Fillon shpërndarja e vaksinave të gripit sezonal nëpër komunat e Kosovës

Prishtinë, 7 dhjetor 2019

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i informojnë qytetarët e Republikës së Kosovës se rreth 100 000 vaksina të gripit sezonal, të blera nga MSh në funksion të parandalimit të gripit sezonal kanë arritur në Kosovë.

 

Që nga mëngjesi i sotëm, ekipet e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunave të Kosovës, sipas ftesës që u është bërë një ditë më parë nga MSh dhe IKSHKP, kanë filluar furnizimin me vaksina, me të cilat Njësitë e tyre të vaksinimit do t’i vaksinojnë qytetarët në ditët në vijim.   

 

Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSh, do të jenë katër shtamëshe dhe si të tilla e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj virusëve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal.

 

Këto lloje të vaksinave përdoren për herë të parë në Kosovë, duke u bërë kështu një nga shtetet e para në rajon që siguron vaksina katër shtamëshe.

 

Vaksinat janë të parakualifikuara sipas standardeve të OBSh-së, garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre dhe janë të dedikuara për për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike.

 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i siguron qytetarët se po e monitoron me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste të Gripit sezonal.




Komunikatë e përbashkët e MSh, IKSHKP dhe UNICEF-it lidhur me vaksinat e gripit sezonal

Prishtinë, 5 dhjetor 2019

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dëshirojnë të rikujtojnë dhe informojnë qytetarët e Kosovës se, në funksion të parandalimit të gripit sezonal, MSh i ka porosituar rreth 100 000 vaksina kundër gripit (prej tyre 500 doza pediatrike), të cilat janë porositur përmes shërbimeve të prokurimit të UNICEF-it.

 

Vaksinat e porositura pritet të arrijnë në Kosovë ditën e premte (6 dhjetor), ndërsa shpërndarja e tyre do të fillojë javën tjetër.

 

Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSh, do të jenë katër shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj virusëve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal.

 

Duke pasur paraysh që vaksinat kundër gripit sezonal, të cilët sivjet do të përdoren për herë të parë janë katër shtamëshe, disa vonesa janë regjistruar si në Kosovë ashtu edhe në vendet e rajonit.

 

Vaksinat janë të dedikuara për për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike.

 

Vaksinat e siguruara përmes UNICEF-it janë të parakualifikuara sipas standardeve të OBSh-së dhe garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre.

 

Këto vaksina të blera nga MSh-ja dhe që kanë kushtuar 444.170 euro do t’i shpërndahen popullatës përmes IKSHKP-së dhe Njësive të vaksinimit në QKMF-të e Kosovës.

 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ndërkaq, i siguron qytetarët se po e monitoron me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të Gripit sezonal.




KOMUNIKATË PËR GRIPIN SEZONAL

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të Influencës sezonale me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës përkatëse tetor-maj.

 

Prej 01 tetor 2019 deri më 04 dhjetor 2019 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 9545 raste të dyshimta në Grip, 1504 raste Infeksione respiratore akute dhe 9 raste me Infeksion të rëndë respirator akut(SARI).

 

Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe.

 

Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës, por nuk kalon pragun epidemik.

 

Prej 01 tetor 2019 deri më 04 dhjetor 2019 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar gjithsej 25 mostra të dyshimta në Grip.

 

Në Qendrën Kombëtare të Gripit- IKSHPK me 4 dhjetor 2019 janë izoluar dy rastet e para të Gripit tipi A.

 

Në Klinikën Infektive- SHSKUK janë të hospitalizuar 2 rastet pozitive në Gripin A në gjendje stabile shëndetësore, njëri nga rastet ka edhe sëmundje të tjera shoqëruese me Infiltratio pulmonum, HTA, ICV, Hiperplazio prostate, Insuficiencë renale.

 

Instituti Kombëtar apelon te të gjithë Drejtorët Rajonal të Shëndetësisë Publike të ngritet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

 

E përsërisim rekomandimin tonë që Inspektorati shëndetësor të mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse.

 

Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal.

