, djegja e shtuar e karburanteve dhe lëndëve të ngurta djegëse, djegja e mbeturinave, përdorimi i pesticideve, mungesa e sipërfaqeve të mjaftueshme gjelbëruese, mos pastrimi i rrugëve, ndërtimet gjatë tërë vitit pa plan të mirëfillt urbanistik, prania enorme e pluhurit në qytet.

Këtë situatë shqetësuese do ta rëndojnë edhe më shumë ditët e ftohëta që do të vijnë dhe rënjet e temperaturave që do ta vështirësonte edhe më shumë ndotjen e ajrit si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jokualitative që po përdorin qytetarët.

Duke analizuar situtën aktuale Instituti Kombëtar, propozon këto

A. Masa strategjike

1.Urgjentisht të përpilohet një plan aksioni për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet dhe të aprovohet me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.

2. Adoptimi dhe transpozimi i legjislacionit te ajrit në përputhje me direktivat e EU dhe standardeve të OBSH.

3. Implementimi i programeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta për fushën e aerondotjes.

B. Masa specifike:

4. Urgjentisht të hiqen nga përdorimi veturat e vjetra dhe veturat pa katalizator.

5. Inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët.

6. Shtimi i numrit të autobusëve me karburante ekologjike në transport publik.

7. Shtimi i sipërfaqeve gjelbruese në zona urbane.

8. Matja e kontaminimit në pikat kyqe në Kosovë dhe paraqitje ditore e rezultateve online.

C.Masa individuale (rekomandime shëndetësore për popullatën)

1. Të redukohen daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat;

2. Qëndroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për aerosjen e dhomave.

3. Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall.

4. Të redukohet pirjen e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht ndalimi i duhanpirjes brenda hapsirave të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.

5. Grupet e popullatës së rrezikuar të tilla si me sëmundje kronike pulmonare, zemrës, pacientët astmatik dhe të prirur për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna rekomandohet që të kalojnë më shumë kohë në mjedise me nivele të ulëta të ndotësve, të tilla si malet dhe vendpushime të shëndetshme.

Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se poqese nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.




IKSHPK dhe Asociacioni Profesional Shëndetësor organizuan seminar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Asociacioni Profesional Shëndetësor organizuan seminar një ditor në Prevall me titull Uji, Ajri, Ushqimi, ku në këtë seminarë pjesmarrës ishin 210 profesionistë shëndetësor.

Seminari është akredituar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ka për qëllim ngritjen e cilësisë së profesionistëve shëndetësor në lëminë e shëndetësisë publike.




Me moton “Duart Lart Parandalo HIV” shënohet Dita Botërore e AIDS-it

Prishtinë, 01 dhjetor 2016

Zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku, sot ka marrë pjesë në konferencën e organizuar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), me qëllim të shënimit të Ditës Botërore të AIDS.

Zëvendësministri Sadiku tha se në këtë ditë në mbarë botën shënohet Dita Botërore e AIDS, ku për qëllim ka paraqitjen e gjendjes aktuale dhe të arriturat në luftën kundër HIV-AIDS.

Ai tha se me veprimet e MSH-së në bashkëpunim me institucionet relevante dhe organizatat ndërkombëtare, kanë bërë të mundshme uljen e prevalencës në nivel vendi për HIV-AIDS, sidomos në pesë vitet e fundit.

“Ministria e Shëndetësisë në kuadër të veprimtarive të saja për luftimin e HIV-AIDS, ka punuar edhe strategjinë për HIV-AIDS, mbulon me barna antiretrovirale falas për të gjitha nevojat në nivel vendi për të prekurit me HIV, si dhe ka paraparë që në të ardhmen që të sigurojë edhe terapinë pediatrike”, tha Zëvendësministri Sadiku.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se Instituti Kombëtar është institucioni më i lartë shëndetësor, profesional dhe shkencor i Kosovës në shëndetësinë publike, deh se IKSHPK përcjell në vazhdimësi situatën epidemiologjike me HIV/AIDS dhe merret me parandalimin e HIV it.

“Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, nën 1% në popullatën e përgjithshme dhe nën 5% te grupet me rrezik të lartë”, tha dr. Ramadani

Ai më tutje ka paraqitur disa statistika lidhur me AIDS-in në Kosovë “deri sot në IKSHPK në janë raportuar gjithsej 110 raste me HIV dhe AIDS, prej tyre 67raste janë me AIDS dhe 43 me HIV infeksion; 44vdekje janë regjistruar si pasojë e AIDS-it, derisa, në vitin 2016 kemi 10 raste me HIV, 1 rast i vdekjes AIDS” tha dr. Ramadani.

Shefi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, Skender Syla tha se “kjo ditë paraqet mundësinë për të përhapur porosi dhe informacione për gjendjen e pandemisë së HIV/AIDS-it, dhe për të nënvizuar përparimin e bërë në parandalim, trajtim dhe kujdes anekënd botës”.

Ai tha se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme HIV-i mbetet brengë serioze e shëndetit publik në Rajonin Evropian të OBSh-së, veçanërisht në pjesën lindore të rajonit. Viti 2015 ka shënuar numrin më të madh të rasteve të raportuara brenda një viti.

“Për të adresuar këtë situatë kritike, OBSH-ja së bashku me shtetet anëtare të rajonit Evropian ka formuluar Planin e Veprimit i cili është aprovuar në shtator të vitit 2016 dhe OBSh u bënë thirrje liderëve të shteteve, që ta përdorin këtë plan për përgjigje urgjente, të përshpejtuar dhe inovative ndaj HIV-it në rajonin Evropian, për ta frenuar epideminë e AIDS-it menjëherë dhe për t’i dhënë fund deri në vitin 2030” tha dr. Syla.

Nga dr. Luljeta Gashi IKSPK dhe dr. Murat Mehmeti Klinika Infektive QKUK, është prezantuar situata aktuale epidemiologjike në Kosovë respektivisht trajtimi i HIV-AIDS.

Nga të gjithë panelistët e konferencës është bërë thirrje që në të ardhmen të angazhohemi të gjithë së bashku nga individët në komunitet, nga të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë pavarësisht orientimit të tyre seksual, nga mësimdhënësit në institucione edukative, nga profesionistët shëndetësor, nga shkencëtarët në institucione hulumtuese, e deri te liderët e shteteve për të arritur synimin e përbashkët;dhënien fund të HIV/AIDS-it.