Komunikatë për media: Vërshimet në disa rajone të Kosovës

01 dhjetor 2017

Vërshimet paraqesin gjendje të jashtëzakonëshme ku mes tjerash, mund të përkeqësohet cilësia e ujit të papëpunuar nga të reshurat, dëmtohet sistemi i kanalizimit (largimit të ujërave të zeza), kontaminohen puset që furnizojnë territoret rurale me ujë të pijshëm dhe  sistemi i  përpunimit dhe furnizimit me ujë të pijshëm.

 

Kur kësaj situate i shtohen edhe vërshimet nga prrojet dhe lumenjt ku shtretërit e tyre janë deformuar, pas reshjeve ato fryhen dhe depërtojnë në mjediset e banuara. Në vendbanime rrjetet e kanalizimeve janë të ngulfatura me mbeturina dhe qesin në siprfaqe materje fekale.

 

Bazuar në rezultatet e monitorimit të ujit për pije të dhënat  laboratorike për parametrat bakteriologjik dhe kimik rezultojnë mbrenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije, UA 16/2012.

 

Duke patur parasysh situatën e krijuar pas vërshimeve në disa rajone të Kosovës, e sidomos pjesën qendrore, Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Dragash, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike jep këto rekomandime:

  1. Sigurimi i ujit higjienik për pije të ofrohet nga cisternat e kompanive ujore komunale deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e vërshuara.

2. Furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe përgaditje të ushqimit.

3. Uji i puseve në vendbanimet vërshuara është ndotur nga plehrat dhe materjet fekale andaj nuk mund të përdoret si i tillë për pije dhe duhet patjetër të vlohet para përdorimit në 100º C së paku 10 min.

4. Kompanitë ujore publike/ujësjellësit/ të përforcojnë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojnë ujin.

5. Ujësjellësit të furnizojnë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal, për të pamundësuar kontaminimin dhe parandalimin e epidemive hidrike.

6. Ekipet e ujësjellësve rajonal të debllokojnë nyjet e kanalizimeve për të mos kontaminuar lagjet e vërshuara me materje fekale në të gjitha vendbanimet e vërshuara.

Situata epidemiologjike është në kontrollë të vazhdueshme nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës në terren do të pasojë me rekomandime të reja.




Lansimi i projektit – Vlerësimi i Shërbimeve Esenciale të Shëndetësisë Publike në Kosovë

01.12.2017, Prishtinë

Sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësië Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë, është konstituuar Komiteti mbikqyrës për procesin e vlerësimit të shërbimeve esenciale të shëndetësisë publike/Esential Public Health Operations- EPHOs/në Republikën e Kosovës, duke e shfrytëzuar instrumentin vlerësues të OBSh për regjionin Evropian, e gjithë kjo me qëllim të definimit të shëndetësisë publike moderne.

 

Bazuar në Health for all Policy 2020 të OBSH-së, Zyra Rajonale për Evropë, shërbimet bazike të EPHOs përbëjnë fushat kryesore të Shëndetësisë Publike duke mbuluar në mënyrë gjithëpërfshirëse parandalimin e sëmundjeve, promovimin dhe kujdesin shëndetësor, sistemin shëndetësor përkrahës për ofrimin e shërbimeve adekuate me fokus në barazinë shëndetësore, involvimin e popullatës dhe modelet e qeverisjes ndërsektoriale. EPHOs kanë dëshmuar të jenë një instrument i vlefshëm dhe praktik për të promovuar një kuptim të harmonizuar të shëndetit publik, brenda dhe jashtë sektorit të shëndetësisë.

 

Ky vlerësim do të mundësoj fuqizimin e dialogut në lidhje me përparësitë dhe mangësitë në shëndetësinë publike në Kosovë, gjenerimin e opsioneve të politikave shëndetësore dhe rekomandimeve për reformim, do të kontribuojë në zhvillimin e politikave të shëndetësisë publike, por mund të shfrytëzohet edhe për qëllime edukative dhe trajnime.

 

Procesi i vlerësimit të Shërbimeve Esenciale të Shëndetësisë Publike përfshin një spektër të gjerë të akterëve të shëndetit publik dhe ka një qasje pjesëmarrëse dhe sistematike. Procesi i vlerësimit të EPHOs do të rezultojë me një dialog politik për të diskutuar rekomandimet prioritare me hartuesit e politikave nga sektorë të ndryshëm dhe përfaqësues të shoqërisë civile, secili prej të cilëve ka një rol kyç në përmirësimin e shëndetësisë publike. Rezultatet e vlerësimit do të shërbejnë si të dhëna për planifikimin e informuar të veprimeve pasuese për fuqizim të shëndetësisë publike.

 

Procesi i vlerësimit të EPHOs do të përkrahet nga zyra e OBSH-së në Kosovë, nëpërmjet sigurimit të mbështetjes teknike, administrative dhe organizative.




Shënohet Dita Botërore e HIV/AIDS nën moton: „Të gjithë vlejnë“

Prishtinë, 1 dhjetor 2017

 

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, është shënuar Dita Botërore e HIV/AIDS nën moton „Të gjithë vlejnë“.

Me këtë rast u tha se shënimi i Ditës Botërore të AIDS  është një mundësi për të gjithë njerëzit në mbarë botën të bashkohen në luftën kundër kësaj sëmundje, të tregojnë mbështetjen për njerëzit që jetojnë me HIV dhe për të përkujtuar njerëzit që kanë vdekur.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani tha se Instituti Kombëtar e përcjellë në vazhdimësi situatën epidemiologjike me HIV/AIDS dhe merret me parandalimin e HIV-it.

