MSh, IKSHP dhe UNICEF-i inkurajojnë komunitetin Romë, Ashkali dhe Egjiptian për një vaksinim sa më të mirë të fëmijëve

Komunikatë për media

Prishtinë, 22 mars 2017

 

Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ardian Mehmetaj, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të IKSHP-së, UNICEF-it, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Kthimit dhe Komuniteteve dhe përfaqësues të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptian, në të cilin u bisedua për procesin e imunizimit të fëmijëve në Kosovë.

 

Në këtë takim, ishin të pranishëm edhe drejtorët e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare nga komunat ku jetojnë ky komunitet.

Ky takim, ka qenë i karakterit konsultativ dhe kishte për qëllim që të inkurajoj këto komunitete që të jenë pjesë e imunizimit sa më gjithëpërfshirës, bazuar edhe në  Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2017 – 2021, ku programi i imunizimit është prioritet i lartë ndërsa në fokus është përfshirja sa më e mirë në këtë proces edhe e këtij komuniteti.

 

Në këtë takim gjithashtu është biseduar për planet e imunizimit në nivel qendror dhe lokal, sfidat e realizimit të vaksinimit, kontributet e institucioneve relevante dhe përkrahjen e kërkuar.

Ky takim ishte, gjithashtu, në vazhdën e përgatitjeve për shënimin e Javës së Imunizimit që edhe sivjet në Kosovë, do të shënohet nga data 24-30 prill.




Në IKSHP u prezantua programi për Regjistrin e kancerit “CanReg 5”

Prishtinë, 7 mars 2017

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) u bë sot prezantimi i programit (softuerit) për regjistrimin e rasteve me kancer “CanReg 5”.

Ky program është softueri i regjistrit të kancerit që e rekomandon Agjensioni Ndërkombëtar për Hulumtime të Sëmundjeve malinje i Organizatës Botërore të Shëndetësisë – OBSh  (Internacional Agency for Research on Cancer/ WHO ),  dhe i cili është adaptuar për Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se aplikimi i këtij programi do të mundësojë një evidentim cilësor dhe sasior të rasteve të sëmundjeve malinje  dhe është rezultat i punës së Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit, me mbështetjen e Zyrës së OBSh-së në Kosovë.

Ai tha se vitet në vijim do të jenë sfiduese sa u përket sëmundjeve malinje për faktin se me rritjen e jetëgjatësisë, shtohen edhe rastet me sëmundje malinje, që do të jetë një sfidë e veçantë për profesionistët shëndetësor.

“Prandaj, regjistrimi i rasteve do të mundësojë hartimin dhe zbatimin e politikave të drejta në adresimin e sëmundjeve malinje”, tha Ministri Rrahmani.

Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se me programin CanReg 5 do të regjistrohen të dhënat,  të cilat grumbullohen me fletëparaqitjen e sëmundjeve malinje në Kosovë.  “Ky program është realizuar me përkrahjen e OBSh-së, Zyra në Prishtinë,  dhe ka për qëllim që të ngre cilësinë dhe sasinë e raportimit të sëmundjeve malinje dhe që indikatorët relevantë për sëmundjet malinje të mund të raportohen në OBSh dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, tha profesor Ramadani. Ai theksoi se regjistri, gjithashtu, do të mundësoj që “të kemi të dhëna më të sakta për incidencën dhe prevalencën e sëmundjeve malinje” dhe që të arrihet ky qëllim plotësisht kërkohet që të ngrihet shkalla e raportimit të sëmundjeve malinje nga institucionet shëndetësore që merren me diagnostikimin dhe trajtimin e tyre.

Sami Uka nga Zyra e OBSh-së në Kosovë, tha se regjistri e ka rëndësinë e veçantë sa u përket zhvillimit të politikave shëndetësore, ndërsa rekomandon katër hapa sa i përket adresimit të sëmundjeve malinje: Parandalimin; Zbulimin e hershëm; Diagnostikimin dhe Trajtimin dhe kujdesin paliativ.  Ai tha se janë dy rekomandime të dhëna edhe nga ekspertët që raportimi i rasteve duhet të mbështetet edhe me raportim aktiv dhe theksi duhet të vihet te cilësia e informatave që grumbullohen dhe jo te sasia e tyre.

Në këtë takim, ku softueri i adaptuar për nevojat e Kosovës u prezantua nga Armend Iseni nga Instituti Republikan i Maqedonisë, u tha se Regjistri i parë me të dhënat e regjistruara nga ky program pritet të prezantohen në fund të këtij viti.