INSTITUTI KOMBËTAR I SHËNDETËSISË PUBLIKE TË KOSOVËS: PARAROJË E SHËNDETIT TË POPULLATËS: DJE, SOT DHE NESËR!

INSTITUTI KOMBËTAR I SHËNDETËSISË PUBLIKE TË KOSOVËS: PARAROJË E SHËNDETIT TË POPULLATËS: DJE, SOT DHE NESËR!

image_pdfimage_print

(95 vjet të veprimtarisë së shëndetit publik në Kosovë)

Sot, më 5 qershor po e shënojmë 95 vjetorin e ditës që shënon fillet e veprimtarisë së shëndetit publik në Kosovë.

Kur i kishim nisur përgatitjet për shënimin e këtij përvjetori qysh në vitin e kaluar nuk e kishim menduar se ky përvjetor do të na gjejë në vlugun e përballjes me pandeminë COVID-19 që ka goditur gjithë globin. Por, gjithsesi kishim qenë në gjendje gatishmërie për t‘u përballur me cdo kërcënim e shpërthim edhe të kësaj natyre. Sepse Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike veprimtarinë e vet e zhvillon duke qenë përherë në funksion të mbrojtjes dhe përmirësimit të shëndetit të popullatës.

INSTITUTI KOMBËTAR I SHËNDETËSISË PUBLIKE TË KOSOVËS ËSHTË PARAROJË E SHËNDETIT TË POPULLATËS SOT, SIÇ ISHTE DJE DHE DO TË JETË EDHE NESËR!

Sot, në përballje me pandeminë COVID-19 po e shënojmë ditën kur në kuadër të adresimit të problemeve shëndetësore dhe të përkujdesjes amerikane ndaj popullatës së këtij rajoni të Evropës, Fondacioni i shquar humanitar nga SHBA “Rockfeller” do të mbështesë themelimin e Shërbimit Higjieniko-Epidemiologjik edhe në Pejë. Ky shërbim do të fillojë punën më 5 qershor të vitit 1925 dhe kjo datë konsiderohet se shënon fillet e veprimtarisë së Mjekësisë Preventive në Kosovë, prandaj edhe shënohet si ditë festive e themelimit të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Sot kur po e shënojmë këtë datë, gjithsesi na duhet të kujtojmë periudhat e gjendjes së rëndë dhe rrethanave shëndetësore jashtëzakonisht të vështira nëpër të cilat ka kaluar popullata e Kosovës dhe njëkohësisht përpjekjet e vazhdueshme në mbrojtje dhe përmirësim të shëndetit të kësaj popullate nga profesionistët e shëndetit publik nëpër dekada.

Kujtojmë periudhën e gjendjes së rëndë dhe rrethanave shëndetësore jashtëzakonisht të vështira gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XX dhe Kosovën e shkatërruar tërësisht pas Luftës së Dytë Botërore, me kushte jetese katastrofike kur shërbimet shëndetësore nuk funksiononin pothuajse fare e nga ana tjetër sëmundjet ngjitëse bënin kërdi.

Është viti 1948 që në historikun e zhvillimit të shëndetësisë publike në Kosovë do të shënojë themelimin e Entit për Mbrojtje Shëndetësore të Kosovës dhe më pastaj do të vazhdohet me zhvillimin e rrjetit të organizuar të enteve rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë e Ferizaj.

Më tutje, me themelimin e Fakultetit të Mjekësisë më 1969 do të ngriten kapacitetet profesionale të fushës së shëndetësisë dhe do të trajnohen profesionistë të fushës së shëndetësisë publike që do të mbështesin punën në zhvillimin e rrjetit të institucioneve të shëndetit publik dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të popullatës në Kosovë.

Sot, në këtë përvjetor kujtojmë se në themelet e zhvillimit të shëndetësisë publike në Kosovë gjatë kësaj periudhe qëndrojnë kontributet e vecanta të shumë profesionistëve të kësaj fushe. Në veçanti, me këtë rast përkujtojmë me respekt dhe pietet të lartë punën dhe veprën e disa prej atyre të cilët nuk janë më në mesin tonë si Dr Durmish Celina, Prof. Osman Imami, Dr Ilmi Bërveniku, etj.

Në dekadën e fundit të shekullit XX Kosova fatkeqësisht do të përjetojë rrënimin e sistemit shëndetësor, i cili u shkatërrua rëndë gjatë luftës së fundit të viteve 1998/1999. Ndërsa, periudha e pasluftës në Kosovë do të shënojë riorganizimin e sektorit të shëndetësisë publike, në një proces të reformave që do të përcillen me arritjen e rezultateve të cmuara në fushën e shëndetësisë publike në vendin tonë.

Për gjithë këto vite Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike si institucion i lartë shëndetësor, profesional dhe shkencor i Kosovës me veprimtarinë e vet ka zbatuar me sukses strategjinë e shëndetit publik.

Në një solemnitet si ky, në vazhdën e rezultateve të shënuara në shëndetësinë publike duhet përmendur se me zbatimin e programit të zgjeruar të imunizimit janë shënuar suksese evidente në luftimin e shumë sëmundjeve infektive, vaksinë-preventabile.

IKSHPK bën përpjekje të vazhdueshme në luftimin e sëmundjeve kronike jongjitëse përmes kontrollit të faktorëve të riskut dhe aktiviteteve të promovimit dhe edukimit shëndetësor.

Në kuadër të IKSHPK zhvillojnë veprimtarinë laboratoret moderne të akredituara dhe certifikuara të Mikrobiologjisë, Qendra e Laboratoreve Testuese dhe Qendra Kombëtare e Gripit..

IKSHPK ka realizuar, poashtu, një varg projektesh shkencore dhe ka një bashkëpunim të gjerë dhe të afërt me institucione ndërkombëtare në fushën e shëndetit publik.
Në veprimtarinë e vet IKSHPK kujdeset për implementimin e të gjitha rekomandimeve të OBSH dhe ECDC në lëminë e shëndetësisë publike.

Sot është një moment solemniteti për shëndetësinë publike në Kosovë. Duke pasur parasysh të gjitha të arriturat, sukseset e në vecanti sfidat e mëtejme që kemi përpara, konstatimi ynë i përbashkët në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike do të ishte i shkurtër: Të shfrytëzohen të gjitha resurset dhe të gjitha të arriturat shkencore në mbrojtje të shëndetit të popullatës dhe t’i jepet prioritet shendetësisë si dega më rentabile e ekonomisë. Sepse jeta e njeriut nuk ka cmim, por ka vlerë.

Duke qenë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës me veprimtarinë e vet mund të konsiderohet pa modesti si një pikë e ndritshme e shëndetësisë kosovare, në këtë ditë solemne theksojmë edhe njëherë se mbetemi të përkushtuar të vazhdojmë angazhimin tonë në mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës sot po e shënon simbolikisht këtë përvjetor duke qenë në ballë të përpjekjeve në ballafaqimit me COVID-19.

Shpresojmë që më vonë gjatë këtij viti të shënojmë këtë përvjetor në rrethana më të mira, në mënyrë më madhështore dhe me një varg aktivitetesh tjera përcjellëse.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës me Qendrat e veta Rajonale gjithandej Kosovës, do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në angazhimin e vet bashkë me të gjitha institucionet e vendit për të përmbushur vizionin për një popullatë të shëndoshë, në mjedisin e shëndoshë, në një shtet të shëndoshë.

INSTITUTI KOMBËTAR I SHËNDETËSISË PUBLIKE TË KOSOVËS: PARAROJË E SHËNDETIT TË POPULLATËS: DJE, SOT DHE NESËR!

print