Në IKSHPK u shënua Dita Botërore e Diabetit

Në IKSHPK u shënua Dita Botërore e Diabetit

image_pdfimage_print

Prishtinë, 14 nëntor 2018

 

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës u shënua Dita Botërore e Diabetit, nën moton “Diabeti dhe familja”.

 

Me këtë rast u tha se arsyeja e shënimit të kësaj dite është thirrje për aksion për gjithë ata që me kontributin e tyre do të përkrahin masat e parandalimit dhe kontrollit të diabetit, në Kosovë dhe botë.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani tha se në mbarë botën 425 milionë të rritur jetojnë me diabet dhe ky numër pritet të rritet në 642 milionë. Sa i përket regjistrit populativ për sëmundje kronike jo-ngjitëse, ai tha se kjo ka filluar të stabilizohet në vitin 2017, prandaj nga ky regjistër kanë të dhëna vetëm për vitin 2017.

“Faktorët e rrezikut që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë: trashëgimia, apo personat me histori familjare, moshat mbi 40 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, duhanpirja, tensioni i lartë i gjakut etj“, tha mes tjerash Prof. Ramadani.

Zv.Ministër i Shëndetësisë, Dr. Rrustem Musa, tha se Dita Botërore e Diabetit shërben për të punuar së bashku në ngritjen e vetëdijes publike për diabetin, por edhe në funksion të mobilizimit të të gjithëve në parandalimin dhe ballafaqimin me këtë sëmundje, që sipas tij ka implikime të mëdha shëndetësore, sociale dhe ekonomike, duke marrë parasysh edhe barrën e shpenzimeve për trajtimin, dhe pasojat e tjera që diabeti i shkakton.

“Ministria e Shëndetësisë do të jetë e përkushtuar që të vazhdojë të ofrojë përkrahje, për pacientët e prekur me diabet, dhe gjithashtu për profesionistët që merren me trajtimin e kësaj sëmundjeje, duke fuqizuar kapacitetet ekzistuese dhe duke krijuar kapacitete të reja, me qëllim të parandalimit të sëmundjes së diabetit, që do të kishte impakt të drejtpërdrejtë, në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe mirëqenies së popullatës”, tha ai.

Sa i përket mbulimit dhe trajtimit të diabetikëve me terapi, sipas tij Ministria e Shëndetësisë ka disa vite që ka krijuar Regjistrin e pacientëve insulinë-vartës, që ka rreth 12 000 pacientë, për të cilët sigurohet insulina dhe barnat e tjera anti-diabetike.

Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Dr. Venera Berisha u shpreh se bazuar në punën e përditshme në Klinikën e Endokrinologjisë, por edhe në Qendrat e Mjeksisë Familjare në tërë Republikën e Kosoves, trendi i rritjes së sëmundjes së diabetit tip 2, është shumë i madh.

Lidhur me këtë, ajo tha se kjo formë e diabetit mund të parandalohet në shumicën e rasteve, përmes aktivitetit të rregullt fizik, një diete të shëndetshme dhe promovimit të mjediseve të shëndetshme të jetesës.

“Prej muajit shtator 2018, falë ndërtimit të ndërtesës së re të shërbimeve ambulantore, Klinika Endokrinologjike ofron shërbime në dy ambulanca specialistike, me kapacitet të dyfishuar, në raport me më herët, dhe ofron shërbimin më kualitativ të një numri të pacientëve për 50% më të lartë, se muajt e mëparshëm”, tha Dr. Berisha.

Përfaqësuese e Kujdesit Parësor Shëndetësor, Dr. Shpresa Krasniqi përmendi sfidat me të cilat ballafaqohen ata si Kujdes Parësor Shëndetësor, të cilat janë: furnizimi i rregullt me medikamente dhe me insulina, funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), që do të mundësonte kontaktin akoma më të mirë me QKUK si shërbim terciar, mungesa e resurseve humane, si dhe aktivizimi dhe ushtrimi i funksionit të rregullt të Shoqatës së pacientëve me diabet, që duhet të përkrahet nga të gjitha institucionet relevante.

Ndërkaq, në kuadër të shënimit të kësaj dite do të ketë aktivitete të shumta si: mesazhet në radio, si dhe manifestimet në rrugë ku do të bëhet shpërndarja e materialeve edukativo-shëndetësore për kalimtarët e rastit dhe do të matet sasia e sheqerit në gjak.

print