 

Si të mbroni vehten dhe të tjerët:

• Të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjet dhe personat me sëmundje kronike në të gjitha qendrat e mjekësisē familiare
• Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat të hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale).
• Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.
• Nëse keni shenja te gripit, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore
• Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerezve
• Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes.
• Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të papastruara
• Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi
• Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni
• Hidhni faculetën në vendin e duhur menjëherë pas përdorimit
• Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni
• Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik

 

E drejta e juaj është ta mbroni shëndetin tuaj

 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të Gripit dhe është në gjendje gadishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës do të informoheni me kohë.




Në IKSHPK u shënua Dita Botërore e HIV/AIDS-it

Prishtinë, 29 nëntor 2019

 

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, u shënua Dita Botërore e HIV/AIDS-it, nën moton: “Komunitetet bëjnë ndryshimin”.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar, Prof. Dr. Naser Ramadani, tha se Kosova si vend, përballet me sfida të mëdha socio-ekonomike dhe politike: shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, rritjes së përdorimit të drogave, sjelljeve seksuale me rrezik të lartë, komunitet të MSM-ve të stigmatizuar, lëvizshmëri të shpeshtë të kosovarëve në vendet me prevalencë të lartë, dhe të gjithë këta faktorë, sipas tij, mund të nxisin një përhapje të shpejtë të epidemisë së HIV-it, nëse ato nuk adresohen në mënyrë të drejtë.

“Ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë, drejt parandalimit të sëmundjeve ngjitëse dhe jo-ngjitëse, përmes intervenimit në procesin fillestar, duke identifikuar faktorët e rrezikut, që ndikojnë në sëmundshmërinë e popullatës”, tha mes tjerash ai.

Shefe e Njësisë së HIV/AIDS, në IKSHPK, Dr. Luljeta Gashi tha se Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, por me potencial të rritjes, veçanërisht në mesin e popullatës MSM.

“Që nga viti 1986 deri në vitin 2019, në Kosovë janë raportuar 128 raste, deri më tani 51 kanë vdekur. Në vitin 2019, janë raportuar 6 rastë, dhe dy prej tyre kanë vdekur. Komuna e Prishtinës dominon me numrin më të madh, të rasteve të raportuara”, tha ajo.

Shef i Zyrës së OBSH për Kosovë, Dr Sergei Koryak, tha se 1 në 5 njerëz në rajon , nuk e dinë gjendjen me HIV, dhe se sipas tij, për këtë, nevojitet një angazhim i madh i të gjithë komunitetit.

Koordinatore e Programit të HIV/AIDS, të FG në CDF, Dr. Edona Deva, tha se janë investuar 15 milionë dollarë, për programin nacional kundër HIV/AIDS-it, në mënyrë që sipas saj, të krijohet një evidencë lidhur me këtë sëmundje.

Përfaqësuese nga Klinika Infektive, Dr. Hatixhe Gashi tha se të gjithëve personave të diagnostikuar me HIV/AIDS, përveç këshillimit dhe testimit, u sigurohet edhe terapia antiretrovirale.




Java Botërore e Ndërgjegjësimit për antibiotikët: e ardhmja e antibiotikëve varet nga të gjithë ne

Prishtinë, 20 nëntor

 

FUSHËVEPRIMI DHE QËLLIMI

 

Sfondi

 

 

Rezistenca antimikrobike (AMR) është një nga sfidat kryesore të shëndetit publik në të gjithë botën. Konsumi i antibiotikëve dhe rezistenca që lidhet më të, po rritet në të gjithë botën, veçanërisht në vendet në zhvillim.

 

 

Çdo nëntor, Java Botërore e Ndërgjegjësimit për antibiotikët (ËAAË) synon të rrisë ndërgjegjësimin global për rezistencën antimikrobike dhe të inkurajojë praktikat më të mira në mesin e publikut të gjerë, punonjësve shëndetësorë dhe krijuesve të politikave për të shmangur shfaqjen e mëtejshme dhe përhapjen e rezistencës antimikrobike. Këtë vit moto e ËAAË është: E ardhmja e antibiotikëve varet nga të gjithë ne.

