Fillon realizimi i hulumtimit: Vlerësimi i faktorëve të rrezikut për sëmundje kronike në Kosovë – STEPS

Prishtinë, 2 prill 2019

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, bazuar në vendimin e Ministrit të Shëndetësisë, ka filluar filluar realizimin e hulumtimit për vlerësimin e faktorëve të rrezikut për sëmundje kronike në Kosovë – STEPS mbikëqyrja.

Qëllimi i STEPS hulumtimit është që të përcaktojë shpërndarjen e faktorëve të rrezikut për sëmundje kronike në Kosovë në mesin e popullatës së moshës 18 deri 69 vjet, dhe në këtë mënyrë të kontribuoj në rekomandimet e politikave dhe programeve në shëndetësinë publike.

Ky studim do të përcaktojë shkallën e disa prej faktorëve kryesorë të rrezikut për Sëmundjet Kronike Jo-ngjitëse në Kosovë si: Përdorimi i duhanit; Konsumimi i alkoolit; Përdorimi i pakët i frutave dhe perimeve; Përdorimi i lartë i kripës në dietë; Mos-aktiviteti fizik; Shtypja e rritur e gjakut; Obeziteti; Rritja e glikemisë esull dhe niveli i lartë i yndyrnave në gjak.

IKSHKP do të grumbullojmë informacion prej 3072 pjesëmarrësve nga tërë Kosova në vendbanimet në të cilat hulumtimi do të realizohet gjatë tre hapave.

Reduktimi i faktorëve të rrezikut për shëndetin ka qenë preokupim i njerëzve, mjekëve dhe politikanëve gjatë historisë. Sëmundjet kronike jo-ngjitëse vazhdojnë të dominojnë në mbarë botën. Ato janë përgjegjëse për shumicën e vdekjeve në nivel global. Gjithsej 56 milionë vdekje në mbarë botën janë shkaktuar në vitin 2012.

Prej këtyre, 38 milionë (68%) ishin nga sëmundjet kronike jo-ngjitëse, veçanërisht sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe sëmundjet kronike respiratore. Më 2030, këto shifra pritet të rriten në 52 milionë vdekje. Përafërsisht 42% e vdekjeve nga sëmundjet kronike jo-ngjitëse janë premature dhe shkaktohen para moshës 70 vjeçare.

Ndryshueshmëritë në duhan-pirje, shtypje të gjakut, dhe obesiteti shpjegojnë ndryshueshmëritë në mortalitetin prej sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit si dhe jetëgjatësinë e pritur të jetës.

Ky hulumtim realizohet me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë-Zyra në Prishtinë dhe nga SDC-Swiss Agency for Development and Cooperation ( Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim).




Kujdes gjatë drejtimit të automjeteve sepse automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme

Qytetarë tê nderuar!
Nga 1 janari i vitit 2017, në aksidente rrugore kanë humbur jetën mbi 280 persona, prej tyre 137 kanë vdekur më 2017, 129 më 2018.

Në tre muajt e parë të këtij viti mbi 20 persona që kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në trafikun rrugor në Kosovë. Ky trend është tejet shqetësues për  Institutin Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i cili po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike të aksidenteve në trafik.

Instituti Kombëtar vite me radhë shpreh shqetësimin lidhur me numrin e madh të aksidenteve në trafik, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen qinda persona që paraqesin shifra alarmante dhe shumë shqetësues fakti se shumica e viktimave janë këmbësorë. Deri tani është ndërmarë shumë pak në parandalimin e tyre!

Shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës përdorimi i shpeshtë i telefonave mobil, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë, trajnimi joserioz gjatë dhënies së provimit për shofer, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike, ku infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve  janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes.

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor e sidomos është brengosës fakti se ndër viktima ka të përfshirë fëmijë.

Te autorët e aksidenteve vërehet mungesë e edukatës qytetare për rregullat e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve, mosdhënien e përparësive në komunikacion në mes tjerash si persona egocentrik, të prirur të perceptojnë se bota sillet vetëm rreth tyre, vështirë të shohin rrethin dhe të akseptojnë të tjerët, ku veten e perceptojnë në piedestalin e kontrollit absolut ndaj të tjerëve.

Instituti Kombëtar jep këto:
REKOMANDIME

• Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.
• Zbatimi me rigorozitet i Ligjit per komunikacionin deri në ndalesën e vozitjes pë shkelje të rënda të përsëritura.
• Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijësohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.
• Angazhimi i mas-mediave në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve.
• Me fillimin e vitit të ri shkollor të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo – arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit.
• Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve.
• Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese me vlerësim rigoroz të shëndetit mendor të vozitësve që kanë bërë shkelje të rënda të njëpasnjëshme.
• Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve, të kompletohet sinjalizimi dhe respektimi rigoroz i rregullave të parkimit të veturave.
• Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare.
• Inspektimi rigoroz i autoshkollave dhe kritereve për marrjen e patent shoferëve.
• Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.

Instituti Kombëtar rekomandon zbatimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor që nuk ka si qëllim në vetvete dënimin e shtetasve që kryejnë kundravajtje, por uljen në maksimum të aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së jetës së shtetasve që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Duhet të kuptohet nga të gjithë se jeta është më e shtrenjtë nga një shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor.

Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se poqëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme.

Andaj bëjmë apel te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve sepse automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme.