Me temën për sigurinë e ushqimit, Shënohet Dita Botërore e Shëndetit

Me temën për sigurinë e ushqimit, Shënohet Dita Botërore e Shëndetit

image_pdfimage_print

Me temën për sigurinë e ushqimit, Shënohet Dita Botërore e Shëndetit

Prishtinë, 7 prill 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani mori pjesë sot në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit, të organizuar nga zyra e OBSh-së në Prishtinë.

Tema e përzgjedhur në nivel global nga OBSH-ja për shënimin e kësaj dite është siguria e ushqimit.

 

Ministri Rrahmani tha se siguria e ushqimit është një sfidë e madhe për shëndetin jo vetëm në Kosovë, por në gjithë globin.

Ai tha se ushqimi dhe shëndeti janë dy çështje të pandashme dhe është një zgjedhje e duhur nga OBSh, që sot të promovohet kujdesi në të ushqyerit, me qëllim të vetëdijesimit të popullatës nga rreziqet që mund të sjellin ushqimet në shëndetin e tyre.

“Unë shfrytëzoj rastin që në këtë ditë të shënuar të bëjë thirrje të gjithë akterëve, për bashkimin e forcave, për të luftuar çdo të keqe që e rrezikon shëndetin e popullatës”, tha ministri Rrahmani

Shefi i Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, dr. Skender Syla, tha se për çdo vit për Ditën Botërore të Shëndetësisë zgjidhet një temë që nxjerr në pah një fushë prioritare që shqetëson sektorin e shëndetësisë në botë, andaj për këtë vit si fushë prioritare nga OBSh-ja është përzgjedhur siguria e ushqimit, pra “Nga ferma në pjatë, ta mbajnë të sigurt ushqimin” është motoja për këtë vit që nënvizon sfidat dhe mundësitë në lidhje me sigurinë e ushqimit.

“Ruajtja nga ushqimi është sfidë e të gjithë neve dhe bartet nëpër një hallkë zingjirore e cili fillon qysh nga hedhja e farës së bimës në tokë e deri në servimin e produktit të saj në tryezë” tha dr. Syla

Selvete Krasniqi, zëvendësdrejtoreshë e  IKSHPK, tha se qëllimi i shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit është edhe vetëdijesimi i popullatës për rreziqet që pasojnë, ndaj mos kujdesit të duhur në të ushqyer, andaj ne përmes kësaj dite ftojmë të gjithë qytetarët e vendit që ushqimit t’i kushtojnë rëndësi të veçantë.

Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë znj. Laila Omar Gad tha se Siguria e ushqimit është çështje ndërsektoriale dhe përgjegjësi e përbashkët, që kërkon pjesëmarrjen e sektorëve shëndetësorë jo-publik dhe përkrahjen e agjensioneve të mëdha ndërkombëtare dhe regjionale aktive në fushat e ushqimit, ndihmës emergjente dhe edukimit.

Z. Ibrahim Tërshnjaku nga  Agjencioni i Veterinarisë dhe Ushqimit, tha se ky agjension është autoriteti më i lartë, qëllimi i së cilit është sigurimi i ushqimit të shëndetshëm, të cilën detyrë e kryen me përgjegjshmëri të lartë.

Në fund të shënimit, nga dr. Tahire Maloku-Gjergji (IKSHP) u bë edhe prezantimi i draftit të “Planit kosovar të veprimit për të ushqyerit 2014-2020”, i cili është përpiluar në kuadër të prioriteteve strategjike të MSh-së dhe ministrive tjera, si: MBZHR, MASHT, MPMS të cilat po ashtu kanë marrë pjesë në përpilimin e këtij plani.

Kontribut dhe përkrahje në përpilimin e këtij plani kanë dhënë edhe zyret e OBSh-së dhe UNICEF-it në Kosovë dhe Qeveria e Austrisë me mbështetje financiare, kanë lehtësuar relizimin e përfundimit të këtij plani.