Në IKSHPK është mbajtur takim në lidhje me koronavirusin

Në IKSHPK është mbajtur takim në lidhje me koronavirusin

image_pdfimage_print

13 shkurt, 2020

 

Në Institutin Kombëtar, është mbajtur një takim i Komitetit për monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse, ku është diskutuar për pneumoninë virale me koronavirus (nCoV-2019).

 

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar, Prof. Dr. Naser Ramdani, tha se tashmë koronavirusi e ka marrë emërtimin e ri, COVID-19.

 

Ai e potencoi faktin se deri më tani, në Kosovë nuk ka asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht, me koronavirus.

 

Dr. Bashkim Gllareva, pjesë e ekipit mjekësor të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, tha se deri më tani, në aeroport janë bërë 12 ekzaminime të personave të dyshuar me këtë virus, ku pjesa më e madhe e tyre, ka ardhur nga vendet endemike. Mirëpo, sipas tij, asnjëri nga ta nuk ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

 

Gjithashtu, ai tha se në aeroport gjenden dy dhoma të izolimit, ku mund t’i fusin personat e dyshuar, deri sa ata të dërgohen në Klinikën Infektive.

 

Dr. Xhevat Jakupi-Shef i departamentit të Mikrobiologjisë, në Institutin Kombëtar, tha se tashmë i kanë marrë testet për testimin e koronavirusit, me anë të të cilëve mund të testohen deri në 650 persona të dyshimtë.

 

Dr. Faik Hoti, nga Minstria e Shëndetësisë tha se përveç aktiviteteve të tjera në koordinim të plotë me IKSHKP-në dhe institucionet e tjera, MSh po merret edhe me sigurimin e pajisjeve personale mbrojtëse për personelin shëndetësore, derisa në fushën e komunikimit të riskut, rëndësi e madhe, tha ai, ka komunikimi me publikun, pasi që, theksoi ai, opinioni dëshiron që informatat t’i marrë nga institucionet zyrtare.

 

Dr.Lindita Ajazaj, drejtoreshë e Klinikës Infektive, tha se në këtë Klinikë janë gjithsej 21 infektologë, dhe 72 infermierë, gjë që sipas saj, duhet punuar edhe në aspektin e fuqizimit të resurseve humane të Klinikës për t’u siguruar që numri i atyre që do të merren me rastet eventuale të COVIC-19 të jetë i mjaftueshëm.

 

z.Bafti Murati, nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, tha se janë në gjendje gatishmërie, për të vepruar në rast të ekzistimit të mundësisë së përhapjes së këtij virusi, nga kafshët tek njeriu.

 

Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka plotësuar të gjitha rekomandimet e OBSH dhe ECDC në koordinimin e aktiviteve, menaxhimin dhe informimin e qytetarëve për Koronavirusin e ri COVID-19.

print