Komunikatë për Media

Sot më 30 janar 2020 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK)  u mbajt takimi i përbashkët me përgjegjësitë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës  lidhur me sigurinë në trafikun rrugor dhe numrin e lartë të aksidenteve në trafik.

 

Siguria rrugore është një çështje shumë e rëndësishme dhe Kosova ka pasur rritje të konsiderueshme të numrit të vdekjeve në trafik në dekadën e fundit, e po ashtu edhe numri i këmbësorëve të vdekur në aksidente rrugore është shumë i lartë.

 

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, Kosova në vitin e kaluar (2019)  në aksidentet në trafik ka pasur 113 persona të vdekur, ndërsa në vitin paraprak (2018) kishte  gjithsej 129 persona të vdekur në aksidentet me fatalitet në trafik.

 

Në takim u konstatua se shkaqet e aksidenteve në trafik janë të shumta dhe të ndryshme, por sigurisht faktori njeri mbetet faktori më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, respektivisht masat që ndërlidhen me shpejtësinë, përdorimin e rripave të sigurisë dhe ulëseve për fëmijë; përdorimin e alkoolit, drogave dhe medikamenteve; mbajtjen e distancës së sigurisë, si dhe gjendjen e automjeteve dhe kohën e ngasjes dhe pushimit për shoferë.

 

IKSHPK dhe Policia e Kosovës theksojnë se zhvillimi i një “kulture të sigurisë rrugore” është shumë me rëndësi, prandaj, duhet ngritur edhe më tej vetëdijesimin e popullatës për rreziqet dhe përgjegjësinë e tyre në trafik, si dhe duhet të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme nga institucionet përgjegjëse për zvogëlimin dhe parandalimin e aksidenteve në trafik.

 

IKSHPK dhe Policia e Kosovës me këtë rast përsërisin edhe disa nga rekomandimet me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafikun rrugor:

 

  1. Qytetarët duhet të respektojnë të gjitha rregullat në trafikun rrugor;
  2. Shoferët duhet të jenë të përqendruar maksimalisht gjatë drejtimit të automjetit;
  3. Shoferët duhet të respektojnë shpejtësinë e lejuar;
  4. Shoferët duhet të mos i përdorin telefonat mobil gjatë vozitjes;
  5. Shoferët me dënime të njëjta të përsëritura duhet të detyrohen t’i nënshtrohen testeve psikologjike dhe për ta nevojiten masa më të rrepta sanksionuese dhe masa shtesë për përmirësimin e ngasjes së tyre;
  6. Lëshimi i çertifikatës mjekësore për patentë shofer duhet të bëhet duke respektuar kriteret në mënyrë rigoroze
  7. Këmbësorët si pjesëmarrës në trafik janë të obliguar t’i respektojnë rregullat e trafikut njësoj sikur edhe pjesëtarët e tjerë në trafik.



Në IKSHPK është mbajtur takim në lidhje me koronavirusin

27 janar, 2020

 

Në Institutin Kombëtar, është mbajtur një takim midis Komitetit për Sëmundje Ngjitëse, ku u diskutua për pneumoninë virale me koronavirus.

 

Drejtori Ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani, lidhur me këtë sëmundje tha se akoma nuk e kemi asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht, me koronavirus. Por, theksoi se është e nevojshme të aktivizohen të gjithë mekanizmat shtetëror e institucional, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.

 

Po ashtu, ai tha se Instituti është i gatshëm, për menaxhimin e të gjitha rasteve dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike, ndërsa shtoi se nuk ka nevojë për panikë, por, sipas tij, ka nevojë për kujdes.

 

Përfaqësuese nga Zyra e OBSH në Kosovë, Prof. Dr. Isme Humolli, u shpreh se tashmë është duke u bërë komunikimi i rrezikut me publikun dhe punonjësit shëndetësor. Ndërsa, tha se matja e temperaturës së udhëtarëve me laser, në aeroportin e Prishtinës, mund të mos jetë aq efektiv, në zbulimin e kësaj epidemie.

