Vaksinimi i fëmijëve në Kosovë – nga më të mirët në botë

Shkalla e vaksinimit të fëmijëve në Kosovë arrin në 95%, kurse që nga viti 1981,në Kosovë nuk ka paraliza të fëmijëve dhe difteri, tetanos neonatal nuk ka nga 1998 si dhe Kosova ka përqafuar Programin e Eliminimit të Fruthit dhe Rubellës kongjenitale.

 

Prishtinë, 24 prill 2017

 

Përfshirja me imunizim në Kosovë ka arritur në shkallën 95% dhe kjo e bën Kosovën të radhitet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket vaksinimit të fëmijëve.

Kështu u tha sot në fillimin e shënimit të Javës së Imunizimit në Prishtinë, e cila synon të promovojë përdorimin e vaksinave për t’i mbrojtur njerëzit ë të gjitha moshave me theks në nevojën për të rritur ndërgjegjësimin e hartuesve të politikave, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe kujdestarëve si dhe popullatës më të gjerë për rëndësinë e imunizimit në mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet parandaluese.

 

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se imunizimi kursen shumë jetë për çdo vit. “Kjo është arritje e madhe në fushën e shëndetit publik, kjo është e arritur e madhe edhe në Kosovë….Në bazë të raporteve, një numër i madh i fëmijëve janë të vaksinuar në Kosovë. Jemi duke punuar në  përfshirje edhe më të madhe  në vaksinim i fëmijëve të grupeve të cenueshme, posaçërisht të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, tha ai.

 

Padyshim, theksoi ai, sukseset e arritura në këtë program janë rezultat i punës dhe angazhimit të IKShPK, menaxherëve të institucioneve shëndetësore dhe profesionistëve shëndetësor. “Gjithsesi kjo e arritur nuk mund të mendohej  edhe pa bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me prindërit që kujdesen për t’i vaksinuar fëmijët. Padyshim, se programi është i suksesshëm duke ju falënderuar përkrahjes së partnerëve tonë, UNICEF-it dhe OBSh-së”.

Ministri Rrahmani tha se Ministria e Shëndetësisë, ka prioritet programin e vaksinimit dhe një nga prioritetet për këtë vit është hartimi i planit strategjik për programin e imunizimit.  “Ky plan është edhe në planin e veprimit të qeverisë për vitin 2017. Plani është në përputhje me kornizat dhe rekomandimet globale, bazohet në dokumentin që është hartuar me përkrahjen e ekspertëve të UNICEF-it, Ministria e Shëndetësisë,  ka organizuar takim me përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit, autoritetet lokale, për të përforcuar bashkëpunimin dhe koordinimin në ofrimin e shërbimeve në nivel lokal, duke identifikuar dhe vaksinuar grupet me të cenueshme, gjatë programit të rregullt dhe javës së imunizimit”, tha Ministri Rrahmani.

 

Zëvendësshefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju imunizimi është një nga nismat më të suksesshme të shëndetit publik dhe programet shëndetësore me kosto më efektive. “Vaksinat kanë efekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e fëmijëve. Çdo vit, imunizimi shmang rreth 2-3 milionë vdekje të fëmijëve nga sëmundjet vdekjeprurëse që i prekin fëmijët në mënyrë jo-proporcionale (të dhënat e Imunizimit Global 2012, të OBSH & UNICEF)”. Ai theksoi nevojën për rritjen e shkallës së përfshirjes në imunizim të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian. “Megjithatë, mbulimi i imunizimit mbetet shumë më i ulët në mesin e komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptiane, ku më pak se një e treta e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë 24-35 muajsh janë plotësisht të imunizuar (30%) (MICS 2014). Konsiderohet se një nga arsyet për mbulimin e ulët të imunizimit është si pasojë e mungesës së njohurive dhe ndërgjegjësimit për pasojat shëndetësore tek fëmijët që nuk vaksinohen”, tha ai, duke shtuar se UNICEF mbështet prokurimin e vaksinave për Programin e Zgjeruar të Imunizimit, pa përfitim, sipas kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Memorandumit të Mirëkuptimit.

 

Ushtruesja e Detyrës së shefes së Zyrës së OBSh-së në Kosovë, Ardita Tahirukaj, tha se imunizimi është thelbësor për arritjen e prioriteteve të zhvillimit. Ajo theksoi gjithashtu se zgjerimi i qasjes në imunizim është vendimtar për arritjen e Qëllimeve të Zhvlillimit të Qëndrueshëm…

 

Tahirukaj theksoi se punonjësit shëndetësor luajnë rol kyç në promovimin e vaksinimit, ndërsa prej vitit 2010-2015, vaksinat kanë parandaluar së paku 10 milionë vdekje në botë.

Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së, tha se për të zvogëluar shkallën e lartë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, objektivi kryesor i Programit të Zgjeruar të Imunizimit është arritja e shkallës së lartë të përfshirjes me vaksinim të rregullt sidomos te fëmijët e grup-moshës 0 deri 12 muaj. “Viteve të kaluara përfshirja me imunizim në Kosovës është ngritur në 95% që është përfshirje e lartë që na bën të radhitemi mes shteteve më të suksesshme në botë”, tha Ramadani. Ai theksoi se falë vaksinimit, Kosova nuk ka sot paraliza të fëmijëve nga 1981, nuk ka difteri nga 1981, tetanos neonatal nga 1998 si dhe ka përqafuar Programin e Eliminimit të Fruthit dhe Rubellës kongjenitale.

Doajeni i imunizimit në Kosovë, profesori Jusuf Dedushaj tregoi për historikun e vështirë nëpër të cilin ka kaluar ky proces dhe sukseset e mëdha që janë arritur, falë profesionistëve shëndetësor dhe bashkëpunimit me prindërit, duke eliminuar sëmundje vaksinë preventabile.

 

Kurse, drejtoresha e Departamentit të Epidemiologjisë (IKSHP), njëherësh koordinatore e Programit të Imunizimit, Isme Humolli prezantoi Planin shumë vjeçar për programin e imunizimit 2017-2021 dhe të dhënat për përfshirjen në vaksinim 2015 dhe 2016.

 

Ajo tha se duke respektuar faktin që secili fëmijë meriton fillimin e shëndetshëm të jetës është e udhës që shtetet të shfrytëzojnë Javën e Imunizimit për të përforcuar sistemin e tyre të imunizimit , ngritjen e vetëdijes si të kujdestarëve të fëmijëve, punëtorëve shëndetësor dhe vendimmarrësve.

 

Po sot, për punëtorë shëndetësor që kanë dhënë kontribut të çmuar në Programin e Imunizimit në Kosovë u ndanë mirënjohje nga Ministria e Shëndetësisë.

 

Java e Imunizimit është organizuar nga MSh në bashkëpunim me IKSHP-në, UNICEF-in dhe partnerë të tjerë nga sektori qeveritar dhe jo-qeveritar në Kosovë.

 




Në Ditën Botërore të Shëndetit flitet për depresionin dhe trajtimin e tij

Prishtinë, 7 prill 2017

Me moton: “Depresioni, të flasim”,  me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit 2017, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, u mbajt sot një tryezë profesionale, në të cilën zyrtarë të lartë shëndetësor dhe profesionistë të fushës së shëndetit mendor është folur për depresionin si problem shëndetësor e social, sfidat e trajtimit dhe qasjet ndaj kësaj sëmundje.

Tryeza është organizuar nën patronatin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe përkrahur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Zyra në Prishtinë.

 

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se  është evidente se Kosova, me ndihmën edhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka bërë hapa pozitiv në fushën e reformës së shëndetit mendor, fakt ky që është potencuar edhe në raportet e kësaj organizate, duke i shtrirë shërbimet prej një sistemi të bazuar në trajtimin spitalor, në shërbime të shëndetit mendor të bazuar në komunitet, për t’i ndihmuar kështu pacientët që të jenë sa më afër komunitetit dhe të kenë më shumë gjasa për t’u integruar.

“Fatkeqësisht, të dhënat në nivel global, e rrjedhimisht kështu duhet të jetë edhe tek ne në Kosovë,  flasin për rritje të konsiderueshme të njerëzve të prekur nga depresioni dhe kjo çështje duhet të na bëjë edhe më të vëmendshëm që të rrisim angazhimin tonë si institucione dhe si profesionistë që tek qytetari ynë të përcjellim mesazhin e rëndësishëm apo gatishmërinë për mbështetje personave të prekur nga depresioni që nga familja për të  vazhduar me ndihmën profesionale nga profesionistët shëndetësor në institucionet shëndetësore dhe në ato në komunitet.

 

Duke potencuar faktin se financimi i shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë ka qenë i ulët ndër vite dhe  përmirësime të ndjeshme mund të prekim vetëm pas fillimit të sigurimit shëndetësor. Ministri Rrahmani tha se përmirësimi i financimit  do ta kishte rëndësinë e vet në dy dimensione: “

Në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të qytetarëve që është edhe një nga objektivat kryesore strategjike të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore 2017-2021 dhe; në parandalimin e humbjeve ekonomikë të sistemit tonë shëndetësor si pasojë e uljes së produktivitetit në punë dhe shpenzimeve të mëdha për trajtimin e të prekurve nga depresioni…”.

 

Dr. Ardita Tahirukaj, shefe e Zyrës së OBSh-së në Kosovë, tha se Dita Botërore e Shëndetit këtë vit (2017) fokusohet në depresionin – që është shkaktari – kontribuesi i dytë më i madh ne shkaktimin e pa aftësisë apo dëmtimin e shëndetit, dhe një nga shkaktarët kryesor për rreth 128.000 vdekje nga vetëvrasja që ndodhin çdo vit në Rajonin Evropian të OBSh-së. Numri i personave me çrregullime depresive në Rajon arrin në 40 milionë, me prevalencë në shtete me variacion nga 3.8% në 6.3% të popullatës së përgjithshme, sipas vlerësimeve të fundit të publikuara nga OBSh mbi shëndetin global për vitin 2015.

Ajo tha se parandalimi dhe trajtimi më efikas i depresionit, i kombinuar me ndërgjegjësim për sëmundjen janë tejet të rëndësishme, në drejtim të mbulimit shëndetësor dhe integrimit shoqëror.  “Përpjekjet e tilla do t’i ndihmojnë shtetet për të arritur synimin 3.4 të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm deri në vitin 2030, zvogëlimin deri në një të tretën te vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet jo-ngjitëse përmes parandalimit, trajtimit dhe promovimit të shëndetit mendor dhe mirëqenies”, tha dr. Tahirukaj duke shtuar se  OBSh ne Kosove që nga vitin 1999 ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e politikave bashkëkohore për shërbimet e shëndetit mendor me baze ne komunitet, ngritje të infrastrukturës fizike, ngritje te kapaciteteve profesionale bazuar në praktikat më të mira

 

Dr. Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së, tha se depresioni është një barrë e rëndë për shëndetin publik në përgjithësi, me që përfshin numër të madh të njerëzve të ndikuar nga depresioni si dhe të tjerët që janë ndikuar në mënyrë të tërthortë, qoftë anëtarët  familjes, pjesëtarët e shoqërisë civile. Duke vlerësuar se depresioni mund të identifikohet herët nga profesionistët shëndetësor, për këtë arsye politikat dhe aktivitetet promovuese në nivel lokal dhe nacional janë shumë të rëndësishme për promovimin e masave parandaluese, menaxhimin dhe trajtimin e depresionit.

 

Dr. Curr Gjocaj, drejtor i SHSKUK-së, tha se, sa u përket shërbimeve shëndetësore për njerëzit e prekur nga depresioni dhe në nevojë, dr. Gjocaj tha se SHSKUK ka përkrahur dhe përkrah shërbimet komunitare përmes qendrave të shëndetit mendor me një infrastrukturë bashkëkohore në to dhe staf multidiciplinar  në të gjitha rajonet në vend e po ashtu edhe në repartet psikiatrike dhe Klinikën Psikiatrike me një numër solid të profesionistëve të gatshëm për ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor.

 

Një prezantim të natyrës profesionale rreth çrregullimeve të depresionit , shkaqeve, sfidave të menaxhimit dhe hapave parandalues e prezantoi neuropsikiatri Bujar Berisha nga Klinika e Psikiatrisë (QKUK), ndërkohë që profesionistë të tjerë nga qendrat e shëndetit mendor dhe institucione të tjera, diskutuan për këtë temë, duke dhënë edhe ide dhe rekomandime për përmirësimin e qasjes ndaj kësaj problematike shëndetësore e sociale.

 

Një prej tyre u tha të jetë edhe fuqizimi i konceptit të mjekësisë familjare, qasja pa paragjykimi, terapi më gjithëpërfshirëse për të prekurit dhe qasje multi-disiplinare në menaxhimin dhe trajtimin  e depresionit.




MSh diskuton me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi për zhvillimet në shëndetësi

Prishtinë, 6 prill 2017

 

Ne iniciativë të tij, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, priti sot në një takim informues në MSh anëtarët e Komisionit për Shëndetësi  dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 Në këtë takim, Ministri Rrahmani i njoftoi ata me zhvillimet aktuale në shëndetësi, hapat e ndërmarrë për funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, plotësimin e legjislacionit aktual dhe tema të tjera me interes nga shëndetësia.

 Nga MSh është kërkuar mbështetja  e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit, për realizimin e hapave legjislativ që lidhen me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

 Gjithashtu, në takim, janë diskutuar edhe tema të tjera lidhur me punësimin e specialistëve dhe kategorive të tjera të profesionistëve në shëndetësi; çështje që lidhen me Inspektoratin Shëndetësor dhe të tjera.