NË KOSOVË NUK KA KORONAVIRUS!

Komunikatë për
media 

Nga data 08.02.2020 deri me 12.03.2020, në Laboratorin e
Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 93
mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike
të Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme me 12 mars 2020, ka marrë informatë
nga Klinika Infektive e QKUK-së për njëmbëdhjetë raste të dyshimta në COVID-19.

Pacientët u kontrolluan nga ekipi i
infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe u morrën mostra për testim
laboratorik në virusin SARS-CoV-2.

Me datë 12.03.2020, në Laboratorin e
Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar njëmbëdhjetë pacientë në
virusin SARS-CoV-2 dhe kanë rezultuar negativ, domethënë pacientët nuk janë të
infektuar me virusin SARS-CoV-2.

Nga data 01.02.2020 deri me 12.03.2020 në Aeroportin
ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej
5.045 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 475 udhëtarë, Merdare 2.488, Vërmicë
1.456, Jarinje 374, Dheu i Bardhë 80, Hani i Elezit 77, Kullë 55, Qafë Morinë 30,
 Bërnjak 7, Qafë Prush 2 dhe Glloboçicë 1
udhëtarë.

Me datë 12.03.2020, në aeroportin
ndërkombëtar “Adem Jashari” ekipet mjekësore të Aeroportit bashkë me QKMF- Fushë
Kosovë dhe të mbështetur nga ekipi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë
Publike të Kosovës kanë kontrolluar të gjithë udhëtarët sipas protokolleve të OBSH-së
dhe ECDC-së dhe te asnjeri nuk janë gjetur shenja klinike të sëmundjes.Të
gjithë udhëtarëve u janë dhënë materialet edukative informuese lidhur me
COVID-19.    

Aktivitetet në lidhje me monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19

Duke pasur parasysh situatën
epidemiologiike me COVID-19 ditët e fundit, vlerësimin e rrezikshmërisë së OBSH (1 mars 2020) ME RISK SHUMË TË LARTË
NË TËRË BOTËN, ECDC
(2 mars 2020) që e vlerëson si RISK I LARTË

dhe me (11 mars 2020) shpallje
e OBSH si pandemi,  Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse
duke pasur parasysh situatën epidemiologjike në botë, Evropë
dhe në vendet fqinje, ka nxjerrë rekomandimet për Ministrinë e Shëndetësisë  dhe të miratuara nga qeveria me datë 11 mars
2020, me qëllim të parandalimit të shfaqjes së rasteve të sëmundjes COVID-19
siç vijon:

  1. Theksuar se situata
    epidemiologjike dinamike në vendet epidemike kërkon shqyrtim të rekomandimeve
    për shmangie eventuale të përhapjes së rasteve me linja ajrore të udhëtimit ose
    mjeteve tjera të komunikacionit.
  2. Konstatuar se janë përforcuar masat
    për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19 që
    konsistojnë në: 

  • Vazhdimin e zbatimit të parimeve themelore nacionale të reagimit në sistemin e mbikëqyrjes së rasteve.
  • Depistimin dhe detektimin e rasteve të dyshimta, si dhe përcjelljen e dinamikës së sëmundjes; 
  • Konfirmimin laboratorik të rasteve të raportuara; 
  • Aktivizimin e ekipeve për hulumtim të epidemisë; 

Ekipet e IKSHPK dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare janë dyfishuar dhe po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Coronavirus  në pikat hyrëse tokësore dhe aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.

3. Aktivitetet e rekomanduara nga Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse kanë vazhduar me masat për parandalimin e virusit në institucionet arsimore të Kosovës që konsistojnë në:

  • Shpërndarjen e materialeve të edukimit dhe promovimit shëndetësor, posterëve dhe lifleteve.

  • Organizimin e ligjëratave përkushtuar njohurive për Coronavirusin COVID- 19, të organizuara nga arsimtarët dhe profesorët me përkrahje të specialistëve të shëndetësisë publike të IKSHPK.