 

Prof. Dr. Ariana Kalaveshi, tha se ekzistojnë disa paqartësi, lidhur me këtë epidemi, siç është periudha e inkubacionit të sëmundjes, e cila ende nuk dihet saktë.

 

Në anën tjetër, Drejtoresha e Klinikës Infektive, Dr. Lindita Ajazaj, potencoi faktin se kanë bërë kërkesë që të pajisen me maska dhe mjete tjera mbrojtëse, si dhe tregoi planin për të krijuar një repart të izolimit, brenda kësaj Klinike, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti.

 

Në fund të takimit, u vendos që të formohet një Grup Punues,në lidhje me pneumoninë virale me koronavirus.

 

Komiteti per sëmundje ngjitëse këshillon të gjithë, që t’i përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar.




Drejtori i Institutit Kombetar me ekipin e epidemiologeve nga Instituti, zhvilluan një takim me zyrtarë nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”

Drejtori i Institutit Kombetar me ekipin e epidemiologeve nga Instituti, zhvilluan një takim me zyrtarë nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

 

Ata diskutuan me ekipin e mjekëve, lidhur me masat parandaluese të sigurisë, në lidhje me koronavirusin.

 

Pasi që ekipi mjekësor është brenda ANP “Adem Jashari”, IKSHPK rekomandon këto masa parandaluese të sigurisë:

 

  • Rreziku mbetet akoma i ulët, OBSh nuk rekomandon matjen e temperaturës së udhëtarëve të cilët vijnë në aeroport.
  • Ekipi mjekësor të jetë të kontakt të vazhueshëm me policinë në kontrollin e pikës kufitare, për udhëtarët të cilët e kanë vendin e origjinës së udhëtimit nga Kina.
  • Në rast të të deklarimit që udhëtarët kanë vendin e origjinës nga Kina, atëherë duhet të bëhet:

➢ skriningu i temperaturës së udhëtarëve që arrijnë në ANP “Adem Jashari”

➢ kontrolli mjekësor i udhëtarëve të cilët kanë këto simptome:

➢ ethe dhe simptomat të traktit respirator (p.sh., kollë, vështirësi në frymëmarrje) dhe në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave, ka udhëtuar nga qyteti Ëuhan, Kinë.

– ose –

➢ në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave, ka qenë në kontakt të ngushtë me personin i cili është duke u hulumtuar për 2019-nCoV ose person të sëmurë dhe të konfirmuar nga laboratori 2019-nCoV.

  • Raportimi dhe njoftimi i menjëhershëm i IKShPK.
  • Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.
  • Rreziku i importimit të sëmundjes mund të zvogëlohet nëse kontrollimi i temperaturës gjatë hyrjes shoqërohet me zbulimin e hershëm të udhëtarëve simptomatikë dhe referimin e tyre për ofrimin e ndihmës mjekësore.
  • Shpërndarja e mesazheve të komunikimit të rrezikut në aeroport. Kjo mund të bëhet përmes posterave, fletëpalosjeve dhe komunikimit direkt, duke synuar rritjen e vetëdijes së udhëtarëve për shenjat dhe simptomat e sëmundjes, dhe inkurajimin që të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë dhe raportimin e historisë së tyre të udhëtimit.
  • Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit.

 

Menaxhmenti i ANP”Adem Jashari” u zotua se do ti përmbush të gjitha rekomandimet dhe kërkesat e IKSHPK dhe OBSH për parandalimin e Pneumonise virale me Coronavirus.




Komunikatë për media

Më 31 Dhjetor 2019, OBSH u njoftua për disa raste të pneumonisë në qytetin Wuhan, Provinca Hubei të Kinës. Virusi nuk përputhej me ndonjë virus tjetër të njohur. Kjo ngriti shqetësimin sepse kur një virus është i ri, ne nuk e dimë se si përhapet tek njerëzit.

 

Një javë më vonë, më 7 janar, autoritetet kineze konfirmuan se ata kishin identifikuar një virus të ri. Virusi i ri është një koronavirus, i cili është një familje e viruseve që shkakton rrufë të zakonshme (ftofje) si dhe virusin e SARS dhe MERS. Ky virus i ri u emërua përkohësisht “2019-nCoV”.