Ai tha se Instituti tashmë ka përfunduar dy hulumtime nga fusha e HIV/AIDS: „Mapingu programor dhe vlerësimi i madhësisë së popullatave kyçe në Kosovë, 2016“ dhe „Hulumtimi i shpejtë kualitativ për vulnerabilitetin specifik të komuniteteve RAE në lidhje me infeksionin HIV dhe AIDS në Kosovë“, të përkrahura nga Projektet e Fondit Global në Kosovë dhe sivjet tashmë është gati të fillojë hulumtimi i katërt me radhë „Mbikëqyrja biologjike dhe e sjelljeve në mesin e personave që injektojnë drogë, meshkujve që bëjnë seks me meshkuj dhe femrave punëtore të seksit në Kosovë, për vitin 2017“.

„Kosova si vend përballet me sfida socio-ekonomike dhe politike: shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, rritjes së përdorimit të drogave, sjelljeve seksuale me rrezik të lartë, komunitet të MSM-ve të stigmatizuar, lëvizshmëri të shpeshtë të kosovarëve për dhe nga vendet me prevalencë të lartë, dhe të gjithë këta faktorë mund të nxisin një përhapje të shpejtë të epidemisë së HIV-it nëse ato nuk adresohen në mënyrë të drejtë“, tha ndër të tjerash Prof. Dr Ramadani.

Ndërsa theksoi se Instituti Kombëtar do të vazhdojë rrugëtimin drejt parandalimit të sëmundjeve ngjitëse dhe jongjitëse përmes intervenimit në procesin fillestar, duke identifikuar faktorët e rrezikut që ndikojnë në sëmundshmërinë e popullatës.

Zv. Ministër i Shëndetësisë, Dr. Granit Abdullahu tha se MSH ka bërë përpjekje të vazhdueshme që problemin e HIV-it ta adresojë në mënyrë të drejtë, në parandalim dhe trajtim.

„Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të mbulojë shpenzimet për terapi Anti Retrovirale (ARV), prokurorimi i së cilës do të realizohet përmes UNICEF-it. Gjithashtu, MSH siguron materialin harxhues për realizimin e testeve që ndihmojnë njohjen e statusit imunologjik të pacientëve me HIV dhe AIDS si dhe sasinë e virusit në qarkullim të gjakut që janë në terapi dhe ndihmon infektologët në monitorimin e gjendjes së tyre”, tha Dr. Abdullahu.

Ai tha se Ministria e Shëndetësisë nga ky vit ka filluar t’i mbulojë shpenzimet për terapinë mbajtëse me Metadon, shërbim i cili ofrohet në 5 qendra të licencuara në Kosovë, dhe se kjo ministri ka aprovuar strategjinë dhe planin e veprimit për vitin 2018-2022 dhe se sipas tij do të jetë e përkushtuar në realizimin e kësaj strategjie.

Dr. Ardita Tahirukaj, shefe e zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se programet e parandalimit kanë kontribuar në zvogëlimin e numrit të të infektuarëve të rinj me virusin HIV, ku është shënuar një rënie prej 35% në incidencë që nga viti 2000.

Ajo bëri të ditur se zgjerimi masiv i terapisë antiretrovirale ka zvogëluar numrin e njerëzve që vdesin nga shkaqet e lidhura me infeksionin HIV në afërsisht 45% më pak se në vitin 2005.

“Në rajonin Europian të OBSH-së, epidemia e HIV vazhdon të rritet në një shpejtësi alarmuese, kryesisht në pjesën lindore, që përbën 80% të 160 000 diagnozave të reja të infeksionit me HIV. Nëse vazhdon ky trend ne nuk do të jemi në gjendje që të arrijmë qëllimin e Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm për përfundimin e epidemisë së HIV-it deri në vitin 2030”, tha ndër tjerash ajo.

Ndërsa theksoi se OBSH ka zhvilluar udhërrëfyes për përmirësimin e testimit të HIV në Evropë, që u është dedikuar menaxherëve kombëtarë të HIV-it, punëtorëve shëndetësorë, për t’i përkrahur që të rrisin qasjen në këshillimin dhe testimin për HIV.

Menaxhere e HIV/AIDS FG CDF, Dr. Edona Deva tha se luftimi i stigmës dhe diskriminimit, trajtimi dhe kujdesi ndaj atyre që jetojnë me HIV përkon me respektimin e të drejtave elementare të njeriut: të drejtën per trajtim/shërbime shëndetësore, si dhe të drejtën për edukim dhe punësim.

“Partneriteti i gjërë të cilin e ka krijuar programi i Fondit Global, i mbështetur nga puna e palodhshme e shumë njerëzve ka sjellë në vendin tonë progress në krijimin e shërbimeve parandaluese dhe përkrahëse për HIV, si dhe ndryshim në qasjen institucionale ndaj grupeve të margjinalizuara të shoqërisë në aspektin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore”, tha ndër të tjerash ajo.

Ndërsa rekomandoi të përmirësohet baza e të dhënave dhe provave për një reagim të përgjegjshëm nacional, te pilotohet PIT, për të rritur shkallën e testimit për HIV, si dhe të themelohen mekanizmat e kontraktimit social të OJQ-ve që punojnë në këtë fushë.

Dr. Dafina Gexha nga IKSHPK prezantoi situatën me HIV në Kosovë, ku u tha se Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, por me potencial të rritjes, posaçërisht në mesin e popullatës MSM.

U tha se gjatë vitit 2017 janë raportuar 2 raste të reja, mirëpo nuk ka raste të vdekjes si pasojë e AIDS-it.

Në linkun e mëposhtëm gjeni edhe Ecurinë e HIV në Kosovë të paraqitur në grafe.

Ecuria e HIV ne Kosove