 

 

AMR është një sfidë e madhe për sistemin e kujdesit shëndetësor në Kosovë. Më 5 dhjetor 2018, Ministri i Shëndetësisë nënshkroi një Plan të ri Kombëtar të Veprimit për Rezistencën Antimikrobike, për një periudhë 3 vjeçare. Ky plan, synon të ndërtojë kornizën e masave dhe ndërhyrjeve, për të kufizuar shfaqjen dhe përhapjen e rezistencës antimikrobike në vendin tonë. Aktivitetet e planifikuara të planit të veprimit janë në përputhje me planin global të veprimit të OBSH-së për rezistencën antimikrobike dhe konkluzionet e Këshillit të Evropës për AMR. Agjensia Italiane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (AICS) po e mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për të luftuar AMR.

 

 

Objektivat

Dy objektivat kryesore të takimit janë: të pasqyrohet puna e bërë nga Kosova në parandalimin dhe kontrollin e AMR, dhe të identifikohen  fushat kryesore me përparësi që duhen adresuar dhe mbështetur nga komuniteti dhe qeveria ndërkombëtare, për të përparuar në një përgjigje të One Health ndaj AMR.

 

 

Fushëveprimi

Ky takim është një platformë për institucionet qeveritare, bashkësinë ndërkombëtare dhe donatorët që të mblidhen dhe të diskutojnë situatën aktuale në lidhje me rezistencën antimikrobike dhe fushat e veprimit të përbashkët për të adresuar këtë sfidë.

Ngjarja përfshin një fjalim hyrës, udhëzimet kryesore dhe diskutimet me institucionet qeveritare të ftuara, bashkësinë ndërkombëtare dhe donatorët.




Në IKSHPK u shënua Dita Botërore e Diabetit

Prishtinë, 14 nëntor 2019

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike u shënua Dita Botërore e Diabetit, nën moton “Diabeti: Mbroje familjen tënde”.

Me rastin e shënimit të kësaj ditë, u tha se duhet fokusuar në tri fusha kryesore, të cilat janë: zbulimi i hershëm, parandalimi i diabetit tip 2 dhe menaxhimi.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani, tha se sëmundja e diabetit ka kosto të lartë shëndetësore, pasi sipas tij, është një sëmundje e cila në qoftë se nuk zbulohet dhe mjekohet në kohë, mund të shkaktojë ndërlikime serioze si: sëmundje kardiovaskulare, sëmundje nervore, verbërim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve etj.

Ndërsa, shtoi se kjo sëmundje kërkon angazhim serioz, jo vetëm të të sëmurit, punëtorëve shëndetësorë, por edhe shoqërisë në përgjithësi.

“Sipas të dhënave të regjistrit populativ për vitin 2018, kanë qenë të raportuar 24.7% (E11) pacientë me diabet sheqeror të pavarur nga insulina dhe 14.9% (E10) pacientë me diabet sheqeror, të varur nga insulina. Sipas gjinisë, prevalenca për të dy llojet e diabetit, më e larta ka qenë në mesin e femrave me mbi 50%, dhe grup mosha më e prekur për të dy llojet e diabetit ka qenë mbi 60 vjeç”, tha mes tjerash ai.

Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Naim Bardiqi, tha se Dita Botërore e Diabetit, shërben, për të punuar së bashku në ngritjen e vetëdijes publike për diabetin, por edhe në funksion të mobilizimit të të gjithëve, në parandalimin dhe ballafaqimin me këtë sëmundje, që sipas tij ka implikime shëndetësore, sociale dhe ekonomike, duke marrë parasysh barrën e shpenzimeve për trajtimin e saj, dhe pasojat tjera që i shkakton diabeti.

Ai u shpreh se Ministria e Shëndetësisë, ka në fokus të angazhimeve të saj dy aspekte që lidhen me diabetin: Parandalimin e hershëm, ku sipas tij përveç profesionistëve shëndetësor, kontribut po japin edhe partnerët, përmes projekteve të tyre mbështetëse. Aspekti i dytë, sipas tij, ka të bëjë me trajtimin e të prekurve dhe mbulimin e tyre me terapi.

“Në Kosovë konsiderohet se diku rreth 5-7% e popullatës janë me prevalencë të sëmundjes, ku 20-30% prej tyre, janë të varur nga insulina, e cila u ofrohet falas nga MSH. Ministria e Shëndetësisë, i siguron pesë lloje të insulinave (humane dhe analoge për pacientët”, tha ai.

