Në IKSHPK është mbajtur takim në lidhje me koronavirusin

27 janar, 2020

 

Në Institutin Kombëtar, është mbajtur një takim midis Komitetit për Sëmundje Ngjitëse, ku u diskutua për pneumoninë virale me koronavirus.

 

Drejtori Ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani, lidhur me këtë sëmundje tha se akoma nuk e kemi asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht, me koronavirus. Por, theksoi se është e nevojshme të aktivizohen të gjithë mekanizmat shtetëror e institucional, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.

 

Po ashtu, ai tha se Instituti është i gatshëm, për menaxhimin e të gjitha rasteve dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike, ndërsa shtoi se nuk ka nevojë për panikë, por, sipas tij, ka nevojë për kujdes.

 

Përfaqësuese nga Zyra e OBSH në Kosovë, Prof. Dr. Isme Humolli, u shpreh se tashmë është duke u bërë komunikimi i rrezikut me publikun dhe punonjësit shëndetësor. Ndërsa, tha se matja e temperaturës së udhëtarëve me laser, në aeroportin e Prishtinës, mund të mos jetë aq efektiv, në zbulimin e kësaj epidemie.

 

Prof. Dr. Ariana Kalaveshi, tha se ekzistojnë disa paqartësi, lidhur me këtë epidemi, siç është periudha e inkubacionit të sëmundjes, e cila ende nuk dihet saktë.

 

Në anën tjetër, Drejtoresha e Klinikës Infektive, Dr. Lindita Ajazaj, potencoi faktin se kanë bërë kërkesë që të pajisen me maska dhe mjete tjera mbrojtëse, si dhe tregoi planin për të krijuar një repart të izolimit, brenda kësaj Klinike, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti.

 

Në fund të takimit, u vendos që të formohet një Grup Punues,në lidhje me pneumoninë virale me koronavirus.

 

Komiteti per sëmundje ngjitëse këshillon të gjithë, që t’i përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar.