Në IKSHPK u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar

Në IKSHPK u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar

image_pdfimage_print

Prishtinë, 01 tetor 2018

 

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, u tha se kjo ditë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimin për çështjet që prekin të moshuarit, vlerësimin e kontributit të të moshuarve në shoqërinë tone, si dhe për të dëshmuar respektin ndaj tyre.

“Në kuadër të angazhimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nëpërmjet Qendrës mbi Moshimin për promovimin e shëndetit dhe të mirëqenies së popullatës së moshuar, ne sot në mënyrë simbolike po e bëjmë edhe prezentimin e broshurës “Moshimi dhe Shëndeti”, që konsiderojmë të jetë e dobishme për shfrytëzim nga politikbërësit, profesionistët shëndetësor, punëtorët social, aktivistët e shoqërisë civile, si dhe nga vetë të moshuarit në suaza të përpjekjeve për të ngritur nivelin e vetëdijes dhe shprehive për të pasur një jetë sa më të shëndetshme”, tha drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar, Prof. Naser Ramadani.

Mes të tjerash, ai njoftoi se nëpërmjet Institutit Kombëtar ka filluar shpërndarja e vaksinave kundër gripit sezonal, në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare-njësitë e vaksinimit, dhe në të gjitha komunat e Kosovës, ku u bëri thirrje grupeve më të rrezikuara siç janë të sëmurët kronikë dhe të moshuarit që t’i shfrytëzojnë vaksinat për mbrojtje kundër gripit sezonal.

Zëvendësministër i Shëndetësisë, Dr. Granit Abdullahu tha se Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar duhet të shërbejë për të mundësuar dhe përhapur kontributet e të moshuarve, në familje, komunitete dhe në të gjithë shoqërinë.

“Kujdesi Shëndetësor Parësor efektiv, në nivelin e komunitetit për të moshuarit, është shumë i rëndësishëm, për promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike”, tha mes të tjerash ai.

Sabrije Nimani nga Organizata Joqeveritare e Grave Pensioniste “Vita-Jeta”, tha se kjo shoqatë e cila ka mbi 1000 gra anëtare të saj, ballafaqohet me probleme të mëdha për të mbijetuar me pensionin e ulët,që marrin ato.

Ajo u shpreh se shtimi i pagave që ishte bërë nga qeveria para disa kohësh, nuk i kishte përfshirë pensionet, e sidomos ato më të ulëtat që marrin anëtarët e kësaj kategorie, si dhe theksoi kërkesën e shoqatave, dhe sindikatës të pensionistëve, që në bisedimet me Serbinë të kërkohet të kthehen mjetet financiare të pensioneve të Kosovës të rrëmbyera nga Serbia, në kohën e sundimit të Milosheviqit, me të cilat do të mund të ndihmohej edhe kjo kategori shoqërore.

Hasan Berisha, sekretar i Lidhjes së Pensionistëve tha se pensionistët vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të shumta, së pari pensioni i ulët që ata marrin, medikamentet e shtrejnta, si dhe mungesa e mjeteve financiare për të strehuar personat e moshuar, të cilët nuk kanë familje. Ndërkaq, në beneficionet të cilat i gëzojnë personat e moshuar, përmendi faktin se tashmë sigurimi shëndetësor, vizitat te mjeku, si dhe bileta neper disa linja të autobusëve është falas.

Në këtë shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, nga Prof. Dr Naim Jerliu u bë edhe prezantimi i broshurës “Shëndeti dhe Moshimi”, ndërsa Dr Genc Ymerhalili prezentoi aktivietet e projektit AQH që kanë të bëjnë me kujdesin e integruar dhe të moshuarit.  Gjithashtu,  u ndanë mirënjohje për kontribut në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të moshuarve për aktivistë të dalluar të organizatave që merren me cështjet e të moshuarve dhe pensionistëve.

Ndërsa, në fund, u bë promovimi i vaksinimit sezonal kundër gripit, me ç’rast  u vaksinuan të moshuarit pjesëmarrës.

print