Shef i Zyrës së OBSH në Kosovë, Dr. Sergei Koryak, tha se prevalenca e kësaj sëmundjeje është duke u rritur viteve të fundit, dhe se sipas tij më tepër se 420 milionë persona në botë, vuajnë nga sëmundja e diabetit.

Për këtë, ai në emër të OBSH, rekomandoi që të prioritizohet parandalimi i sëmundjeve kronike jo-ngjitëse, sepse sipas tij diabeti dhe hipertensioni janë ndër vrasësit më të mëdhenj të personave të moshës së mesme dhe të shtyrë.

Përfaqësuese në Klinikën e Endokrinologjisë, Dr. Rina Tafarshiku, tha se gjatë vitit të kaluar në këtë Klinikë, janë hospitalizuar gjithsej 612 pacientë me Diabet tip 2, prej të cilëve 370 femra dhe 242 meshkuj; 66 pacientë me Diabet tip 1, prej të cilëve 39 femra dhe 27 meshkuj, 6 pacientë me diabet gestacional dhe Diabet specifik 2.

Sipas saj, kushtet infrastrukturore në këtë klinikë, janë përmirësuar dukshëm, dhe se përmbushin standardet bashkëkohore për një klinikë të tillë.

“Me qëllim të vetëdijësimit të pacientëve për sëmundjen e diabetit, në klinikë çdo ditë punë, mbahet edukimi i pacientëve të hospitalizuar, me qëllim të informimit të mirë të tyre, për trajtimin e tij, dietën diabetike, si dhe komplikimeve që i sjell diabeti”, tha mes tjerash ajo.

Drejtoresha e Qendrës Kryesorë të Mjeksisë Familjare në Prishtinë, Dr. Sahadete Hadri, tha se sëmundja e diabetit është në fokus të veçantë për: parandalim, edukim shëndetësor, diagnostikim të hershëm, trajtim adekuat, parandalim i komplikimeve dhe rritje të jetëgjatësisë.

Ajo u shpreh se numri i përgjithshëm i pacientëve insulinëvartës të regjistruar në Barnatoren Qendrore në QKMF-Prishtinë është 2804 pacientë, ndërsa sa i përket pacientëve insulinëvartës nën moshën 18 vjeç është gjithsej 38.




Dita Botërore e Zemrës

29 Shtator 2019

Dita Botërore e Zemrës mbahet në nivel global çdo vit, në datën 29 shtator, kjo eshte nje ngjarje që organizohet nga Organizata Boterore e Shendetësisë ne bashkepunim me Federatën Boterore të Zemrës. Qëllimi kryesor i shënimit të kësaj dite është informimi i popullatës per faktorët qe ndikojnë ne paraqitjen e sëmundjeve të zemres, si dhe masat parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e këtyre sëmundjeve.

 

Sëmundjet e zemres shkaktohen në përgjithësi nga kombinimi i një sërë faktoresh të përbashkëta e të shumta, duke filluar me karakteristikat social-biologjike si: presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, mbipesha dhe obeziteti, diabeti apo faktorët e mënyrës së jetesës si dieta jo e shëndetshme, duhanpirja, mungesa e aktivitetit fizik, konsumi i shtuar i alkoolit, të cilat rrisin probabilitetin për të pasur një problem të enëve koronare apo cerebrovaskulare.

 

Duhet cekur se sëmundjet e zemrës radhitet në grupin e sëmundjeve socialo mjekësore që shkaktojnë probleme serioze edhe në aspektin ekonomik. Pasojat ekonomike të sëmundjeve kardiovaskulare janë makroekonomike se ndikojnë në GDP e vendit,por janë edhe pasoja mikroekonomike me ndikim të drejtpërdrejtë tek individët dhe familjet e tyre. Me këto pasoja janë të lidhura hospitalizimi i shpeshte, invaliditeti i personave, ditët e humbura në punë, produktiviteti në punë, pra kemi më pak persona të aftë për punë, pensionimi i parakohshëm, ulje e të ardhurave individuale e familjare si dhe rritje enorme e shpenzimeve shëndetësore ne nivel shtetërore .