 

OBSH ka punuar me autoritetet kineze dhe ekspertë globalë që nga dita kur u informuam, për të mësuar më shumë rreth virusit, si ndikon tek njerëzit që janë të sëmurë me të, si mund të trajtohen dhe masat parandaluese.

 

Aktualisht, rastet e infektuara në Kinë janë eksportuar në SH.B.A., Tajlandë, Japoni dhe Republikën e Koresë.

 

Virusi është i rrezikshëm në rast të shfaqjes së komplikimeve të sëmundjes, sidomos për personat me imunodeficiencë dhe sëmundje kronike.

 

 

Mundësia e përhapjes së këtij virusi ekziston në çdo vend, në rast të kontaktit me burimin e infeksionit siç janë personat që vijnë nga vendet e prekura me këtë virus.

 

 

IKShPK është duke monitoruar nga afër epideminë e sëmundjes respiratore të shkaktuar nga një koronavirus i ri i identifikuar për herë të parë në Wuhan, Provinca Hubei, Kinë

 

IKShPK/ Departamenti i Epidemiologjisë bënë mbikëqyrjen  e rasteve  gjatë tërë vitit, dhe përcjell situatën epidemiologjike.

 

Instituti Kombëtar ka rekomanduar te të gjithë Drejtorët Rajonal të Shëndetësisë Publike dhe punëtorët shëndetësor që të ngrisin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

 

Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (e dëshirueshme sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe IKShPK.

 

 

Të gjitha institucionet shëndetësore të vazhdojnë të zbatojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (2005).

 

 

Instituti Kombëtar do të informojë rregullisht Institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën e Situatave dhe OBSh-në për ecurinë epidemiologjike të Novel Coronavirus (2019-nCoV) në Republikën e Kosovës.

 

 

Në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” është ekipi mjekësor, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e situatës në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.

 

 

Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit.

 

Deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i prekur nga ky virus në vendin tonë.

 

Masat e parandalimit 

 

Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes.

Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.

Shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave.

Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.

Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.

Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.

Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore.




Koronavirusi

Koronaviruset (CoV) janë një familje e madhe e viruseve, që shkaktojnë sëmundje, që klasifikohen nga ftohja e zakonshme deri te sëmundjet më të rënda, siç janë Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (MERS-CoV) dhe Sindroma e Rëndë Respiratore Akute (SARS-CoV). Koronavirusi i llojit të ri (nCoV) është një tip i ri, që nuk është identifikuar më parë tek njerëzit.

 

Koronaviruset janë zoonotikë, që do të thotë se ato transmetohen midis kafshëve dhe njerëzve. Hulumtimet e hollësishme zbuluan se SARS-CoV u transmetua nga macet tek njerëzit dhe MERS-CoV nga devet tek njerëzit. Disa koronavirusë të njohur janë duke qarkulluar tek kafshët, të cilët nuk i kanë infektuar ende njerëzit.

 

Më 31 dhjetor 2019, Zyra e Vendit e OBSH në Kinë, u informua për raste të pneumonisë së etiologjisë së panjohur (shkaku i panjohur) të zbuluar në qytetin Wuhan, Provinca Hubei e Kinës. Një koronavirus i llojit të ri (2019-nCoV) u identifikua si virusi shkaktar nga autoritetet kineze më 7 janar.

 

Me 10 janar, OBSH publikoi një sërë udhëzimesh të përkohshme për të gjitha vendet, mbi mënyrën se si ata të përgatiten për këtë virus, duke përfshirë mënyrën e monitorimit për njerëzit e sëmurë, mostrat për testim, kontrollin e infeksionit në qendrat shëndetësore, mbajtjen e furnizimeve të duhura, dhe komunikimin me publikun për këtë virus të ri.

 

Shenjat e zakonshme të infeksionit përfshijnë simptoma respiratore, temperaturë, kollë, shkurtim të frymëmarrjes, dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneuomoni, sindromë të rëndë respiratore akute, mosfunksionim të veshkave dhe madje edhe vdekje.

