Në IKSHPK u shënua Dita Botërore e HIV/AIDS-it

Prishtinë, 29 nëntor 2019

 

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, u shënua Dita Botërore e HIV/AIDS-it, nën moton: “Komunitetet bëjnë ndryshimin”.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar, Prof. Dr. Naser Ramadani, tha se Kosova si vend, përballet me sfida të mëdha socio-ekonomike dhe politike: shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, rritjes së përdorimit të drogave, sjelljeve seksuale me rrezik të lartë, komunitet të MSM-ve të stigmatizuar, lëvizshmëri të shpeshtë të kosovarëve në vendet me prevalencë të lartë, dhe të gjithë këta faktorë, sipas tij, mund të nxisin një përhapje të shpejtë të epidemisë së HIV-it, nëse ato nuk adresohen në mënyrë të drejtë.

“Ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë, drejt parandalimit të sëmundjeve ngjitëse dhe jo-ngjitëse, përmes intervenimit në procesin fillestar, duke identifikuar faktorët e rrezikut, që ndikojnë në sëmundshmërinë e popullatës”, tha mes tjerash ai.

Shefe e Njësisë së HIV/AIDS, në IKSHPK, Dr. Luljeta Gashi tha se Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, por me potencial të rritjes, veçanërisht në mesin e popullatës MSM.

“Që nga viti 1986 deri në vitin 2019, në Kosovë janë raportuar 128 raste, deri më tani 51 kanë vdekur. Në vitin 2019, janë raportuar 6 rastë, dhe dy prej tyre kanë vdekur. Komuna e Prishtinës dominon me numrin më të madh, të rasteve të raportuara”, tha ajo.

Shef i Zyrës së OBSH për Kosovë, Dr Sergei Koryak, tha se 1 në 5 njerëz në rajon , nuk e dinë gjendjen me HIV, dhe se sipas tij, për këtë, nevojitet një angazhim i madh i të gjithë komunitetit.

Koordinatore e Programit të HIV/AIDS, të FG në CDF, Dr. Edona Deva, tha se janë investuar 15 milionë dollarë, për programin nacional kundër HIV/AIDS-it, në mënyrë që sipas saj, të krijohet një evidencë lidhur me këtë sëmundje.

Përfaqësuese nga Klinika Infektive, Dr. Hatixhe Gashi tha se të gjithëve personave të diagnostikuar me HIV/AIDS, përveç këshillimit dhe testimit, u sigurohet edhe terapia antiretrovirale.




Java Botërore e Ndërgjegjësimit për antibiotikët: e ardhmja e antibiotikëve varet nga të gjithë ne

Prishtinë, 20 nëntor

 

FUSHËVEPRIMI DHE QËLLIMI

 

Sfondi

 

 

Rezistenca antimikrobike (AMR) është një nga sfidat kryesore të shëndetit publik në të gjithë botën. Konsumi i antibiotikëve dhe rezistenca që lidhet më të, po rritet në të gjithë botën, veçanërisht në vendet në zhvillim.

 

 

Çdo nëntor, Java Botërore e Ndërgjegjësimit për antibiotikët (ËAAË) synon të rrisë ndërgjegjësimin global për rezistencën antimikrobike dhe të inkurajojë praktikat më të mira në mesin e publikut të gjerë, punonjësve shëndetësorë dhe krijuesve të politikave për të shmangur shfaqjen e mëtejshme dhe përhapjen e rezistencës antimikrobike. Këtë vit moto e ËAAË është: E ardhmja e antibiotikëve varet nga të gjithë ne.

 

 

AMR është një sfidë e madhe për sistemin e kujdesit shëndetësor në Kosovë. Më 5 dhjetor 2018, Ministri i Shëndetësisë nënshkroi një Plan të ri Kombëtar të Veprimit për Rezistencën Antimikrobike, për një periudhë 3 vjeçare. Ky plan, synon të ndërtojë kornizën e masave dhe ndërhyrjeve, për të kufizuar shfaqjen dhe përhapjen e rezistencës antimikrobike në vendin tonë. Aktivitetet e planifikuara të planit të veprimit janë në përputhje me planin global të veprimit të OBSH-së për rezistencën antimikrobike dhe konkluzionet e Këshillit të Evropës për AMR. Agjensia Italiane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (AICS) po e mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për të luftuar AMR.

 

 

Objektivat

Dy objektivat kryesore të takimit janë: të pasqyrohet puna e bërë nga Kosova në parandalimin dhe kontrollin e AMR, dhe të identifikohen  fushat kryesore me përparësi që duhen adresuar dhe mbështetur nga komuniteti dhe qeveria ndërkombëtare, për të përparuar në një përgjigje të One Health ndaj AMR.

 

 

Fushëveprimi

Ky takim është një platformë për institucionet qeveritare, bashkësinë ndërkombëtare dhe donatorët që të mblidhen dhe të diskutojnë situatën aktuale në lidhje me rezistencën antimikrobike dhe fushat e veprimit të përbashkët për të adresuar këtë sfidë.

Ngjarja përfshin një fjalim hyrës, udhëzimet kryesore dhe diskutimet me institucionet qeveritare të ftuara, bashkësinë ndërkombëtare dhe donatorët.




