Në IKSHPK u shënua Dita Botërore e Diabetit

Në IKSHPK u shënua Dita Botërore e Diabetit

image_pdfimage_print

Prishtinë, 14 nëntor 2019

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike u shënua Dita Botërore e Diabetit, nën moton “Diabeti: Mbroje familjen tënde”.

Me rastin e shënimit të kësaj ditë, u tha se duhet fokusuar në tri fusha kryesore, të cilat janë: zbulimi i hershëm, parandalimi i diabetit tip 2 dhe menaxhimi.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani, tha se sëmundja e diabetit ka kosto të lartë shëndetësore, pasi sipas tij, është një sëmundje e cila në qoftë se nuk zbulohet dhe mjekohet në kohë, mund të shkaktojë ndërlikime serioze si: sëmundje kardiovaskulare, sëmundje nervore, verbërim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve etj.

Ndërsa, shtoi se kjo sëmundje kërkon angazhim serioz, jo vetëm të të sëmurit, punëtorëve shëndetësorë, por edhe shoqërisë në përgjithësi.

“Sipas të dhënave të regjistrit populativ për vitin 2018, kanë qenë të raportuar 24.7% (E11) pacientë me diabet sheqeror të pavarur nga insulina dhe 14.9% (E10) pacientë me diabet sheqeror, të varur nga insulina. Sipas gjinisë, prevalenca për të dy llojet e diabetit, më e larta ka qenë në mesin e femrave me mbi 50%, dhe grup mosha më e prekur për të dy llojet e diabetit ka qenë mbi 60 vjeç”, tha mes tjerash ai.

Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Naim Bardiqi, tha se Dita Botërore e Diabetit, shërben, për të punuar së bashku në ngritjen e vetëdijes publike për diabetin, por edhe në funksion të mobilizimit të të gjithëve, në parandalimin dhe ballafaqimin me këtë sëmundje, që sipas tij ka implikime shëndetësore, sociale dhe ekonomike, duke marrë parasysh barrën e shpenzimeve për trajtimin e saj, dhe pasojat tjera që i shkakton diabeti.

Ai u shpreh se Ministria e Shëndetësisë, ka në fokus të angazhimeve të saj dy aspekte që lidhen me diabetin: Parandalimin e hershëm, ku sipas tij përveç profesionistëve shëndetësor, kontribut po japin edhe partnerët, përmes projekteve të tyre mbështetëse. Aspekti i dytë, sipas tij, ka të bëjë me trajtimin e të prekurve dhe mbulimin e tyre me terapi.

“Në Kosovë konsiderohet se diku rreth 5-7% e popullatës janë me prevalencë të sëmundjes, ku 20-30% prej tyre, janë të varur nga insulina, e cila u ofrohet falas nga MSH. Ministria e Shëndetësisë, i siguron pesë lloje të insulinave (humane dhe analoge për pacientët”, tha ai.

Shef i Zyrës së OBSH në Kosovë, Dr. Sergei Koryak, tha se prevalenca e kësaj sëmundjeje është duke u rritur viteve të fundit, dhe se sipas tij më tepër se 420 milionë persona në botë, vuajnë nga sëmundja e diabetit.

Për këtë, ai në emër të OBSH, rekomandoi që të prioritizohet parandalimi i sëmundjeve kronike jo-ngjitëse, sepse sipas tij diabeti dhe hipertensioni janë ndër vrasësit më të mëdhenj të personave të moshës së mesme dhe të shtyrë.

Përfaqësuese në Klinikën e Endokrinologjisë, Dr. Rina Tafarshiku, tha se gjatë vitit të kaluar në këtë Klinikë, janë hospitalizuar gjithsej 612 pacientë me Diabet tip 2, prej të cilëve 370 femra dhe 242 meshkuj; 66 pacientë me Diabet tip 1, prej të cilëve 39 femra dhe 27 meshkuj, 6 pacientë me diabet gestacional dhe Diabet specifik 2.

Sipas saj, kushtet infrastrukturore në këtë klinikë, janë përmirësuar dukshëm, dhe se përmbushin standardet bashkëkohore për një klinikë të tillë.

“Me qëllim të vetëdijësimit të pacientëve për sëmundjen e diabetit, në klinikë çdo ditë punë, mbahet edukimi i pacientëve të hospitalizuar, me qëllim të informimit të mirë të tyre, për trajtimin e tij, dietën diabetike, si dhe komplikimeve që i sjell diabeti”, tha mes tjerash ajo.

Drejtoresha e Qendrës Kryesorë të Mjeksisë Familjare në Prishtinë, Dr. Sahadete Hadri, tha se sëmundja e diabetit është në fokus të veçantë për: parandalim, edukim shëndetësor, diagnostikim të hershëm, trajtim adekuat, parandalim i komplikimeve dhe rritje të jetëgjatësisë.

Ajo u shpreh se numri i përgjithshëm i pacientëve insulinëvartës të regjistruar në Barnatoren Qendrore në QKMF-Prishtinë është 2804 pacientë, ndërsa sa i përket pacientëve insulinëvartës nën moshën 18 vjeç është gjithsej 38.

print