 

Rekomandimet standarde për të parandaluar përhapjen e infeksionit përfshijnë larjen e rregullt të duarve, mbulimin e gojës dhe hundës gjatë kollës dhe teshtitjes, përgatitjen me kujdes të mishit dhe vezëve. Shmangni kontaktin e ngushtë me këdo që shfaq simptoma të sëmundjes respiratore, siç janë kollitja dhe teshtitja.

 

Bazuar në informacionin i cili aktualisht është në dispozicion, OBSH nuk rekomandon ndonjë kufizim të udhëtimit apo tregtisë. Vendet inkurajohen të vazhdojnë të fuqizojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare Shëndetësore (2005).

 

Koronavirusi i llojit të ri në Kinë

 

Raste të pneumonisë të shoqëruara me koronavirusin e llojit të ri në Kinë

 

Autoritetet kineze kanë identifikuar një grup të infeksionit të koronavirusit 2019-nCoV në qytetin Wuhan, Kinë. Rastet me histori udhëtimi në Wuhan, janë zbuluar në zona tjera të Kinës, siç janë Beijing dhe Guangdong. Tajlanda, Japonia, Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë raportuar raste. Është e mundur përhapja e mëtejshme globale.

 

Aktivitetet për gjurmimin e kontaktit e higjienën e aplikuar, dhe aktivitetet sanitare mjedisore në Wuhan janë duke vazhduar.

 

Transmetimi i njeriut-tek njeriu  është konfirmuar por nevojiten më shumë informacione për të vlerësuar shtrirjen e plotë, të kësaj forme të transmetimit. Burimi i infeksionit është i panjohur dhe mund të jetë akoma aktiv. Prandaj, mundësia e infektimit të udhëtarëve që vizitojnë Wuhan, duke pasur kontakt të ngushtë me individët simptomatikë konsiderohet e moderuar. Si pasojë, mundësia e importimit të rasteve të 2019-nCoV, në BE/EEA gjithashtu konsiderohet të jetë e moderuar.

 

Zbatimi i praktikave të duhura të parandalimit dhe kontrollit të infeksionit, veçanërisht në mjediset e kujdesit shëndetësor në vendet e BE / EEA me lidhje direkte me Wuhan, bëjnë të mundur që një rast i raportuar në BE të rezultojë në raste sekondare brenda BE/EEA.

 

Tre aeroporte në Bashkimin Evropian (BE) kanë lidhje direkte të fluturimit në Wuhan dhe ekzistojnë lidhje indirekte të fluturimit në qendrat tjera të BE-së. Kremtimet e ardhshme kineze të Vitit të Ri, në fund të janarit, do të shkaktojnë një vëllim të rritur të udhëtimit në/nga Kina dhe brenda Kinës, duke rritur kështu mundësinë e arritjes në BE, të rasteve të mundshme.

 

Hulumtimet mbi epideminë janë duke vazhduar dhe pasi kjo është një situatë në zhvillim të shpejtë, ECDC do të sigurojë informacion të azhurnuar pasi të jetë i disponueshëm.




Ndotja e ajrit po kërcënon shëndetin e popullatës!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike si Institucioni më i lartë shëndetësor, shkencor dhe profesional në vazhdimësi hulumton ndikimin e faktorëve mjedisor në shëndetin e popullatës, propozon dhe merr vendime profesionale dhe u rekomandon institucioneve kompetente eleminimin e mangësive të zbuluara dhe ndikimin e tyre të dëmshëm në shëndet.

 

Jemi të obliguar të informojmë popullatën me shkaqet e ndotjes së ajrit i cili mund të kërcënon shëndetin.

 

Në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole i cili vërehet gjithandej.

 

Vlerat e PM2.5 gjatë dimrit pritet të jenë disa herë mbi vlerat normale.

 

Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyera, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit.
Si burime potencialisht ndotëse tashmë të njohura janë termocentralet elektrike, përdorimi i ngrohjes në sezonën e dimrit, automjetet e vjetëruara dhe trafiku i dendur, djegja e shtuar e karburanteve dhe lëndëve të ngurta djegëse, djegja e mbeturinave, përdorimi i pesticideve, mungesa e sipërfaqeve të mjaftueshme gjelbëruese, mos pastrimi i rrugëve, ndërtimet gjatë tërë vitit pa plan të mirëfillt urbanistik, prania enorme e pluhurit në qytet.

