Testime me PCR kryhen edhe në Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike në Gjilan

Testime me PCR kryhen edhe në Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike në Gjilan

image_pdfimage_print

Prishtinë, 25 janar 2021

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj bashkë më drejtorin e IKSHPK-së Naser Ramadani, kryesuesin e Bordit të SHSKUK-së dr. Xhevat Jakupi dhe kryetarin e komunës Lutfi Hazir, morëm pjesë në lëshimin në përdorim të pajisjeve PCR në Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike (QRSHP) IKShP në Gjilan.

“Nga sot, testet PCR mund të kryhen edhe në Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike në Gjilan dhe kështu vijon decentralizimi dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore duke i ofruar edhe më pranë qytetarëve”, tha Ministri Zemaj.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i ka zgjeruar kapacitetet e veta testuese, duke pajisur me aparate për teste PCR, përveç Gjilanit edhe pesë qendrat e tjera rajonale të Shëndetësisë Publike që janë degë të IKShPK-së. Kështu, mbulohen të gjitha rajonet me këtë shërbim të nevojshëm në këtë kohë të pandemisë COVID-19.

Pajisja për teste PCR, tashmë është vënë në funksion dhe qytetarët e këtij rajoni, mund t’i kryejnë testet pa pasur nevojë të udhëtojnë në qendrat tjera për teste, derisa projekti për sigurimin e aparaturave PCR, bashkë me material shpenzuese për qendrat rajonale, ka kushtuar 1.752.210 euro dhe është siguruar përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (huamarrja nga banka Botërore).

Po sot, Ministri Zemaj vizitoi edhe Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, ku u informua për funksionimin e rezervuarit të oksigjenit të siguruar e vendosur kohë më parë.

Qytetarët e hospitalizuar që kanë nevojë për oksigjen në këtë spital, kanë sasi të mjaftueshme si dhe furnizim të rregullt, në pajtim me protokollet e trajtimit.

“Krijimi i kushteve për profesionistët shëndetësorë, si mision yni parësor, çdo ditë e më shumë po realizohet, duke ua lehtësuar punën atyre por edhe besueshmërisë së qytetarëve ndaj përkujdesjes publike shëndetësore”, tha ministri Zemaj.

Më herët, po ashtu, spitali në Prizren dhe spitali në Gjakovë janë bërë me rezervuar të oksigjenit, procedurat po vazhdojnë në Pejë dhe në spitalet tjera të përgjithshme.

print