 

Fakte nga bota

 

Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë
• Çdo vit, 17.5 milion njerëz vdesin nga sëmundjet e zemrës, përfshirë edhe goditjen në tru.
• Vdekshmëria globale nga këto sëmundje është 31%.
• Vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim janë më të prekura nga vdekshmëria prej sëmundjeve të zemrës.
• Parashikohet që për vitin 2030 numri i vdekjeve nga semundjet e zemrës të arrijë në 23 milionë.
• Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur si objektiv për vitin 2025 reduktimin me 25% të vdekjeve të parakohshme të shkaktuara nga sëmundjet kronike, në të cilat Semundjet e zemres zënë vendin më të madh.
• Të paktën 80% e vdekjeve të parakohshme nga semundjet e zemrës mund të parandalohen apo shmangen, duke mbajtur nën kontroll faktorët e rrezikut të këtyre sëmundjeve siç janë përdorimi i duhanit, alkoolit, kripës, inaktiviteti fizik apo sedentarizmi, si dhe rritja e presionit të gjakut.
• Semundjet e zemres dhe goditja në tru shkaktojnë 1/3 e të gjitha vdekjeve të grave në mbarë botën.

 

Edhe në vendin tonë, në vitet e fundit ka një rritje të përvitshme të semundjeve te zemres.

 

Këto sëmundje në Kosovë shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve duke zënë vendin e parë të të gjitha vdekjeve, ndaj mund të konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë tonë.

 

Prevalenca e grupit te sëmundjeve kardiovaskulare, në Kosovë është 10.4% në raport me të gjitha grupet e semundjeve tjera ku diagnoza e hipertensioni si faktor i rrezikut në total grupin e semundjeve kardiovaskulare merr pjesë me 78.9%. dhe semundjet ishemike të zemres 4.9%.

 

Sipas gjinise më të atakuara janë femrat me hipertension 59.8% derisa semundjet ishemike të zemres më tepër paraqiten tek meshkujt me 60%. Sipas moshës personat mbi 65 vjet janë më të atakuar.

 

Motoja e Ditës Botërore të Zemrës për këtë vit është:

 

“Një premtim … për zemrën time, për zemrën tënde, për të gjithë zemrat tona”. në mënyrë që të kuptohet se çka duhet ndërmarrë për të reduktuar faktorët e rrezikut dhe për te pasur një zemër te shëndoshë.

 

Kujdesi për zemrën tuaj fillon duke kuptuar apo njohur në fillim rrezikun tuaj, ndaj sigurohuni që të njihni gjendjen tuaj shëndetësore si dhe të gjithë parametrat tuaj shëndetësorë. Vizitoni mjekun tuaj dhe konsultohuni per te bere disa kontrolla rutinore.

 

Porosia e Ditës botërore është me qëllim pozitive që të theksohet rëndësia e stilit të jetës me një zemër të shëndoshë që udhëheq drejt jetës më kualitative dhe jetëgjatësisë në përgjithësi.

 

Në këtë ditë ne dëshirojmë që çdo njeri të kuptojë se çfarë duhet të bëjë për të fuqizuar zemrën dhe shëndetin e vet. Zemra juaj është në qendër të shëndetit dhe është lehtë të kujdesemi për të vetëm nëse zotohemi!

 

Fushata e sivjetme do të organizohet me moton:

” Zotohu për një zemër të shëndoshë ”

Zotohu se do të ushqehesh shëndetshëm

 

Ngrënia e ushqimit të shëndetshëm është një nga mënyrat kryesore për të mbajtur zemrën dhe trupin në gjendje më të shëndoshë.

• Një dietë e shëndetshme ndihmon zvogëlimin e rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës

• Konsumo sa më shumë ushqim të freskët

• Kontrollo sasinë e racioneve

• Konsumo sa më shumë pemë dhe perime, të paktën 400 g në ditë

• Mos konsumo ushqim të yndyrshëm dhe me shumë kalori

• Zvogëlo marrjen e kripës në më pak se pesë gram në ditë

• Zvogëlo konsumimin e sheqerit në më pak se tridhjetë gram në ditë

 

Zotohu se do të merreni me aktivitet fizik
Aktiviteti fizik me efektet e veta të dobishme ndikon në zvogëlimin e rrezikut nga sëmundjet e zemrës.