 

Këtë situatë shqetësuese do ta rëndojnë edhe më shumë ditët e ftohëta dhe rënjet e temperaturave që do ta vështirësonte edhe më shumë ndotjen e ajrit si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jokualitative që po përdorin qytetarët.

 

Duke analizuar situtën aktuale dhe parashikimi se edhe sivjet do të ballafaqohemi me të njejtën gjendje të ndotjes së ajrit,

 

Instituti Kombëtar, propozon këto:

 

A. Masa strategjike:

1.Urgjentisht të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet.

2. Adoptimi dhe transpozimi i legjislacionit te ajrit në përputhje me direktivat e EU dhe standardeve të OBSH.

3. Implementimi i programeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta për fushën e aerondotjes.

 

B. Masa specifike:

4. Urgjentisht të hiqen nga përdorimi veturat e vjetra dhe veturat pa katalizator.
5. Inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët.
6. Shtimi i numrit të autobusëve me karburante ekologjike në transport publik.
7. Shtimi i sipërfaqeve gjelbruese në zona urbane.
8. Matja e kontaminimit në pikat kyqe në Kosovë dhe paraqitje ditore e rezultateve online.

 

C.Masa individuale (rekomandime shëndetësore për popullatën) kur ajri ka vlera të larta të ndotjes

1. Të redukohen daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat;
2. Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të happen dritaret për aerosjen e dhomave derisa zgjasin vlkerat e larta.
3. Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall.
4. Të redukohet pirja e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht ndalimi i duhanpirjes brenda hapsirave të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.
5. Grupet e popullatës së rrezikuar të tilla si me sëmundje kronike pulmonare, zemrës, pacientët astmatik dhe të prirur për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna rekomandohet që të kalojnë më shumë kohë në mjedise me nivele të ulëta të ndotësve, të tilla si malet dhe vendpushime të shëndetshme.

 

Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se poqese nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.




GRIPI SEZONAL PO SHTON INTENSITETIN

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të Influencës sezonale me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës përkatëse tetor-maj.
Prej 01 tetor 2019 deri më 05 Janar 2020 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 16.588 raste të dyshimta në Grip, 2931 raste Infeksione respiratore akute dhe 13 raste me Infeksion të rëndë respirator akut.
Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe.

 


Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës dhe Prizrenit, por nuk kalon pragun epidemik.

 


Prej 01 tetor 2019 deri më 5 Janar 2020 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar gjithsej 109 mostra të dyshimta në Grip, prej të cilave 9 mostra kanë rezultuar positive në grip A dhe një pozitive në grip B.

 


Në Klinikën Infektive- SHSKUK prej 1 tetorit deri sot janë të hospitalizuar janë hospitalizuar 349 raste me Dg. Bronchopneumonia (ARI), 15 raste me Dg. ILI dhe 13 raste me Dg.SARI

 


Instituti Kombëtar apelon te të gjithë Drejtorët Rajonal të Shëndetësisë Publike të ngritet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

 


E përsërisim rekomandimin tonë që Inspektorati shëndetësor të mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse.

 


Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal.

 


Si të mbroni vehten dhe të tjerët:

 


• Të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjet dhe personat me sëmundje kronike në të gjitha qendrat e mjekësisē familiare.
• Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat të hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale).
• Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.
• Nëse keni shenja te gripit, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore
• Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerezve
• Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes.
• Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të papastruara
• Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi
• Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni
• Hidhni faculetën në vendin e duhur menjëherë pas përdorimit
• Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni
• Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik

 


E drejta e juaj është ta mbroni shëndetin tuaj

 


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të Gripit dhe është në gjendje gadishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës do të informoheni me kohë.




Pneumonia me shkaktar të panjohur në Kinë

Me 31 Dhjetor 2019, Zyra e OBSH në Kinë, u informua për raste të pneuomonisë, të etiologjisë së panjohur (shkaku i panjohur) të zbuluara në qytetin Wuhan, provinca Hubei në Kinë. Që nga 3 janari i 2020, gjithsej 44 pacientë me pneumoni të etiologjisë së panjohur janë raportuar në OBSH, nga autoritetet kombëtare në Kinë. Nga 44 raste të raportuara, 11 janë të sëmurë rëndë, ndërsa 33 pacientë janë në gjendje stabile. Sipas njoftimeve të mediave, tregu në fjalë në Wuhan, ishte mbyllur më 1 janar 2020 për sanime mjedisore dhe dezinfektim.

 

Agjenti shkakor ende nuk është identifikuar ose konfirmuar.

 

Më 1 Janar 2020, OBSH kërkoi informacione të mëtejshme nga autoritetet kombëtare për të vlerësuar rrezikun.

 

Autoritetet kombëtare raportuar se të gjithë pacientët janë të izoluar dhe po marrin trajtim në institucionet mjekësore në Wuhan. Shenjat dhe simptomat klinike janë kryesisht temperatura, me disa pacientë që kanë vështirësi në frymëmarrje, dhe radiografitë e krahërorit që tregojnë lezione invazive të të dy mushkërive.

 

Sipas autoriteteve, disa pacientë ishin tregtarë apo shitës në tregun e Ushqimit të Detit në Huanan.

 

Bazuar në informacionin paraprak nga ekipi kinez i hulumtimit, nuk është raportuar asnjë dëshmi e transmetimit nga njeriu tek njeriu, dhe asnjë infeksion i punëtorëve të kujdesit shëndetësor.

 

Reagimi i shëndetësisë publike

Autoritetet kombëtare kanë raportuar masat e mëposhtme të reagimit:
• Njëqind e njëzet e një kontakte të ngushta janë identifikuar dhe janë nën vëzhgim mjekësor;
• Përcjellja e kontakteve të ngushta është duke vazhduar;
• Identifikimi i patogjenit dhe gjurmimi i shkakut janë duke u zhvilluar;
• Komisioni Shëndetësor Komunal në Wuhan ka zhvilluar gjetje aktive të rasteve, dhe hulumtimet retrospektive kanë përfunduar;
• Sanimet mjedisore dhe hulumtimet e mëtejshme të higjienës janë duke u zhvilluar

 

OBSH po monitoron nga afër situatën dhe është në kontakt të ngushtë me autoritetet kombëtare në Kinë.

 

Vlerësimi i rrezikut të OBSH-së

 

Ka një informacion të kufizuar për të përcaktuar rrezikun e përgjithshëm të këtij grupi të raportuar të pneumonisë së etiologjisë së panjohur.

 

Lidhja e raportuar në një treg me shumicë peshku dhe kafshësh të gjalla mund të tregojë një lidhje ekspozimi te kafshët.

 

Simptomat e raportuara në mesin e pacientëve janë të zakonshme për disa sëmundje respiratorë, dhe pneuomonia është e zakonshme në sezonin e dimrit; megjithatë, paraqitja e 44 rasteve të pneumonisë që kërkojnë hospitalizim, të grumbulluar në hapsirë dhe kohë duhet të trajtohen me kujdes.

 

Qyteti Wuhan, me një popullsi prej 19 milionë, është kryeqyteti i provincës Hubei, me një popullsi prej 58 milion njerëz.

 

OBSH ka kërkuar informacione të mëtejshme mbi testet laboratorike të kryera dhe diagnozat diferenciale të marra në konsideratë.

 

Këshillat e OBSH-së

Bazuar në informacionin e dhënë nga autoritetet kombëtare, rekomandimet e OBSH për masat e shëndetit publik dhe mbikëqyrja e gripit dhe infeksioneve të rënda respiratore akute ende zbatohen.

 

OBSH nuk rekomandon masa specifike për ata të cilët udhëtojnë. Në rast të simptomave që sugjerojnë sëmundje të frymëmarrjes gjatë ose pas udhëtimit, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e udhëtimit me ofruesit e kujdesit shëndetësor.

 

OBSH këshillon aktualisht të mos ketë përkufizime të udhëtimit ose tregtisë në Kinë, bazuar në informacionin aktual të disponueshëm mbi këtë ngjarje.