Në IKSHPK shënohet Dita Ndërkombëtare e Zemrës

Prishtinë, 28 shtator 2018

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, është mbajtur konferencë, për nder të Ditës Botërore të Zemrës, nën moton: “Një premtim…për zemrën time, për zemrën tënde, për të gjithë zemrat tona”, në mënyrë që të kuptohet se çka duhet ndërmarrë për të reduktuar faktorët e rrezikut.

Në këtë konferencë u tha se arsyeja e shënimit të kësaj dite është: “Thirrje për aksion për të gjithë ata, që me kontributin e tyre do të përkrahin masat e parandalimit të sëmundjeve kardiovaskulare në Kosovë dhe në botë”.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani tha se sëmundjet kardiovaskulare zënë vendin e parë si shkaktar i të gjitha vdekjeve, ndaj mund të konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë kosovare.

“Edhe për vendin tonë, pavarësisht se kjo rritje i dedikohet në rradhë të parë rritjes së moshës mesatare të popullatës, apo rritjes së numrit të të moshuarve, e theksojmë se 61% e shkaktarëve janë faktorët që ne vetë mund t’i kontrollojmë, si p.sh: kontrolli apo trajtimi i rregullt i hipertensionit, shmangia e duhanpirjes, ushqyerja me fruta e perime, të qenit më aktiv etj”, tha ndër të tjerash ai.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Ali Berisha tha se incidenca e lartë e sëmundjeve kardiovaskulare është një arsye më tepër që institucionet shëndetësore dhe profesionistët shëndetësor të Kosovës, të bëjnë atë që është në përgjegjësinë e tyre, për të ndërmarrë veprime në kohë, me fokus në zvogëlimin e faktorëve të rrezikut, duke favorizuar një stil të shëndetshëm të jetës, pa duhan, pa alkool dhe me aktivitet të rregullt fizik.

“Përveç aktiviteteve parandaluese, Ministria e Shëndetësisë është duke i kushtuar kujdes të shtuar dhe fuqizimit të shërbimeve diagnostike dhe shërbimeve të kardiologjisë invazive, si dhe kardiokirurgjisë, shërbime këto që gjatë këtij mandati janë zhvilluar në nivele të larta dhe po japin një impakt të drejtpërdrejtë në trajtimin me kohë, të pacientëve të prekur nga sëmundjet akute kardiovaskulare; shpëtimin e shumë jetëve, përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe kursimin e mjeteve të taksapaguesve kosovarë, nga shpenzimet e trajtimit jashtë vendit”, u shpreh Berisha.

Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Dr. Tefik Bekteshi tha se vdekshmëria nga sëmundjet kardiovaskulare është 6.5%. Ndërsa u shpreh se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të implementohet programi i mjekimit të infarktit akut me PCI.

Ai gjithashtu u shpreh se është e rëndësishme ngritja e vetëdijes tek qytetarët, lidhur me parandalimin e sëmundjeve të zemrës, ku këtu hyjnë një numër faktorësh si: duhanpirja, obeziteti, aktiviteti fizik etj.

Përfaqësuesja e Kujdesit Shëndetësor Parësor, Dr. Florie Hyseni-Morina tha se sot në Ditën Botërore të Zemrës, në çdo Qendër të Mjeksisë Familjare, zhvillohen aktivitete të ndryshme si: këshilla, matje e shtypjes së gjakut, shpërndarje e materialit të shkruar edukativ.

Ndërsa u shpreh se fokusi i dhënies së informacioneve gjatë këtyre aktiviteteve do të jetë rëndësia e vizitës mjekësore të kohëpaskohëshme te mjeku familjar, edhe kur pacienti nuk ka ndonjë ankesë apo simptomë të sëmundjes.