 

Disa rekomandime për aktivitet fizik dhe shëndet të mirë:

 

• Ruaj peshën normale
• Bëj ushtrime të lehta të paktën 30 minuta 5 herë në javë
• Lëviz sa më tepër në vendin e punës ose bëj ushtrime gjatë pushimit të drekës
• Qëndro në ajër të pastër jashtë vendeve urbane
• Nëse nuk mund të dalësh jashtë shtëpisë, lëviz dhe ushtro brenda saj me dritare të hapura
• Shëtit – ec në grup, është më relaksuese
• Konsultohu rregullisht me mjekun

 

Zotohu se nuk do të përdorësh duhan dhe alkool

 

Përdorimi i duhanit dhe alkoolit janë faktor shumë të rrezikshëm për shumë sëmundje, veçanërisht për sëmundjet e zemrës

 

• Motivimi është faktori kyç për ta lënien e duhanit dhe alkoolit.
• Bëj listën e arsyeve pse je i motivuar për të lënë duhanin dhe alkoolin
• Shmang vendet ku pihet duhani dhe alkooli
• Konsumo më tepër pemë dhe perime të freskëta
• Nëse nuk pi duhan dhe alkool, mos e fillo. Është shumë më lehtë të mos fillohet, sesa të ndërprehet pirja e duhanit dhe alkoolit
• Nëse pi, ndërpreje! Kjo është gjëja më e mirë që mund të bëni për veten tuaj!

 

Zotohu se do të menaxhosh stresin
Stresi është i pashmangshëm në jetë, por ajo që ne mund të bëjmë është përpjekja për ta menaxhuar atë. Menaxhimi i stresit ka të bëjë me mbajtjen nën kontroll të shkallës së stresit në të cilën ndodhemi si dhe përpjekja drejt zvogëlimit të tij.

 

Këshillat për të menaxhuar stresin:

 

• Gjej kohë çdo ditë për t’u relaksuar
• Krijo shprehi të shëndetshme: aktivitet të rregullt fizik, konsumim i ushqimi të shëndetshëm, pijeve pa kafeinë dhe gjumë të mjaftueshëm
• Planifiko punët me prioritet dhe që mund t`i realizosh
• Shmang mendimet negative
• Prano faktin që disa gjëra ju nuk mund t’i ndryshoni
• Kërko ndihmë për problemet shëndetësore

 

Zotohu se do të bësh vizita të rregullta te mjeku!

 

Kontrollo rregullisht:

 

• Shtypjen e gjakut
• Nivelin e kolesterolit në gjak
• Nivelin e sheqerit në gjak




KOMUNIKATË PËR CILËSINË E UJIT PËR PIJE NË KOMUNËN E RAHOVECIT

Prishtinë, 19 shtator 2019

 

Pas marrjes së informatës për dyshimin për kontaminimin e ujit në një pjesë të ujësjellësit të Komunës së Rahovecit, të menaxhur nga KRU “Radoniqi”, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike pos kontrollit të rregullt dhe monitorimit të ujit për pije,  më datë 19 shtator 2019 ka dalë në terren dhe ka marrë menjëherë mostrat e ujit të cilat po analizohen në laboratoret e IKSHPK dhe posa të kemi rezultatet e para do të njoftojmë opinionin me kohë.

 

Sipas hulumtimeve te para rezulton se uji është kontaminuar për shkak të kyqjeve ilegale të qytetarëve me puset e ujitjes andaj apelojmë që kjo paraqet rrezik të madh për shpërthim hidrik me përmasa të paparashikuara në dëmtimin e shëndetit të qytetarëve.

 

Në pritje të analizave dhe gjendjes aktuale, Instituti Kombëtar rekomandon:

 

  1. KRU “Radoniqi” të sa më shpejtë të normalizojë prodhimin e ujit në komunën e Rahovecit dhe të vazhdojë kontrollin e ujit të pijes në tërë territorin e Gjakovës dhe të përforcojë kontrollin.
  2. Kompania duhet rregullisht të dezinfektojë ujin, ta ngritë vigjilencën dhe mbrotjen për siguri të resursit të ujit sipas Ligjeve dhe rregulloreve të MMPH.
  3. Furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe përgaditje të ushqimit.

