
Fillon shpërndarja e vaksinave të gripit sezonal nëpër komunat e Kosovës
Prishtinë, 30 Nëntor
2020
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti
Kombëtar i Shëndetësisë Publike i informojnë qytetarët e Republikës së Kosovës
se 165.000 vaksinat e para të gripit sezonal, të siguruara nga MSh në funksion
të parandalimit të gripit sezonal kanë arritur në Kosovë dhe do të imunizohen
grupet më të rrezikuara të popullatës në shtetin tonë.
Ministri i
Shëndetësisë z. Armend Zemaj dhe shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, z. Murat
Sahin, të shoqëruar nga drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, z. Naser
Ramadani, morën pjesë sot në fillimin e shpërndarjes së vaksinave kundër gripit
sezonal për këtë vit në Kosovë.
Që nga mëngjesi i sotëm, ekipet e Qendrave
Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunave të Kosovës, sipas ftesës që u është
bërë një ditë më parë nga MSh dhe IKSHKP, kanë filluar furnizimin me vaksina,
me të cilat Njësitë e tyre të vaksinimit do t’i vaksinojnë qytetarët në ditët
në vijim.
Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të
përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSh, do të jenë katër
shtamëshe dhe si të tilla e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj virusëve më agresivë
në qarkullim të gripit sezonal.
Ministri Zemaj tha se me 165.000 vaksinat e para, të siguruara, do të imunizohen grupet më të rrezikuara të popullatës në shtetin tonë.
“Ministria është në proces të sigurimit edhe të 50.000 vaksinave të tjera me çka arrijmë të shtojmë për 100 për qind numrin e vaksinave krahasuar me vitin paraprak. Vaksinat e blera nga Ministria e Shëndetësisë përmes UNICEF-it do të shpërndahen dhe jepen falas për qytetarët e vendit tonë. Do të ketë vaksina të mjaftueshme, sipas planit të vaksinimit dhe, sipas nevojës, do të mund të sigurojmë edhe të tjera”, tha Ministri Zemaj.
Ai theksoi se, me qëllim të parandalimit të virusëve sezonal agresiv në qarkullim, MSh ka siguruar vaksina katër – valente, që kanë fuqi më të madhe vepruese/parandaluese ndaj këtyre virusëve.
Shefi i Zyrës së UNICEF-it, z. Murat Sahin, tha se UNICEF-i i ka punuar ngushtë me MSh-në në sigurimin e vaksinës kundër gripit sezonal dhe se kjo organizatë do të punojë me MSh-në edhe në përpjekjet për të prokuruar dhe furnizuar me vaksina kundër COVID-19.
Drejtori i IKSHPK-së, z. Naser Ramadani, tha se
vaksinat do të fillojnë të shpërndahen nëpër njësitë e vaksinimit të Kujdesit
Parësor në Komuna (QKMF) ku edhe do të bëhet vaksinimi i grupeve prioritare
sipas planit të bërë më herët
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i
siguron qytetarët se po e monitoron me kujdes situatën epidemiologjike në vend
dhe ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste të Gripit sezonal.