  • Ndërmarrjen e hapave sipas rekomandimeve të IKSHPK që në të gjitha institucionet shkollore të bëhet dezinfektimi i shtuar i të gjitha sipërfaqeve dhe nyjeve sanitare.

4. Është ngritur shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK, Qendrës së Situatave, Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave, SHSKUK, AUV, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK, MASHT.

5. IKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur rekomandimet: 

  • Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!
  • Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!
  • Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!
  • Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
  • Lani duart porsa hyni në shtëpi!
  • Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!
  • Lani duart pas përdorimit të tualetit!
  • Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
  • Evitoni përdorimin e tualeteve publike!
  • Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!
  • Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!
  • Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!
  • Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!
  • Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
  • Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
  • Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska!
  • Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara! 
  • Personat të cilët kanë histori udhëtimi në zonat të cilat raportojnë për përhapje lokale të COVID-19 brenda 2 javëve të fundit, kanë kontakt të afërt me personat e konfirmuar ose të mundshëm me COVID-19, dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!
  • Nëse personi nuk ka kontakt të afërt me të sëmurin por vetëm është kontakt potencial për atë se ka qëndruar në vendet ku ka raste me COVID-19, personit të tillë i rekomandohet izolimi vetë-shtëpiak edhe në prani të anëtarëve tjerë të familjes.

  • Kontaktet
    këshillohen për monitorim të shëndetit për 14 ditë pas datës së fundit të
    ekspozimit dhe të kërkojnë kujdes të menjëhershëm shëndetësor nëse shfaqin
    ndonjë simptomë, veçanërisht ethe, temperaturë, simptoma të frymëmarrjes, siç
    janë kollitja ose vështirësi në frymëmarrje ose diarreja.
  • Kontaktet
    duhet të konsiderojnë ushtrimin e vetë-izolimit për 14 ditë në shtëpi
  • Është
    me rëndësi që ky person nuk duhet të shkojë në punë, shkollë, kino dhe
    ambientet publike ku ka grumbullim të 
    shumë personave

Rregulla e parë e izolimit në shtëpi është:

  • Personat
    e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes.

  • shfrytëzohen peceta, të dezinfektohen sipërfaqet dhe gjësendet,  sa më shpesh të lahen rrobat, mbajtja e
    higjienës së duarve është esenciale dhe të shmanget prekja e hundës, gojës dhe
    syve.
  • Gjatë
    kollitjes dhe teshtitjes të përdoret peceta dhe ato të hudhen në vende të
    sigurta.
  • Nëse
    ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo
    personale.
  • Mos
    pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi.
  • Nëse
    keni kafshë shtëpiake largoni ato ose pas çdo kontakti me to lani duart me ujë
    dhe sapun.
  • Monitoroni
    simptomet e juaja.
  • Thirrni
    mjekun tuaj para vizitës në kujdesin shëndetësor.
  • Menaxhoni
    në mënyrën e duhur mbeturinat.
  • Brenda mjediseve të institucioneve
    të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të
    infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës!
  • IKSHPK rekomandon të gjithë që të
    mos udhëtojnë drejt zonave/ shteteve me Koronavirus, nëse nuk e kanë të
    domosdoshme!

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019
deri më 12 mars 2020 sipas ECDC, janë raportuar gjithsej 125.518 raste të COVID-19
me 4.617 raste të vdekjes, përderisa në BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë
raportuar gjithsej 22.105 raste të COVID-19 me 943 raste të vdekjes: Itali (827),
Francë (48), Spanjë (47), Mbretëri të Bashkuar (6), Holandë (5), Belgjikë (3),
Gjermani (2), Greqi (1), Irlandë (1) dhe Suedi (1) .

Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të
situatës epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë
ndryshime. Qytetarët do të jenë të informuar në kohë reale për çdo ndryshim
eventual të tillë.