 

IKSHPK do të vazhdojë me monitorimin e cilësisë së ujit për pije sipas kompetencave ligjore në fuqi me përgjegjësi të lartë profesionale duke ofruar mështetje profesionale dhe bashkëpunim në vazhdimësi me KRU “Radoniqi”.

 

Me këto rekomandime kemi parandaluar ndonjë shpërthim eventual hidrik me përmasa të pakontrolluara.

 

Situata epidemiologjike dhe sanitacioni janë në kontrollë të vazhduar nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës epidemiologjike do të pasojë me rekomandime të reja.




Konferenca e III-të Rajonale për Promovim dhe Edukim Shëndetësor

Konferenca e III-të Rajonale për Promovim dhe Edukim Shëndetësor

“MJEDISET E SHËNDETSHME”
Prishtinë, Kosovë, 14 – 15 Nëntor 2019
Organizator:
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar për Promovim dhe Edukim Shëndetësor (AKPESH)

Vendi: Hotel International Prishtina dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës
Data: 14 – 15 Nëntor 2019

Konferenca e Promovimit dhe Edukimit Shëndetësor ofron platformë për profesionistët, akademikët, studiuesit dhe studentët që të kontribuojnë me punimet e tyre mbi tema që lidhen me promovimin dhe edukimin shëndetësor.
Informacione të përgjithshme dhe datat me rëndësi
Gjuha: Gjuhët zyrtare të Konferencës janë shqip dhe anglisht
Data të rëndësishme:
Afati i fundit i dorëzimit të punimit: 20 Tetor 2019
Rezultatet e rishikimit, të shpallura: 31 tetor 2019
Regjistrimi fillon: 1 Tetor 2019
Datat e mbajtjes se konferencës: 14 – 15 Nëntor 2019
Abstrakti: Abstrakti më së shumti 300 fjalë, të dorëzohet në: konferenca2019@niph-rks.org.
I shkruar në Word, lloji i shkronjave Times New Roman, madhësia 12, sipas kësaj radhitje: autori (ët), përkatësia, adresa e-mail, titulli i abstraktit, përmbajtja e abstraktit (Hyrja, Qëllimi,
Materialet dhe metodat, Rezultatet, Diskutimi dhe Konkluzat), 3-5 fjalë kyçe. Poster ose oral prezantim. Kërkohet gjithashtu një biografi e shkurtër (deri në 100 fjalë).
Participimi i pjesëmarrjes në Konferencë: 20.00€ (mjek, stomatolog, farmacist), 10.00€ (infermierë, fizioterapeutë, studentë)
Pagesa bëhet në: BKT – Banka Kombëtare Tregtare Nr. xhirollogarisë: 1903890790031159
Konferenca është e akredituar: 20 pikë pjesëmarrja aktive, 15 pikë pjesëmarrja pasive
Zyra për organizimin e Konferencës:
IKShPK, Departamenti i Mjekësisë Sociale, Rrethi Spitalit Rruga Nënë Tereza, p.n. Prishtinë
Email: konferenca2019@niph-rks.org,

HPE Conference 2019

Informata për Konferencën PESH 2019




Prindër të nderuar! Kujdesuni për fëmijët tuaj!

Prindër të nderuar! Kujdesuni për fëmijët tuaj!
Ruani ushqimet nga minjtë!
Mos përdorni fruta mali të palara sepse mund të sëmureni nga ethet e minjve! KUJDES!

 

 

Duke qenë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve, sot në laboratoret e mikrobiologjosë diagnostikuam rastin e tretë sivjet me ethe të minjve në malësinë e Deçanit!

Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjepruese.

Në organizmin e njeriut shkaktari hy përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës.

Trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë. Poqese të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat.

Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës.

Masat parandaluese

 

1. Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.
2. Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve.
3. Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë
4. Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar
5. Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar
6. Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve
7. Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies
8. Mos hidhni mbeturina kudo
9. Të bëhet klorimi i ujit të pijes
10. Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve
11. Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.