Në IKSHPK u shënua Dita Botërore e Diabetit

Prishtinë, 14 nëntor 2019

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike u shënua Dita Botërore e Diabetit, nën moton “Diabeti: Mbroje familjen tënde”.

Me rastin e shënimit të kësaj ditë, u tha se duhet fokusuar në tri fusha kryesore, të cilat janë: zbulimi i hershëm, parandalimi i diabetit tip 2 dhe menaxhimi.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani, tha se sëmundja e diabetit ka kosto të lartë shëndetësore, pasi sipas tij, është një sëmundje e cila në qoftë se nuk zbulohet dhe mjekohet në kohë, mund të shkaktojë ndërlikime serioze si: sëmundje kardiovaskulare, sëmundje nervore, verbërim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve etj.

Ndërsa, shtoi se kjo sëmundje kërkon angazhim serioz, jo vetëm të të sëmurit, punëtorëve shëndetësorë, por edhe shoqërisë në përgjithësi.

“Sipas të dhënave të regjistrit populativ për vitin 2018, kanë qenë të raportuar 24.7% (E11) pacientë me diabet sheqeror të pavarur nga insulina dhe 14.9% (E10) pacientë me diabet sheqeror, të varur nga insulina. Sipas gjinisë, prevalenca për të dy llojet e diabetit, më e larta ka qenë në mesin e femrave me mbi 50%, dhe grup mosha më e prekur për të dy llojet e diabetit ka qenë mbi 60 vjeç”, tha mes tjerash ai.

Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Naim Bardiqi, tha se Dita Botërore e Diabetit, shërben, për të punuar së bashku në ngritjen e vetëdijes publike për diabetin, por edhe në funksion të mobilizimit të të gjithëve, në parandalimin dhe ballafaqimin me këtë sëmundje, që sipas tij ka implikime shëndetësore, sociale dhe ekonomike, duke marrë parasysh barrën e shpenzimeve për trajtimin e saj, dhe pasojat tjera që i shkakton diabeti.

Ai u shpreh se Ministria e Shëndetësisë, ka në fokus të angazhimeve të saj dy aspekte që lidhen me diabetin: Parandalimin e hershëm, ku sipas tij përveç profesionistëve shëndetësor, kontribut po japin edhe partnerët, përmes projekteve të tyre mbështetëse. Aspekti i dytë, sipas tij, ka të bëjë me trajtimin e të prekurve dhe mbulimin e tyre me terapi.

“Në Kosovë konsiderohet se diku rreth 5-7% e popullatës janë me prevalencë të sëmundjes, ku 20-30% prej tyre, janë të varur nga insulina, e cila u ofrohet falas nga MSH. Ministria e Shëndetësisë, i siguron pesë lloje të insulinave (humane dhe analoge për pacientët”, tha ai.

Shef i Zyrës së OBSH në Kosovë, Dr. Sergei Koryak, tha se prevalenca e kësaj sëmundjeje është duke u rritur viteve të fundit, dhe se sipas tij më tepër se 420 milionë persona në botë, vuajnë nga sëmundja e diabetit.

Për këtë, ai në emër të OBSH, rekomandoi që të prioritizohet parandalimi i sëmundjeve kronike jo-ngjitëse, sepse sipas tij diabeti dhe hipertensioni janë ndër vrasësit më të mëdhenj të personave të moshës së mesme dhe të shtyrë.

Përfaqësuese në Klinikën e Endokrinologjisë, Dr. Rina Tafarshiku, tha se gjatë vitit të kaluar në këtë Klinikë, janë hospitalizuar gjithsej 612 pacientë me Diabet tip 2, prej të cilëve 370 femra dhe 242 meshkuj; 66 pacientë me Diabet tip 1, prej të cilëve 39 femra dhe 27 meshkuj, 6 pacientë me diabet gestacional dhe Diabet specifik 2.

Sipas saj, kushtet infrastrukturore në këtë klinikë, janë përmirësuar dukshëm, dhe se përmbushin standardet bashkëkohore për një klinikë të tillë.

“Me qëllim të vetëdijësimit të pacientëve për sëmundjen e diabetit, në klinikë çdo ditë punë, mbahet edukimi i pacientëve të hospitalizuar, me qëllim të informimit të mirë të tyre, për trajtimin e tij, dietën diabetike, si dhe komplikimeve që i sjell diabeti”, tha mes tjerash ajo.

Drejtoresha e Qendrës Kryesorë të Mjeksisë Familjare në Prishtinë, Dr. Sahadete Hadri, tha se sëmundja e diabetit është në fokus të veçantë për: parandalim, edukim shëndetësor, diagnostikim të hershëm, trajtim adekuat, parandalim i komplikimeve dhe rritje të jetëgjatësisë.

Ajo u shpreh se numri i përgjithshëm i pacientëve insulinëvartës të regjistruar në Barnatoren Qendrore në QKMF-Prishtinë është 2804 pacientë, ndërsa sa i përket pacientëve insulinëvartës nën moshën 18 vjeç është gjithsej 38.